KPK shkarkon nga detyra prokurorin e Shkodrës, Ermir Lelçi. Ai u u përball të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha shpjegime gjatë për burimet e një apartamenti që zotëron së bashku me të atin, për problemet e konstatuara në kriterin profesional dhe gjendjen në konflikt interesi. Ndërkohë, Lelçi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Problemet kryesore që u relatuan për kriterin e pasurisë kishin të bënin me një apartament me sipërfaqe 138 m2 të blerë në vitin 2007 në qytetin e Shkodrës, kundrejt çmimit 6.2 milionë lekë. Ai ka sqaruar në deklaratën veting se zotëron 33% të këtij apartamenti dhe babai 67%, sipas kontributit të secilit.  Si burime të kësaj pasurie subjekti ka deklaruar një kredi të marrë prej tij në shumën 2.1 milionë lekë dhe kursimet e babait nga vetëpunësimi në bujqësi e blegtori nga viti 1991 e në vijim.

KPK konstatoi se babai i subjektit ka investuar në blerjen e një apartamenti në qytetin e Shkodrës duke paguar pjesën më të madhe të çmimit, ndërkohë që vijon ende dhe sot të banojë në fshat. Gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se në vitin 2006 prokurori Lelçi ka lidhur kontratë kapari me shoqërinë ndërtuese dhe ka paguar në atë moment shumën 1 milion lekë.

Nga hetimi ka rezultuar se po në në vitin 2006, janë kryer në të njëjtën ditë dy pagesa të tjera, njëra në shumën 1 milion e 390 mijë lekë me mandat arkëtimi dhe tjetra në shumën 1.4 milion lekë me transfertë bankare nga babai i subjektit.

Duke përfshirë edhe pagesën e kësteve të tjera për apartamentin, Komisioni konstaton se vlera e përgjithshme e paguar, duke përfshirë edhe dy pagesat e kryer në një ditë në vitin 2006, kap shifrën 7 milionë e 590 mijë lekë.

Megjithëse raporti i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për profesionalizmin ka qenë pozitiv, Komisioni ka gjetur probleme në çështjet e denoncuara nga publiku, një pjesë e të cilave janë verifikuar dhe për shkak të shortimit rastësor.

Ermir Lelçi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si oficer i policisë gjyqësore. Ai ka punuar për një periudhë të shkurtër në Berat dhe prej vitit 2004 kur është emëruar si prokuror e ushtron funksionin në Shkodër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb