TIRANË

Janë me mijëra të moshuarit që duhet të kishin bërë prej ditësh dozën e dytë të vaksinës kineze coronavac Covid-19 (Vero Cell), por në qendrën e vaksinimit në sheshin Skënderbej sportelet janë të mbyllura dhe  vaksina mungon që prej ditës së diel.

Por ka edhe disa fatlum që thonë se kanë mundur të marrin dozën e dytë kineze nga sasitë e pakta që hera -herës administrohen nga Ministria e Shëndetsisë.

Nga Ministria e Shëndetsisë nuk ka një deklaratë zyrtare që të shpjegojë vonesën afër një javore të kryerjes së vaksinës coronavac.

Burime nga komiteti teknik i ekspertëve pohojnë për Neës 24 se ka mungesë të vaksinës kineze dhe se pritet të vijë një ngarkesë e madhe vaksinash nga Turqia javën që vjen, por pa specifikuar një datë ekzakte.

Me të drejtë shtrohet pyetja se çfarë e shkaktoi vonesën në ardhjen e vaksinës kineze nisur, nga fakti se qeveria dhe vetë kryeministri Edi Rama kishin garantuar finalizimin e marrëveshjes me kompaninë “Keymen Ilac Sanayi ve ticaret” në Turqi për furnizimin e 1.2 milionë dozave vaksin “Keymen Ilac Sanayi ve ticaret” coronavac.

Në datën 19 prill qeveria shqiptare permbylli kontratën me distributorin e autorizuar turk “Keymen Ilac Sanayi ve ticaret” për importimin e 500 mije vaksinave  CoronaVac Covid-19 (Vero Cell), prodhim i përfunduar në Kinë nga kompania Sinovak Life Science CO Ltd.

Por në datën 19 prill, ministrja e Shëndetsisë Ogerta Manastirliu deklaroi përmbylljen e kontratës me kompaninë turke Keymen ilac pas administrimit të 500 mijë dozave të para, për të cilat qeveria thuhet se ka paguar 10 milion dollarë.

Shkak është bërë ndërprerja e furnizimit me vaksinën e përfundur nga prodhuesi sinovac tek distributori turk Keymen Ilac dhe për rrhjedhojë pala turke ka ndërprerë furnizimin e palës shqiptare.

Kjo do të thotë se që në datën 19 prill, qeveria e dinte se do të përballej me mungesën e vaksinës kineze në përmbylljen e vaksinimit për të moshuarit mbi 60 vjeç, që e kanë kryer dozën e parë.

Për më tepër kjo përforcohet edhe nga riformulimi që qeveria i ka bërë aktit normativ nr 9 të datës 23 mars 2021, për importimin në kushtet e emergjencës shëndetsore të vaksinës kineze CoronaVac Covid-19 (Vero Cell), duke hartuar një akt të tretë normativ në harkun e 5 muajve, me nr 14, datë 7.4.2021 që ndryshon emrin e importuesit të vaksinës, llojin e autorizimit të  produktit, si dhe emërtimin e vaksinës kineze nga Vero Cell ne 600 SU IM suspension. Në aktin normativ të qeverisë, i mbajtur sekret dhe i zbuluar vetëm nga media disa ditë më parë, thuhet se vaksina e re që do të importohet nga Turqia me shumë gjasë në ditët e para të javës që vjen është prodhim i të njëjtës kompani kineze Sinovak Life Science CO Ltd, dhe përmban të njëjtën substancë aktive, (formulë) me vaksinën CoronaVac Covid-19 (Vero Cell), por me një ndryshim, paketimi i vaksinës, në doza 0.5 ml, realizohet në Turqi dhe jo në kompaninë mëmë, pasi Turqia ka marrë autorizimin e paketimit dhe tregtimit të vaksinës, të cilën po e përdor gjerësisht tek qytetarët e vet.

Vaksina e re thuhet se do të vijë javën e ardhshme dhe do të përdoret fillimisht si dozë e dytë për të moshuarit mbi 60 vjeç, që e kanë marrë një dozë dhe që janë në pritje të vaksisnës përmbyllëse që prej ditës së djelë kur u raportua në media mungesa e vaksinës kineze.

Nga qeveria nuk është dhënë asnjë deklaratë apo sqarim për opinionin publik si për ndryshimin e kontratës së vaksinës dhe për vetë ndryshimin e emrit të antigenit viral që mban një emër tjetër nga emri fillestar.

Riformulimi i aktit normativ ka gjetur më herët dakordësimit e komitetit teknik të imunizimit si dhe komitetit teknik të ekspertëve për menaxhimin e pandemisë, por këto vendimarrje nuk janë bërë të ditura asnjëherë për publikun dhe median derisa Akti Normativ i ndryshuar mori miratimin në parlament.

Vaksina e prodhuar dhe përfunduar në Kinë nga kompania prodhuese Sinovak Life Science CO Ltd, (vero cell) nuk është e aprovuar nga agjensitë ndërkombëtare të kontrollit të barnave EMA dhe FDA ndërsa mbetet për tu parë sesi do të operohet me vaksinën oronaVac 600SU/IM – Suspension që ka të njëjtin prodhues sinovac por paketohet në Turqi.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb