Analisti Arjan Vasjari tha në emisionin “Real Story”, në News24, se nëse mazhoranca nuk do të reflektojë për dekretin e betimit të anëtarëve të Gjyaktës Kushtetuese, të firmosur sot në manifestim nga Presidenti Ilir Meta, mund të ndodhë çdo lloj skenari, deri në jashtëinstitucional.

“Konkluzioni i fundit që mund të nxirret nga manifestimi, është se unë besoj që nga mazhoranca do ketë një reflektim lidhur me dekretin për betimin, në të kundërt nuk përjashtoj asnjë lloj skenari në të ardhmen, i cili mund të mos jetë shumë institucional, mund të jetë dhe jashtëinstitucional, që unë nuk do ta uroja”, tha Vasjari.

Më tej, analisti renditi disa nga konkluzionet, që sipas tij, u nxorën nga manifestimi i sotëm, duke thënë se kauza e Presidentit për mbrojtjen e Kushtetutës është e drejtë, por që duhet të ishte përqafuar nga opozita.

“Betejat e drejta nuk janë domosdoshmërisht kauzë shumice, mund të jenë dhe pakice. Presidenti ka të drejtë në aspektin kushtetues. Sa i përket ditës së sotme, mospasja e flamujve partiakë nuk e bën më pak partiak manifestimin. Madje, unë do pëlqeja që ky manifestim të mos ishte kauzë e Presidentit, por e oppzitës. Kushtetuta është maja e piramidës së një demokracie. Opozita Kishte mundësi të përfaqësonte këtë kauzë, por nuk e bëri. Mund të ishte përqafuar nga opozita kjo kauzë dhe nuk ndodhi, dhe kjo më shqetëson. Manifestimi nuk solli asgjë të panjohur, por nënvizoi disa gjëra të njohura.

Psh. Mendoj se kemi një zhvendosje të debatit politik nga shtrati i mazhorancë-opozitë, në mazhorancë-President. Këtu mund të realizohet presidenti, por mund të mbetet një pikëpyetje për opozitën. Jemi në krizë kushtetuese dhe kjo krizë duhet zgjidhur, kërkon zgjidhje urgjente. Zgjidhjen e kësaj krize nuk e ka asnjë aktor tjetër, përveç mazhorancës. Presidenti nuk ka asgjë në dorë. E bëmë manifestimin, por kriza është aty. Urgjenca në zgjidhjen e kësaj krize duhet të përcaktojë ashpërsinë me të cilën duhet të shkojmë në zgjedhje”, u shpreh analisti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb