Ka nisur në KPA seanca ndaj prokurorit të Lezhës Erjon Shehaj, i cili do të përballet ditën e sotme me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në kuadër të procesit të Vettingut

Gazetarja Klodiana Lala raporton se Altin Dumani, drejtues i SPAK po paraqet pretendimet e tij.

Kreu i SPAK Dumani u ndal tek shtylla e aftësive profesionale dhe rendit dosjet e Shehajt që janë konstatuar me problematika.

“Subjekti nuk ka dhënë shpjegime bindëse për çështjet. Shkeljet e konstatuara janë kryesisht në kriterin profesional”, ka deklaruar Dumani.

Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga gjyqtarët: Sokol Çomo, kryesues, relatore Albana Shtylla dhe anëtare Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj. Shehaj e kaloi shkallën e parë të vettingut, edhe pse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi probleme me pasurinë dhe profesionalizimin.

Në seancën e parë dëgjimore prokurori Shehaj dha shpjegime dhe dorëzoi prova lidhur me mospërputhjet, pasaktësitë dhe mungesën e burimeve të ligjshme të huave të marra nga babai për blerjen e një apartamenti.

KPK gjeti po ashtu edhe probleme me profesionalizmin. Edhe pse raporti i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka qenë pozitiv për të, KPK ka evidentuar disa probleme në çështjet e hetuara nga prokurori Shehaj.

Ndërkohë që për një çështje të vitit 2017, rezulton se 2 persona janë dënuar dy herë për të njëjtat vepra penale.

Një tjetër çështje e prekur nga kreu i SPAK është ai i arrestimit të një personi që ishte kapur me hashash e lëndë plasëse. Dumani shprehet se Shehaj e ka dërguar çështjen për gjykim dhe personi është dënuar me 6 vite burg. Për këtë çështje janë kërkuar shpjegime nga ana e KPK dhe Shehaj ka dhënë shpjegimet e tij.

KPK ka thënë që për denoncimin nuk u gjetën indicie për të hetuar, por kolegji duhet të hetojë në këtë drejtim.

“Në këtë dosje nuk janë bërë hetime, ku e mori drogën personi, ku do ta çonte atë? A jemi përpara veprave penale të kryera në bashkëpunim? Ku e mori lëndën eksplozive? Vetë e montoi? Nëse e montoi vetë, duhet provuar. Personi kishte rrezikshmëri shoqërore dhe dënimi ishte i ulët”, ka deklaruar Dumani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb