Partia Komuniste kineze mbështeti Xi Jinping për udhëheqjen e vendit, duke i dhënë atij mandatin e tretë në pushtet.  Gjatë kongresit partiak, që nisi punimet para një jave, shumë zyrtarë kryesorë përfshirë kryeministrin Li Keqiang, u tërhoqën nga pozitat udhëheqëse, lëvizje që i jep Xi-së mundësinë që të emërojë aleat të rinj.

Por nga ana tjetër vëmendjen kanë tërhequr pamjet e ish-udhëheqësit të Kinës, Hu Jintao, të cilit i kërkohet të largohet nga salla në Kongresin e Partisë Komuniste në Pekin . Ky moment është bërë  bërë viral në rrjet ndërsa qytetarët përpiqen të kuptojnë se çfarë ka ndodhur.

Gjithashtu edhe BBC ka sjellë në vëmendje këtë skenë, e ndërsa shtrohen shumë pyetje, asnjë përgjigje nuk ka pasur deri më tani nga qeveria kineze.

Hu, 79 vjeç, dukej se nuk dëshironte të lëvizte. Nëse është kështu, pse?

Çfarë i tha ai njeriut që e zëvendësoi, Xi Jinping, gjë që shkaktoi një lëvizje me kokë nga udhëheqësi aktual i Kinës? Dhe çfarë i tha ai mbrojtësit të tij, Li Keqing, teksa e goditi në shpatull para se të dilte nga skena?

Dy janë arsyet për largimin e tij janë: Ose ishte pjesë e politikës së pushtetit të Kinës, me një lider që përfaqësonte një kohë të mëparshme që u largua simbolikisht, ose se Hu Jintao ka probleme serioze shëndetësore.

 

 

Në ditën e parë të Kongresit, një javë më parë, ai hyri vetëm me ndihmën e një zyrtari. Atë ditë, ai dukej mjaft i dobët.

Megjithatë, nëse ai u largua në fund për shkak të sëmundjes, pse ndodhi kjo kaq papritur? Pse para kamerave? Ishte një urgjencë?

Në pamjet e publikuara shihet Xi Jinping duke u kthyer nga ish-kryetari i partisë dhe gjithashtu, në të majtë të Hu, figurat e larta Li Zhanshu dhe Ëang Huning duken të shqetësuar.

Li madje u zhvendos për ta ndihmuar në një moment, por u tërhoq nga Ëang, si për të thënë, “Mos u përfshini në këtë”, shkruan BBC.

Pasi Hu Jintao u ngrit në këmbë, ai gjithashtu zgjati dorën për të marrë gabimisht shënimet e Xi.

Në këtë moment, ai u shfaq i hutuar. Udhëheqësi i Kinës i hoqi dorën Hu dhe mori përsëri shënimet.

Hu Jintao mori pjesë në seancën e mëparshme me dyer të mbyllura në ditën e fundit të Kongresit, më pas kamerat u lejuan të hynin në pjesën e fundit të ditës.

Pikërisht pasi ishin vendosur kamerat, zyrtarët iu afruan Hu dhe i treguan se duhej të shkonte.

Partia zakonisht nuk i transmeton këto gjëra në publik, ndaj mendohet se kjo mund të jetë një shfaqje e qëllimshme.

Hu Jintao përfaqëson një model shumë të ndryshëm për Kinën nga ai i Xi Jinping.

Ai drejtoi një udhëheqje shumë më kolektive dhe duhej të balanconte fraksionet e ndryshme të përfaqësuara në Komitetin e Përhershëm të Byrosë Politike.

Vitet kur Hu mbajti presidencën, midis 2003 dhe 2013, u panë si një periudhë e hapjes ndaj botës së jashtme dhe rritjes së tolerancës ndaj ideve të reja.

Lojërat Olimpike të Pekinit 2008 ishin kulmi i ekspozimit ndërkombëtar. Kompanitë e huaja po krijoheshin në Kinë, turistët “vërshonin”, interneti ishte më i lirë, mediat lokale filluan të bënin gazetari të denjë dhe reputacioni global i Kinës po përmirësohej vazhdimisht.

Ndërsa Xi Jinping e ka çuar vendin në një drejtim shumë të ndryshëm. Qeveria aktuale ka inkurajuar shpërthimin e ndjenjave nacionaliste.

Në vend të kësaj, mesazhi për liderët e tjerë ka qenë se “koha e Kinës ka ardhur”.

Ndër të tjera kujtojmë se Xi pritet që më 23 tetor të riemërohet si sekretar i përgjithshëm, pasi të takohet me anëtarët e rinj të komitetit partiak.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: