TIRANE – Pas kundërshtimeve të Senatit të Universitetit të Tiranës për pr/ligjin për arsimin e lartë, zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Arbjan Mazniku theksoi se ky draft-ligji është produkt i punës së një komisioni ekspertësh të pavarur, larg interesave politike, gjithëpërfshirës dhe profesional. në një deklaratë për mediat, zv/ministri tha se kjo nuk është një reformë privilegjesh, por një reformë për studentin dhe pridnërit e tyre.

DEKLARATA E PLOTE E MAZNIKUT
Projektligji për Arsimin e Lartë, që po diskutohet është produkt i një procesi unik gjatë gjithë historisë së arsimit të lartë, ardhur pas një konsultimi të gjatë me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit.
Draft-ligji është produkt i punës së një komisioni ekspertësh të pavarur, larg interesave politike, gjithpërfshirës dhe profesional.
Ne jemi të ndërgjegjshëm që si çdo reformë reale, që sjell ndryshime rrënjësore, ajo nuk mund të jetë një reformë 100% konsensuale.
Ndryshe nga pseudo reformat e të shkuarës, kjo nuk është një reformë e partisë në pushtet për partinë në universitet, nuk është reform e të zgjedhurve të politikës për të shkëmbyer privilegje me të zgjedhurit e trupës akademike.
Kjo është një reformë për studentin dhe për prindërit e tyre. Një reformë që synon t’i japë vlerë mundit, kohës, dhe financave të familjeve dhe taksapaguesve duke siguruar që Institucionet e arsimit të lartë të ofrojnë dije dhe cilësi. Kjo është padyshim reforma më e papolitizuar në këto 20 vjet, dhe çdo tentativë për ta ndryshuar këtë është mjerane.
Drafti sjell ndryshime rrënjësore të hapësirës së arsimit të lartë në vend, duke synuar rritjen e cilësisë dhe krijuar një balancë të re midis zgjerimit të autonomisë, mekanizmave të kontrollit të cilësisë, dhe përmbushjes së përgjegjësi kushtetuese për të drejtën për arsim.
Projektligji rrit ndjeshëm autonominë universitare në vend, duke deleguar kopetenca nga Ministria drejt vetë institucioneve, vendimarrjet e rëndësishme, mbi kuotat dhe kriteret e pranimit të studenëve, mbi numrin dhe pagat e stafit akademik, mbi tarifat e studimit dhe buxhetet e universiteteve.
Ky ligj është i pari kantier i autonomisë reale. Për ne autonomi nuk është vetëm e drejta për zgjedhur trupat akademikë. Autonomia në këtë ligj shtrihet në fushën e financimit, dhe organizimit të brendshëm dhe ajo vjen natyrshëm së bashku me përgjegjshmërinë për transparencë, llogaridhënie ndaj publikut dhe sigurim të standardeve të cilësisë.
Autonomia nuk është qëllim në vetvete por një instrument për të siguruar cilësinë, konkurrencën, meritën dhe transparencën.
Autonomia nuk nënkupton heqjen dorë nga transparenca dhe as nga përgjegjësia kushtetuese e Qeverisë për të siguruar qytetarët për arsimin, cilësinë e tij, financimin dhe institucionet ofruese.
Ministria e Arsimit falenderon të gjithë Institucionet e Arsimit të Lartë, që kanë përcjell tek ne vërejtjet e tyre për projektligjin. I sigurojmë ata që çdo vërejtje do të shihet me të njëjtin përkushtim dhe seriozitet që kemi dëgjuar çdo vërejtje gjatë gjithë këtij procesi. Madje në këto momente komisioni është mbledhur tashmë dhe po këqyr një nga një të gjitha vërejtjet e dërguara dhe po punojmë bashkërisht për detajet e fundit që janë objekt diskutimi, për t’a përmbyllur dhe jetësuar reformën.

SENATI KUNDER PR/LIGJIT
Senati i Universitetit të Tiranës ka dalë kundër projektligjit të ri të arsimit të lartë që i është dorëzuar ditët e fundit. Senati i UT-së ka ngritur shqetësimin se ky projektligj jo vetëm që nuk realizon autonominë universitare të përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, por e cenon. Rektori
Dhori Kule është shprehur se ky draft është kthim mbrapa dhe se e përkeqëson situatën e universiteteve si dhe i mungojnë kushtet më minimale që të konsiderohet projektligj. Ndërsa dekani i Fakultetit të Drejtësisë, i cili është anëtar i Senatit, Altin Shegani, tha se ky projektligj prek lirinë akademike, autonominë financiare por edhe mësimdhënien. Dhurata Shehri, anëtare e Senatit dhe shefe e Departamentit të Letërsisë, tha se ky draft, veç autonomisë akademike dhe financiare, prek edhe përfaqësimin e studentëve,
duke iu hequr të drejtën e përfaqësimit, të cilën e gëzojnë aktualisht me Ligjin e Arsimit të Lartë. Rekomandimet për draftin e ri të arsimit të lartë do t’i përcillen Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe komisionit të ngritur për hartimin e tij. Një nga nenet më të debatueshme ka qenë ai i krijimit të bordit, i cili do të merret me anën organizative të universiteteve. Sipas senatorëve të UT-së, kjo është e papranueshme, pasi denatyralizohen drejtuesit e arsimit të lartë.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb