TIRANË- Ministria e Energjisë dhe Industrisë padit 3 ish-ministra të qeverisë Berisha në lidhje me privatizimin e OSSH-së. Mësohet se MEI ka paditur Ridvan Boden, Genc Rulin dhe Florjon Mimën si dhe dy zv/ministrat Enno Bozdo e Neritan Alibali. Po kështu MEI ka paditur edhe 2 ish-zyrtaret Suzana Guxholli dhe Mimoza Vokshi.

PËRGATITJA E PRIVATIZIMIT TË KOMPANISË
Grupi i auditimit ka konstatuar se hapja e procesit të privatizimit të shoqërisë OSSH sha, është kryer në një kohë që shoqëria, megjithëse ishte regjistruar në QKR në Qershor të vitit 2007, pra ligjërisht ekzistonte si entitet juridik, nuk kishte kryer asnjë lloj aktiviteti ekonomik në tregun e energjisë.

Nisja e procedurave për inventarizimin e regjistrimin e aseteve në ZRPP ka filluar në Janar te vitit 2008, proces i cili nuk kishte përfunduar ende në kohën kur është nënshkruar kontrata e shitjes së aksioneve të kësaj shoqërie. Procedurat për përgatitjen e kuadrit rregullator për përshtatjen e sistemit energjetik me nevojat dhe zhvillimet e sektorit energjetik përfshirë dhe privatizimin, filluan pa u saktësuar vlera e aseteve të shoqërisë që do të privatizohej. Publikimi për shprehjen e interesit për kompanitë për privatizimin e OSSH u bë në një kohë kur ende nuk ishte përfunduar Data–Room që shërbente për tu konsultuar nga shoqëritë e interesuar për këtë proces.

Fillimi i procedurave të privatizimit të OSSH u krye: pa e përshtatur shoqërinë me modelin e tregut të sapo miratuar; pa ushtruar asnjë aktivitet në tregun e energjisë elektrike; pa patur inventar të saktë dhe me pasuri të pa regjistruara në ZRPP; pa saktësuar të drejtat e detyrimet e saj, ku si bazë fillestare e vlerësimit është marrë bilanci i vitit 2007, i pa miratuar nga METE si përfaqësues i pronarit shtet, dhe pa opinion të vërtetësisë së të dhënave të bilancit nga Ekspertët e pavarur. Nga sa më sipër, konkludohet që shoqëria OSSH nuk ka qenë e gatshme për të filluar procesin e privatizimit.
Jo vetëm gjatë përgatitjes së tenderit deri te vlerësimi i ofertave, por edhe gjatë fazës së negocimit të kontratës, me Urdhra të Ministrit te METE dhe me Vendime te Këshillit te Ministrave (VKM nr. 218, datë 06.03.2009 “Për disa ndryshime në VKM Nr. 862, datë 20.12.2006”) janë kryer veprime për sistemim të aseteve, të drejtave e detyrimeve dhe ato me kapitalin e shoqërisë, procese që ligjërisht duhet të ishin përfunduar përpara fillimit të procedurave te privatizimit.

Në përfundim, Grupi i Auditimit ka vlerësuar se nxjerrja për privatizim e një shoqërie të sapo krijuar, me rëndësi strategjike për interesat e vendit, me shtrirje në të gjithë territorin e RSH, e cila nuk kishte kryer asnjë bilanc energjitik të sajin, pa asnjë eksperiencë për të operuar në tregun e energjisë, pra e papërgatitur, përbënte një risk të lartë për vlerësimin real të çmimit të aksioneve të saj. Kjo pasojë, në fakt ka ndodhur dhe ka dhënë efekte negative në rënien e vlerës së aseteve neto, nga 8.055.889.000 lekë që ishte sipas bilancit datë 31.12.2007, vlerë me të cilën filloi privatizimi, në vlerën 5.987.429.220 lekë në datën e mbylljes së MSA, 31.05.2009. Për sa sipër mbajnë përgjegjësi penale Ministri i ish METE Genc Ruli dhe ish Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimeve Tregtare Mimoza Vokshi.

Procesi i tenderimit
Ministri i METE me Urdhrin nr. 339, datë 13.05.2008 ka miratuar KVO me 9 anëtarë nga të cilët 6 anëtarë të METE dhe 3 anëtarë të IFC, kryetar i të cilit ka qene Neritan Alibali zv. Ministër i METE. KVO duhet të ishte KTT dhe Ministri i METE me Urdhrin nr. 339, datë 13.05.2008, ka vepruar në shkelje të pikës 2, Kreu IV të VKM Nr. 329, datë 12.07.1999.
Lidhur me fazen parakualifikuese, rezulton se nuk është respektuar afati prej 6 muaj nga momenti i publikimit të vendimit për privatizimin e shoqërisë. Veprimet sa sipër janë në kundërshtim me nenin 11 të Ligjit nr. 8306 datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë“.

Pas fazës së përzgjedhjes së investitorëve strategjik, ka vazhduar puna për plotësimin e kuadrit ligjor për vlerësimin e ofertave dhe shpalljen e investitorit strategjik fitues. Këshilli i Ministrave, ka miratuar Vendimin nr. 835 datë 11.06.2008 “Për përcaktimin e madhësisë së paketës së aksioneve të kapitalit të shoqërisë OSSH sha që i ofrohet investitorëve strategjike”, i cili është botuar në gazetën zyrtare nr.108 datë 18.07.2008 dhe ka hyrë në fuqi në këtë datë. Bashkëlidhur këtij vendimi gjendet Shtojca 1 me Instruksione për realizimin e tenderit për privatizimin e shoqërisë OSSH sha. Me propozim të METE, Këshilli i Ministrave, ka miratuar VKM nr. 1170, datë 13.8.2008 “Për disa ndryshime në Vendimin nr. 835, datë 11.6.2008 të K. Ministrave…”, ku janë bërë ndryshime në tekstin e instruksioneve, lidhur me vlerën e garancisë se ofertës dhe shtyrjen e datës zhvillimit të tenderit. Vendimi është botuar në fletoren zyrtare nr. 135 datë 26.08.2008 dhe ka hyrë në fuqi po atë datë.

Me shkresën nr. 8153/1 prot., datë 09.09.2008, METE ka dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave, projektvendimin “Për disa ndryshime dhe shtesa në VKM nr. 835 datë 11.06.2008, nënshkruar nga zv. ministri Enno Bozdo. Konstatohet se ndryshimet e propozuara nga METE, për paraqitjen nga ofertuesit të ofertave me “ndryshime të kufizuara” të pesë nënpikave; e të lejuara për ndryshime sipas kësaj VKM, janë elemente të përcaktuar qartë në Deklaratën Rregullatore, miratuar nga Bordi i Komisionereve të ERE me vendimin nr.107 datë 09.09.2008, e cila ishte pjesë e draft-marrëveshjes që përbënin dokumentat teknike të kësaj procedure, pra janë bërë në të njëjtën datë kur është bërë edhe miratimi i Deklaratës Rregullatore. METE nuk mund të kërkonte apo të lejonte ndryshime në këta tregues, pa u konsultuar më parë dhe pa vendimin zyrtar të Entit Rregullator të Energjisë, pasi treguesit e lejuar për ndryshime janë jashtë juridiksionit të veprimtarisë së METE. METE, duke propozuar këto ndryshime, te nënshkruara nga ish Zv. Ministri Enno Bozdo, ka marrë atribute, që i takojnë vetëm Entit Rregullator të Sektorit të Energjisë Elektrike.

Propozimet dhe ndryshimet e kryera në VKM nr. 835 datë 11.06.2008, lidhur me treguesit e përcaktuar nga ERE në DR, janë bërë pa marrë më parë mendimin e ERE, dhe se ky i fundit nuk ka qenë në dijeni të ndryshimeve të propozuara e të miratuara. Futja në ndryshime, sidomos i treguesit “niveli fillestar të humbjeve të shpërndarjes”, është bërë në kundërshtim me vet përmbajtjen e kushteve minimale të performancës teknike, të përcaktuara në ankesin 17, të cilat sipas pikës 5.2.1 të VKM nr. 835 datë 11.06.2008; ishin përcaktuar si kriteri i vetëm i vlerësimit të ofertës teknike, nëse kalon apo jo.

Propozimi per ndryshime si dhe lejimi per negocim mbi termat e Deklaratës Rregullatore të ERE të datës 9.9.2008, pjesë e dokumentave konkurruese të tenderit, pa miratimin paraprak zyrtar nga ERE, si autoriteti ligjor i vetëm rregullator për përcaktimin dhe llogaritjen e tyre, pa përcaktuar as tolerancat se deri në çfarë mase do të lejohen për ndryshime këta elementë, me qëllim ruajtjen dhe shmangien e efekteve dhe luhatjeve të mëdha që paraqesin termat e pranuara për ndryshime në çmimet dhe tarifat e konsumatorëve fundorë të energjisë elektrike, si dhe ndryshimi sidomos i treguesit “niveli fillestar të humbjeve të shpërndarjes”, është bërë në kundërshtim me përmbajtjen e kushteve minimale të performancës teknike, të përcaktuara në ankesin 17, të cilat sipas pikës 5.2.1 të VKM nr 835 datë 11.06.2008, ishin përcaktuar si kriteri i vetëm i vlerësimit të ofertës teknike nëse kalon apo jo.

Grupi i Auditimit, ka konkluduar se inicimi nga METE i ndryshimeve në VKM nr. 835 datë 11.06.2008 me shkresën nr. 8153/1 prot. datë 09.09.2008 për ndryshimet e propozuara, si dhe miratimi i VKM nr. 1268 datë 17.09.2008 nga Këshilli i Ministrave, për treguesit që janë elemente të deklaratës rregullatore, janë bërë në kapërcim të kompetencave të tyre, pasi kanë lejuar ndryshime në parametrat kryesore të kuadrit ligjor rregullator, të cilat përcaktohen vetëm nga ERE, si Autoritet shtetëror i pavarur rregullator, në përputhje me ligjin 9072, datë 22.05.2003 (i ndryshuar) për Sektorin e Energjisë Elektrike, dhe në përputhje të Metodologjisë për Tarifat e Shërbimit të Shpërndarjes. Këto veprime ngarkojnë me përgjegjësi personat dhe organet shtetërore përkatëse propozuese dhe miratuese. Propozimi per lejimin e ndryshimeve të treguesve te DR dhe miratimi i tyre me VKM, ka krijuar terrenin e përshtatshëm për favorizime të ofertuesve si dhe përfitimeve të padrejta për ta, sikurse ka ndodhur në fakt gjatë vlerësimit të ofertave e në vijim gjatë zbatimit të MSA.
Grupi i Auditimit nuk gjeti asnjë dokumentacion të KVO-së që ka të bëjë me vendim marrjet e saj; komunikimin e saj me investitorët e parakualifikuar, nuk gjeti udhëzimet për ofertuesit; nuk gjeti kush ka bërë hartimin e dokumentave standarde të tenderit dhe si është bërë miratimi i tyre, si u bë deklarata rregullatore pjesë e draft marrëveshjes për shitjen e aksioneve; minutat e takimit për raundet e komenteve sipas pikës 2.2.3 të VKM nr. 835 datë 11.06.2008, të cilat duhet të ishin me shkrim; si u përcaktuan kushtet minimale të performancës teknike, çfarë përmban aneksi 17 pasi nuk është botuar; Fletën e të Dhënave të Ofertës për datën e zhvillimit të tenderit etj, si u njoftuan subjektet e parakualifikuara lidhur me ndryshimet e kryera në udhëzuesin për ofertuesit dhe deklaratat rregullatore etj. Mos dorëzimi i dokumentacionit përkatës ne arshivën e institucionit ngarkon me përgjegjësi KVO dhe në mënyrë të veçante kryetarin e KVO.

Vlerësimet e kryera nga KVO për ofertat e paraqitura
Grupi i auditimit nuk gjeti dokumentacion shkresor lidhur me procedurat e kryera nga KVO gjatë vlerësimit të ofertave të paraqitura dhe as vendimmarrjet e tij. Grupi i auditimit gjeti vetëm Raportin e Vlerësimit të Ofertave, përpiluar nga Kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Neritan Alibali, ish Zv. Ministër në METE. KVO në këtë rast, ka vepruar me dy standarde, pasi për të njëjtin tregues, nga njëra anë ka skualifikuar një ofertues dhe nga ana tjetër ka kualifikuar ofertuesin tjetër. KVO nuk ka bërë analizën dhe vlerësimin e treguesve të ofertës teknike duke i marrë të gjithë treguesit të lidhur dhe në unitet me njeri tjetrin, duke favorizuar hapur ofertuesin e kualifikuar qe është CEZ.
KVO, duhej të kishte skualifikuar edhe ofertuesin CEZ, dhe jo ta kualifikonte atë sikurse ka vepruar në fakt, në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi. Pra, KVO ka vepruar në shkelje të hapur të pikës 5.2.1 të VKM nr. 835 datë 11.06.2008, i ndryshuar.

Nga KVO janë pranuar ndryshime në deklaratën rregullatore, të paraqitura nga ofertuesi CEZ, përtej treguesve të përcaktuar në VKM nr. 835 datë 11.06.2008, i ndryshuar. Konkretisht, janë lejuar dhe pranuar ndryshime për treguesin e nivelit të lejuar të borxhit të keq; kur në ndryshimet e lejuara sipas VKM nr. 1268 datë 17.09.2008 në pikën 5.2 ishte shprehur vetëm “Justifikimi i borxhit të keq”. Propozimi nga ana e ofertuesit për ndryshime në këtë tregues dhe pranimi i tij është bërë jashtë kritereve ligjore të përcaktuara, pasi ky tregues ishte përcaktuar në deklaratën rregullatore nga ERE; e për pasojë, edhe për këtë shkak kjo ofertë nuk duhej kualifikuar nga KVO. Edhe për mosparaqitje të një plani të plotë biznesi, KVO nuk duhet ta kishte kualifikuar ofertuesin CEZ, por duhej ta skualifikonte edhe atë dhe të deklaronte procesin e tenderimit si të pasuksesshëm.

Miratimi i raportit të KVO
KVO, i ka rekomanduar Këshillit të Ministrave miratimin e raportit të vlerësimit të ofertave dhe të shpallë fitues të tenderit të privatizimit të OSSH kompaninë çeke CEZ, si ofertuesin e preferuar në bazë të çmimit të ofruar.
Kualifikimi si fitues i operatorit CEZ në këtë proces tenderimi nga KVO, si dhe miratimi i raportit të KVO dhe shpallja fitues i ofertës së paraqitur nga CEZ me VKM nr. 1430 datë 29.10.2008 është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, e konkretisht në shkelje të hapur të kushteve minimale të detyrueshme të performancës teknike, të cilat ishin shpallur si kritere kualifikuese lidhur me këtë privatizim, si dhe ne shkelje te kushteve te tjera te lartpërmendura.

Vendimi i KM nr. 1430 datë 29.10.2008 si dhe vendimi i KVO, i shprehur në raportin përfundimtar, kanë favorizuar hapur ofertuesin e shpallur fitues; në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, favorizime të cilat, sikurse trajtohet në çështjet në vijim, do të vazhdojnë edhe në fazat e tjera gjatë negocimit dhe zbatimit të MSA, duke i sjellë këtij ofertuesi përfitime materiale të padrejta si dhe kanë dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të shtetit dhe të personave të tjerë juridikë. Kanë përgjegjësi për këto shkelje anëtarët e KVO që kanë bërë shpalljen fitues të këtij ofertuesi në shkelje të akteve ligjore e nënligjore si dhe KM që ka miratuar VKM përkatëse.

Deklaratat Rregullatore dhe negocimet për nënshkrimin e marrëveshjes
Konstatohet se për një periudhë 9 mujore, nga faza e parakualifikimit të operatorëve strategjik (2.6.2008) deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Shitjes të 76% të aksioneve të OSSH-së (11.3.2009), ERE ka miratuar dhe ka dalë me katër Deklarata Rregullatore, nga të cilat: Tre deklaratat e para janë miratuar nga ERE, në periudhën nga dërgimi i ftesës për ofertë konkuruesve të parakualifikuar (me shkresën nr.5097/9, datë 16.6.2008 deri përpara hapjes së procedurës konkuruese datë 29.9.2008). Deklarata e fundit e datës 3.3.2009 është miratuar nga ERE, pas përfundimit të negociatave me ofertuesin e shpallur fitues.

Në përfundim të negocimeve, janë miratuar ndryshime në rritje për elementët:
a.Norma e lejuar e kthimit mbi kapitalin nga 14% në 16.44% (në tre DR e para ndryshimi ka qenë nga 12% në 14%), njëkohësisht duke përcaktuar këtë tarifë për aplikim për 3 periudhat rregullatore nga 2 periudha që ishin parashikuar.
b.Ka ndryshuar nivelin e borxhit të keq nga 4% në 14% (në tre DR e parat ndryshimi ka qënë nga 0% në 4%), duke përcaktuar që do të ulet me 1% në vit në vitin 2010;
c.Ka ndryshuar normën e fitimit për aktivitetin e furnizimit publik me pakicë nga 1% në 2.2% mbi koston vjetore të aktivitetit, (në tre DR e para nuk ka patur ndryshim, pra 1 %).

Marzhi i fitimit për furnizuesin publik me pakicë, nga kompania CEZ është kërkuar në masën 2.5 % dhe nga negocimi është rënë dakord për nivelin 2.2%. Në negociata, në kundërshtim me kushtet minimale të performances teknike, janë bërë ndryshime lidhur me nivelin e humbjeve teknike, duke rënë dakord nga palët që: “me supozimin që niveli fillestar në vitin 2008, për tu konfirmuar nga auditimi i humbjeve, është në nivelin 32% dhe se jo më vonë se data 31.07.2009, OSSH do të kryejë një auditim të detajuar të humbjeve për të përcaktuar metodologjinë e humbjeve të përgjithshme dhe për të verifikuar nivelin aktual të humbjeve për vitin 2008.

Po ashtu, jo më vonë se 31.07.2010, OSSH do të kryejë një studim të detajuar të humbjeve për të përcaktuar humbjet teknike dhe jo teknike të realizuara për vitin 2009. Në Deklaratën Rregullatore te datës përcaktohet se: Auditimi i humbjeve dhe studimi i humbjeve do të përgatiten nga një ekspert teknik i pavarur që do të zgjidhet nga lista (përcaktuar 5 ekspertë të pavarur). Studimi i humbjeve dhe auditimi i humbjeve do të miratohet nga ERE përkatësisht brenda 2 muajve dhe 1 muaji nga data e paraqitjes së tyre. Konstatohet se pranimi i të gjitha kërkesave te ofertuesit CEZ gjatë negocimeve dhe të përfshira në Deklaratën Rregullatore, ka prekur drejtpërdrejt kushtet minimale të detyrueshme të performancës teknike dhe tregojnë favorizimin e pa drejte që i është bërë CEZ-it. ERE, me shkresën nr. 719, date 14.11.2008 ka përllogaritur ndikimin e plotësimit të kushteve të kërkuara nga kompania CEZ, që kërkojnë një rritje në çmimin e shitjes me pakicë të energjisë elektrike për vitin 2010, në nivelin prej 32%, e cila për sasinë e shitur të energjisë elektrike sa në vitin 2008, sjell një pasojë financiare në kurriz të konsumatorëve prej 11,628,870,000 lekë ose 83,063,357 Euro, njëkohësisht të ardhura në vit në favor të CEZ.

Favorizimi i CEZ, lidhur me kushtet minimale të performancës teknike del në pah dhe nga Vendimi nr. 46 datë 14.06.2010 i ERE “Mbi kërkesën e OSSH sha lidhur me nivelin e humbjeve të energjisë elektrike për vitin 2008”, ku në pjesën arsyetuese shprehet: Bordi i Komisionerëve për qëllim të llogaritjes së tarifave të energjisë eklektike për vitin 2010 pranoi nivelin e deklaruar të humbjeve për vitin 2008 në masën e deklaruar nga OSSH (përpara privatizimit) në nivelin 32.74 % (në dokumentet e ofertës teknike ishte 32 %), duke e lënë të hapur të drejtën për tu shprehur në kuadër të të dhënave që do të rezultonin e verifikoheshin në vijim, dhe ka vendosur: Niveli i humbjeve të pranuara për OSSH për vitin 2008, për efekt të vendosjes së objektivave të humbjes për tre periudhat rregullatore sipas Deklaratës Rregullatore dhe të llogaritjes së tarifës së shpërndarjes është 33.92%. Efektet financiare të axhustimit të të ardhurave të kërkuara do të reflektohen në tarifat për shoqërinë OSSH sha, duke përdorur mekanizimin e kompensimit siç përcaktohet në Dekaratën Rregullatore.
Fakti i mësipërm, tregon me shifra konkrete favorizimin që i është bërë ofertuesit fitues në shkelje të hapur të kushteve minimale të detyrueshme të performancës teknike, të cilat janë kushte kualifikuese.

Favorizime janë lejuar nga grupi i negocimit dhe lidhur me treguesit e Borxhit të Keq, për të cilin ndonëse ishte vendosur se do të pranohet për vitin 2008 një nivel i borxhit të keq prej 14 % mbi te ardhurat e FPP dhe për vitin 2009 pranohet i njëjti nivel si viti 2008. Në 2010 niveli i borxhit të keq do të ulet me 1 % krahasuar me nivelin e vitit 2009, është pranuar edhe studimi i borxhit të keq do te përgatitet nga një ekspert financiar i pavarur. Vendimi nr. 80 datë 15.06.2012 të ERE “Mbi miratimin e studimit për borxhin e keq”, flet me shifra konkrete edhe për favorizimin që i është bërë lidhur me këtë tregues; ku sipas tij niveli i miratuar i borxhit të keq për vitet 2008, 2009 e 2010 janë respektivisht 14.86 %, 16.85 % dhe 19.73 %. Krahas ndryshimeve të trajtuara sa më sipër, evidentohet se në DR të datës 3.3.2009, ka ndryshime të shumta në tërë strukturën dhe konceptimin e saj, krahasuar me atë të datës 9.9.2008, pjesë e dokumentave të tenderit.

Grupi i auditimit, ka konstatuar se nga Komisioni i negocimit:
Janë kryer negocime lidhur me kushtet minimale të performances teknike, kur këto kushte kanë qenë kriter i vetëm kualifikimi, pra kanë qenë kushte të detyrueshme për tu pranuar dhe të panegociueshme, duke vepruar kështu në shkelje të hapur me piken 5.2.1 të VKM nr. 835 datë 11.06.2008, i ndryshuar. Jane kryer negocime përtej lejimeve ligjore e konkretisht lidhur me nivelin e borxhit të keq, kur në dokumentet e tenderit ishte përcaktuar se mund të negociohej vetëm justifikimi i borxhit te keq, duke vepruar kështu ne shkelje te hapur me piken 5.2 të VKM nr. 835 datë 11.06.2008, i ndryshuar. Nga Komisioni i Negocimit për disa çështje nuk janë bërë arsyetime mbështetur në tregues e parametra teknik, por janë pranuar tolerime për të marrë kompromise për çështje të tjera.

Ndonëse nga përfaqësuesit e ERE në komision është theksuar se “propozimet e paraqitura nga CEZ përbëjnë ndryshime rrënjësore të Deklaratës Rregullatore” dhe janë të pa pranueshme mbasi ERE ka dale me tre variante të DR, deri sa u arrit në këtë variant që po diskutohet, ato nuk janë marrë në konsideratë nga Komisioni i negocimit. Grupi i negocimit dhe veçanërisht përfaqësuesit e ERE, gjatë negocimeve kanë qënë të pa përgatitur dhe të panjohur me situatën, lidhur me kërkesat teknike dhe elementet e DR që do të negociohen, të paraqitura nga kompania ofertuese CEZ. Evidentohet se CEZ në ofertën e tij, nuk ka paraqitur planin e investimeve në mënyrën e duhur, (pjesë e planit të biznesit), kërkesë kjo e përcaktuar në dokumentat e ofertës, VKM 835 datë 11.6.2008, i ndryshuar, pika 3.1.1, gërma (a), pika “ix”.

Palët, për kufirin e fitimit për RPS nuk kanë diskutuar me terma teknike dhe argumenta për tarifat e propozuara, por kanë krijuar marrëdhënie duke kërkuar tolerenca të ndërsjellta. Nga negocimet rezulton se paketa e hedhur për shitjen e 76% te aksioneve të OSSH-se, nuk ka qenë e saktësuar me të dhëna të analizuara mbi kërkesat për arkëtim të shoqërisë, me analizë analitike të subjekteve për kohën e krijimit, vlerat përkatëse dhe ndarjen sa për KESH dhe sa për OSSH-në. Për veprimet e kryera në kundërshtim me VKM nr. 835 datë 11.6.2008, i ndryshuar, të cilat kanë favorizuar ofertuesin e shpallur fitues, duke i siguruar atij përfitime te pa drejta, mban përgjegjësi grupi i negocimit dhe palët e tjera në bisedime lidhur me këto negocime.

Zbatimi i afateve te negocimit.
Evidentohet se për negocimin e marrëveshjes së blerjes së aksioneve, nuk është respektuar afati prej 30 ditë i përcaktuar në pikën 3.2.4 të VKM nr. 835 datë 11.6.2008, e ndryshuar. Grupi i auditimit nuk disponoi në dokumentacionin e audituar, praktikë dokumentare për zgjatjen e afatit të kryerjes së negocimeve.

Miratimi i Deklaratës Rregullatore
Ministri i METE, i ka kërkuar Bordit të Komisionerëve të ERE miratimin e Deklaratës Rregullatore sipas procedurave ligjore në fuqi. Grupi i auditimit konstaton se, ndonëse nga ERE gjatë fazës së negocimit, janë kundërshtuar treguesit e ndryshuar të Deklaratës Rregullatore, ndonëse ERE është shprehur se anëtarët e saj në grupin e negocimit nuk kanë patur mandat për të bërë ndryshime në deklaratën rregullatore të datës 09.09.2008, por ishin në komisionin e negocimit për të mbrojtur atë deklaratë rregullatore, në përfundim ka miratuar deklaratën rregullatore të datës 03.03.2009, për të cilën po vetë kishin llogaritur favorizimet që po i bëheshin ofertuesit të shpallur fitues, në kundërshtim me kërkesat ligjore të parashikuara në VKM nr. 835 datë 11.6.2008, i ndryshuar, veprim i cili ngarkon me përgjegjësi Bordin e Komisionerëve të ERE.

Zbatimi i marrëveshjes.
1. Problemet e rregullimit të çmimit:
Konform përcaktimeve të marrëveshjes, Kompania CEZ, me letrën e saj datë 26.11.2009, protokolluar në ish-METE me nr. 9858 prot. datë 21.12.2009, ka dërguar Propozimin për Vlerën Neto të Aseteve të Mbylljes, që sipas kësaj letre është 5.987.429.220 lekë, pra më e vogël se Vlera Referuese Neto e Aseteve që ka qenë përcaktuar sipas bilancit të datës 31.12.2007 që është 8.055.889.000 lekë. Sipas këtij propozimi duhet të kishte rregullim çmimi në zbritje, pra shitësi ti kthejë blerësit shumën prej 76% të diferencës midis Vlerës Përfundimtare Neto të Aseteve për Mbylljen dhe Vlerës Referuese Neto të Aseteve, ose në vlerë absolute shumën 1.572.029.433 lekë.

Grupi i auditimit ka konstatuar se sipas pretendimeve të CEZ, dy faktorët kryesore që kanë ndikuar në këtë ulje, janë ata që vijnë nga krijimi i rezervës së borxhit të keq sipas llogaritjes së re që është në vlerën -13.603.704.156 lekë; si dhe nga zhvlerësimi i aktiveve fikse nga viti 2007 në shumën -10.685.143.000 lekë. Del se problemi i përcaktimit të Vlerës Neto të Aseteve në Mbyllje nuk është analizuar, dakortësuar dhe finalizuar me blerësin. Shitësi, në këtë rast METE, (i cili ka patur dhe bindjen se vlera e aseteve ishte në rritje dhe duhej të kërkonte rivlerësimin e çmimit në rritje), nuk ka kryer veprimet e nevojshme, sipas dhe në zbatim të marrëveshjes së nënshkruar.

Zgjidhja përfundimtare për këtë çështje, pra për “rivlerësimin e çmimit të shitjes”, sipas nenit 3.3 të marrëveshjes, duhej të jepej brenda 6 mujorit të parë të vitit 2010. Pra, nisur nga fakti që me shkresën nr. 1321 prot. datë 06.02.2012, (pra mbi 2 vjet më vonë), Ministri i Financave, informon METE-n se kompania CEZ i kërkon METE-s të kryejë pagesën e shumës 1.572.029.433 lekë për rregullimin e çmimit të blerjes së aksioneve të OSSH-së, tregon se nuk është zbatuar nga METE, sipas afateve dhe përcaktimeve në pikën 3.3 të Marrëveshjes që bën fjalë për Rivlerësimin e Cmimit të Blerjes, duke shkaktuar dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit, në shumën e pretenduar nga blerësi 1.572.029.433 lekë.

Rregullimi i të drejtave e detyrimeve ndërmjet palëve për shitblerjen e energjisë KESH –CEZ.
Me shkresën nr. 1416 dt 16.03.2011 të KESH drejtuar Ministrit të METE dhe për dijeni Kryeministrit “Për situaten hidro energjetike, gjendjen financiare dhe marrjen e masave për furnizimin e plotë të klientëve tarifor me energji elektrike”, ndër të tjera thekson: Aktualisht detyrimi i pa paguar i CEZ për KESH-in është 6.189.800.203 lekë nga të cilat rreth 71% e zë detyrimi për faturat e vitit 2010. Për të krijuar likuiditete të mjaftueshme KESH sh.a ka aplikuar për një tarifë të shitjes me shumicë për vitin 2011 prej 3,41 leke/kWh, ndërsa ky propozim në ERE, jo vetëm nuk është pranuar, por tarifa e shitjes me shumicë për vitin 2011, është ulur nga 2,03 lek/kWh që ishte për vitin 2010, në 1,48 lek, për vitin 2011”.
Ky ndryshim ka krijuar efekte favorizuese për CEZ për vitin 2011, për sasinë e blerë nga KESH prej 5,220,423,537 kWh në vlerën 2,871,232,945 lekë.

Marrëdhëniet e institucioneve shqiptare me CEZ.
CEZ Shpërndarje, më datë 17.05.2012, me shkresën nr. 4916, datË 21.05.2012 (prot i METE), i drejtohet Këshilltares së Kryeministrit Znj. Suzana Goxholli dhe për dijeni Ministrit të METE. Në letër informon për rezultatet e takimit të grupit të punës, duke përfshirë dhe takimin e datës 07.05.2012, zhvilluar në Tiranë, kërkon nga autoritetet shqiptare që të pranojnë me shkrim realizimin e një sërë kushteve, për të cilat, siç shprehet në këtë letër, është rënë dakord në këtë takim, ndër të cilët brenda muajit Maj 2012: për problemin e borxhit të keq, duke e njohur atë në nivelin 16.85%, nëse zbatohet marrëveshja për borxhet neto në lidhje me borxhet qeveritare dhe jo qeveritare, në të kundërt, do të aplikohet niveli i borxhit të keq në masën 20.71 %. Për problemin e tarifave KESH-FPSH, për këtë kerkon që ERE të reduktojë çmimin e tarifave në 2.2 lek, që do të jetë efektiv nga data 01.01.2012 deri më 31.12.2014.

Pas kësaj letre janë marrë këto vendime:
ERE me vendimin Nr. 80, datë 15.06.2012 “Mbi Miratimin e Studimit të Borxhit të Keq”, sipas kushtit të parashikuar në nenin 5.2 të Deklaratës Rregullatore, sipas së cilit, “Bordi i Komisionerëve të ERE-s, vendosi miratimin e Studimit të Borxhit të Keq përgatitur nga Deloitte”. Sipas Studimit, nivelet e Borxhit të Keq për vitet 2008, 2009 dhe 2010 janë 14,86%, 16,85% dhe 19,73%. Sipas Vendimit të ERE-s Nr. 99, datë 20.09. 2011, “Për miratimin e Studimit të Borxhit të Keq”, nivelet e borxhit të keq për vitet 2008, 2009 dhe 2010, të propozuara nga ERE ishin 14%, 14% dhe 13%. Në mbështetje të dakordësimit nga Ministri i Financave, ERE me Vendimin nr. 87, datë 29.06.2012 ka miratuar rishikimin e çmimit nga 2.83 lek/kWh të miratuar me vendimin 145 datë 7.12.2011, duke e çuar në 2.2 lek. Ky çmim, sipas vendimit, i shtrin efektet për tërë periudhën e tretë rregullatore 2012-2014.

Ky ndryshim ka krijuar efekte favorizuese per operatorin shitës me pakicë për vitin 2012-2014, në vlerën totale 8,818,986,918 lek, për sasinë e blerë nga KESH gjatë viteve 2012, 2013 e 2014, shumë e cila përbën dëm për KESH-in.
Për të mbuluar këtë efekt të nivelit të borxhit të keq tek CEZ, u kalua në uljen e tarifës së shitjes së energjisë elektrike nga KESH tek CEZ. Pra, rritja e borxhit të keq në masën 2.5% (nga 14% që ishte në DR bashkëlidhur marrëveshjes në 16.85% sipas studimit) të pranuar edhe nga Ministria e Financave ka dhënë efektin financiar në dëm të KESH prej 8,818,986,918 lek.

Duke analizuar faktet e lartpërmendura, konstatohet se persona me autoritet shtetëror e konkretisht Këshilltarja e Kryeministrit, zonja Suzana Guxholli, Ministri i Financave Ridvan Bode dhe persona të tjerë që nuk kemi qenë në gjendje ti identifikojmë për shkak të mungesës totale të dokumentacionit apo procesverbaleve, pa asnjë tagër ligjor, kanë hyrë në një proces për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve rregullatore të lindura midis kompanisë CEZ Shpërndarje dhe ERE. Nuk administrohet asnjë dokumentacion se mbi çfarë baze është ngritur Grupi i Punës dhe cili ka qënë qëllimi i tij. Për me tepër, mbi bazën e fakteve të mësipërme, konstatohet se këta persona, në tejkalim të plotë të kompetencave që u ngarkon ligji, kanë rënë dakord me CEZ në dem të interesave të një kompanie tjetër publike, siç është KESH. Gjithashtu provohet se këta persona kanë vijuar me dhënien e miratimeve dhe kanë ushtruar ndikim të paligjshëm, për një vendimmarrje që nuk i takonte institucionit të tyre, por ERE-s si një institucion i pavarur, i ngarkuar me ligj, për miratimin e tarifave të energjisë elektrike.

Gjatë vitit 2012, në kohën që zhvilloheshin bisedime edhe me persona të nivelit të lartë, si Këshilltarja e Kryeministrit, Suzana Guxholli, dhe pranohej rritja e nivelit të borxhit keq, rezulton se CEZ kishte filluar kontraktimin e 8 shoqërive private për mbledhjen e borxhit të keq. Përdorimi i këtyre kompanive njësoj si DIA dyshohet se mund të jetë përdorur për influencimin e vendimmarrjeve të caktuara në favor të CEZ dhe si të tilla meritojnë një hetim të thellë e të gjithanshëm. Këto kompani kanë përfituar vlera të larta nga CEZ Shpërndarje në vlerën totale 1.970.869.703 lekë. Madje në kundërshtim me urdhërimet e ERE dhe udhëzimet e Avokatit që këshillonte shtetin në konfliktin me CEZ për respektimin e radhës së kreditorëve, u janë likuiduar detyrimet nga administratori i përkohshëm Sahit Dollapi pas heqjes së licencës së CEZ gjatë periudhës Shkurt 2013, një vlerë prej 1.810.609.640 lek.

Veprimet dhe mosveprimet e strukturave drejtuese të METE pas heqjes së Licencës së CEZ. Nga ana e drejtuesve të METE dhe strukturave te tjera shtetërore nuk është vepruar në përputhje me rekomandimet e konsulentit Derains & Gharavi dhe Avokaturës së shtetit në lidhje me hapat që duhej të ndërmerreshin. Nga ana e Studios Avokatore Derains & Gharavi, të kontraktuar nga METE për përfaqësimin e Shtetit Shqiptar në procesin e arbitrazhit ndërkombëtar të iniciuar nga Shoqëria CEZ, është kërkuar një angazhim dhe veprim i shpejtë per;
a) caktimin e një ekspert ose shoqëri ekonomiko-financiare për përcaktimin e aseteve të të Licensuarit, për efekt arbitrazhi dhe shpronësimi njëherazi, në zbatim të Ligjit 9072 për sektorin e energjisë elektrike (pas heqjes së licencave Shoqërisë CEZ dhe vënien e Shoqërisë CEZ Shpërndarje ShA në administrim të përkohshëm), si dhe
b) për të caktuar një ekspert ose shoqëri për vlerësimin teknik të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike të Shqipërisë, që do t’i shërbente objektivit të paraqitjes së menjëhershme të padisë nga Shteti Shqiptar në kuadër të Marrëveshjes së Shitjes së Aksioneve, bazuar në procedurat e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (International Chamber of Commerce ose ICC).
Kjo kërkesë është ripërsëritur nga ana e konsulentit Z. Hamid Gharavi, me datë 22 Janar 2013, ku përcakton se:
-nga ana e shtetit duhet të fillohet puna për të mbledhur dokumentacionin e nevojshëm, per te kryer vlerësimin ligjor dhe financiar, ruajtja e provave, etj;
-duhet të procedohet me marrjen e aseteve të shoqërisë CEZ Shpërndarje Sh.a;
-ngritjen e një grupi të vogël pune, me përfaqësues të disa organeve shtetërore për të koordinuar dhe asistuar konsulentin me çështje të ndryshme.
Avokatura e Shtetit me shkresën nr. 526/29, datë 4.7.2013, kërkoi që të realizohej sa më shpejt procedura e vlerësimit teknik dhe financiar të shoqërisë CEZ Shpërndarje.

Gjithashtu me shkresën nr. 562/36, datë 1.8.2013, drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Avokatura e Shtetit ka parashtruar se METE nuk ka kryer akoma asnjë prej detyrave të përcaktuara të vlerësimit teknik dhe financiar të shoqërisë, procese të cilat duhet të bëheshin me qëllim realizimin e shpronësimit. Avokatura referon se këto veprime ishin rekomanduar nga konsulenti që më Dhjetor 2012, ndërkohë që çdo vonesë në fillimin e punës për vlerësimin teknik dhe financiar dhe shpronësimin përbën dëmtim të rëndë të çështjes. Kështu, megjithëse, me Vendimin nr. 137, datë 20.02.2013, Këshilli i Ministrave kishte vendosur alokimin e fondeve për angazhimin e një eksperti ekonomik dhe një eksperti teknik për vlerësimin e aseteve të CEZ Shpërndarje, vetëm më 4 shtator 2013, METE përzgjodhi shoqërinë BDO LLP, si dhe lidhi një kontratë me këtë shoqëri për kryerjen e shërbimit të parë. Përsa i përket shërbimit të dytë, METE, pasi kishte realizuar procedurën e prokurimit, ishte në procesin e hartimit të kontratës. Kjo kontratë u lidh më datë 25.11.2013.

Përveç sa më sipër, me letrën e datës 30 shtator 2013, konsulenti ligjor Derains & Gharavi shprehet se të drejtat dhe interesat e Republikës së Shqipërisë po vendosen në rrezik. Ai shprehet se dokumentacioni i pretendimeve të Shqipërisë nuk ishte i plotë dhe si e tillë ka sjellë pamundësinë e shqyrtimit të këtyre pretendimeve. Nga ana e konsulentit argumentohet se gjatë periudhës pas heqjes së licencës dhe administrimit të përkohshëm të CEZ Shpërndarje sh.a, nga ana e METE nuk ishte realizuar mbledhja dhe evidentimi i dokumenteve, nuk ishin realizuar konferencat telefonike për të mundësuar përcaktimin e të dhënave dhe materialeve të nevojshme për t’iu kundërvënë pretendimeve dhe për të provuar mospërmbushjet nga Shoqëria CEZ.

Grupi i Auditimit nuk gjeti praktika shkresore që të evidentohet se nga ana e drejtuesve të METE janë marrë masa për të kryer procedurat e shpronësimit, të cilat do jepnin një qartësi juridike të funksionimit të shoqërisë CEZ Shpërndarje, pas momentit të heqjes së licencave. Mos marrja e masave nga ana e drejtuesve të METE sidomos në periudhën Prill 2013 – Shtator 2013, kohë që përkon dhe me ndërprerjen e negociatave mes CEZ as dhe qeverisë shqiptare, lidhur me këtë konflikt, si në aspektin e vlerësimit të aseteve të shoqërisë CEZ Shpërndarje sha, ashtu dhe për fillimin e procedurave të shpronësimit të këtyre aksioneve kundrejt një shpërblimi të drejtë, si dhe mbledhjen e dokumentacionit provues, cenoi seriozisht pozitat e palës shqiptare në procesin e arbitrazhit të iniciuar nga pala çeke në 15 Maj 2013 dhe krijoi risk të lartë për përfundimin e këtij procesi. Për këtë përgjegjësi të drejtpërdrejtë mban Ministri Florjon Mima dhe zv.ministri i METE Enno Bozdo.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/12/Permbledhje-e-gjetjeve-te-raportit-te-auditit-Final.doc” viewer=”microsoft”]

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: