Përfaqësuesi i PS, Eridian Salianji, foli për procesin zgjedhor dhe problematikat e deritanishme.

Salianji tha se ka vetëm një problematikë në Shkodër, ku për shkak të motit të keq, nuk është hapur një qendër votimi.

Sa i përket pretendimeve të PD për Bashkinë Vorë, Salianji u shpreh se ato janë pretendime joligjore dhe jologjike, pasi ata e kishin të drejtën për të zgjedhur komisionerët e tyre dhe nuk e kanë bërë.

“Vetëm një problematikë në Shkodër, ku për shkak të motit nuk po hapet qendra e votimit. Kemi dhe një pretendim të ngritur nga PD, sa i përket Bashkisë Vorë. Unë e quaj pretendim joligjor dhe jologjik. Procesi vazhdon normalisht në Vorë, me 4 e 5 anëtarë, si dhe me 1 sekretar të emëruar nga KQZ. Sa i përket problemit, që është jo logjik, PD nuk ka gjetur anëtarë komisioni, gjë që nuk është shkelje e ligjit. Kjo problematikë e ka gjetur zgjidhjen nga KQZ e KAS, por bëj me dije se PD edhe në këto momente që flasim ka të drejtë të çojë komisionerët pranë Qendrave të Votimit. Nuk e di pse ka ardhur kjo mosparaqitje, për shkak të mos gjetjes së procesit, apo ndonjë shkak tjetër. Megjithatë neve na intereson procesi. Dua të sqaroj se i gjithë procesi në Vorë administrohet nga KQZ, pasi është votim elektronik. Ne do të shohim që për Bashkinë Vorë do të kemi rezultat shumë të shpejtë, pasi edhe numërimi do të bëhet elektronik.

Komisionet duhet të funksionojnë me kuorum dhe kuorumi është mbi 50% e anëtarëve, dhe jo kryetari. Është një proces absolutisht ligjor, që po zhvillohet në këto momente, edhe pse bëj me dije se PD edhe tani ka të drejtën t’i çojë komisionerët. Mosgjetja e komisionerëve nuk është problem i KQZ, por një problem i tyre, që do ta shohim pse ka ndodhur. Nëse ka pasur një shpërdorim të vetëm në këtë proces, ka qenë thirrja e Tabakut, e cila ka thyer heshtjen zgjedhore, duke bërë thirrje për votimin e kandidatëve të PD. Sa i përket kallëzimit nuk e di pse e kanë bërë, është alogjikë, ata kanë të drejtën të çojnë komisionerët. Bëjnë kallëzim për një të drejtë që e kanë vetë. Ne po mbledhim problematikat dhe në fund të procesit do t’i bëjmë publike”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb