Situata e tensionuar në Ukrainë dhe frika nga pushtimi rus është bërë temë diskutimi në emisionin e sotëm “Pikat mbi i’, në News24.

Ish-ministri i Brendshëm dhe ushtaraku i njohur shqiptar, Dritan Demiraj, u shpreh se pritet një pushtim i mundshëm i Ukrainës nga Rusia, teksa theksoi se situata është tepër e komplikuar, raporton “BalkanWeb”.

Edhe analisti Artur Zheji nuk e përjashton një ballafaqim mes Ukrainës dhe Rusisë, ndërsa shton se për Putinin nuk është fare e vështirë ta pushtojë Ukrainën, por ai po mendohet, për shkak se ka një ekonomi të rrënuar.

Pjesë nga diskutimet:
Zheji: Konflikti Rusi-Ukrainë duket nga ana kilometrike që është larg, por nga ana e tensionit është afër. Në sferën gjeopolitike të Ballkanit, Ukraina është komshiu ynë më i afërt. Pra, nëse ka konflikt atje, jehona, cuflat vijnë edhe te ne. Kemi një deklaratë tensionuese të presidentit kinez, i cili u deklaruar ushtarakisht e strategjikisht në krah të Rusisë, nëse SHBA e NATO ndërhyjnë në Ukrainë. Kështu u kthye në një ‘teatër’ botëror, sepse hyjnë tre kontinente në lojë. Ndaj dhe unë mendoj se nuk është një shaka, por një tension real dhe një presion i nxehtë.

Dritan Demiraj: Kemi një Rusi shumë aktive, provokuese jo vetëm ndaj Ukrainës, por edhe ndaj shumë shteteve të tjera, kemi një rritje të ndikimit të saj në shumë shtete. Për hir të së vërtetës, që nga administrata e presidentit Obama, kemi pasur një Amerikë shumë demokratike, por përballë Putinit, që ka 22 vite në pushtet, duhej një qasje më agresive. Presidenti Biden ka filluar ta intensifikojë këto 3-4 muajt e fundit. Gjykoj se situata është tepër e komplikuar. Pritet një pushtim i mundshëm i Ukrainës, kryesisht i pjesës lindore.

Zheji: NATO janë shumë të kujdesshme për të mos shkuar në pozitat maksimaliste të Kievit. Çështja është se pas Afganistanit, pra pas largimit të trupave amerikane atje dhe fitores së talebanëve, situata matet me precedentë. Gjithë problemi është se Kina e Rusia kanë rritur presionin për të kuptuar nëse SHBA janë një superfuqi e vetme në planet, apo kanë lëkundje të superitetit të tyre ushtarak, ekonomik. Doktrina Trump ishte për të mos lejuar aleancën ruso-kineze, që ka qenë historikisht një aleancë gjeostrategjike. Tani Kina është një superfuqi ekonomike, por nuk ka ushtri të fortë, ndërsa Rusia është një potencë e madhe ushtarake, por me një ekonomi shumë të trishtuar. Ato nuk maten dot tek e tek me SHBA, por nëse bashkohen Rusia-Kina-India krijojnë tension e kërcënim. Kjo e komplikon situatën dhe mendoj se Ukraina me të vërtetë mund të jetë një vend, që mund të ketë ballafaqim. Nga ana tjetër, kriza ekonomike që ka Putin dhe sanksionet që mund t’i vendosin, e bëjnë atë të mendojë dy herë se mund të rrëzohet nga vetë rusët pas kaq vitesh në pushtet. Për Rusinë nuk është e vështirë të pushtojë Ukrainën, përveçse e përgjakshme, por Putini mendohet për konseguencën, për ekonominë.

Demiraj: Deklarata e Sekretarit të NATO nuk është e duhura, në momentin e duhur, pasi kjo e bën edhe më trim Putinin. Kjo tregon fatkeqësisht se strategjitë e Putinit janë të suksesshme. Le t’i themi gjërat troç, se kanë një far frike nga Rusia. Kemi një bashkim të fuqive, përfshi dhe Korenë e Veriut. Jo pa qëllim kemi vetëm muajt e fundit të lëshuara 11 raketa. Të gjitha këto bëjnë që të trembet NATO.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb