TIRANE- Komisioni i Disiplinës në FSHF ka vendosur sot disa masa dhe gjoba ndaj klubeve të futbollit dhe lojtarëve lidhur me problemet disiplinore të konstatuara në ndeshjet e kategorive të ndryshme të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.

Komisioni pasi është njohur me relacionin e Sekretariatit Teknik ka vendosur që Klubi i Futbollit “Skënderbeu”, për sjellje të keqe të tifozerisë si dhe përdorimin e mjeteve ndezëse pa shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes, të dënohet me gjobë me vlerë 50.000 (pesëdhjetëmijë) lekë.

Po kështu është vendosur që Klubi i Futbollit “Kukësi” të dënohet me një ndeshje pa spektator në stadiumin përkatës, për hedhje të mjeteve ndezëse në fushën e lojës duke shkaktuar ndërprerjen e saj.

Komisioni i Disiplinës ka vendosur që Klubi i Futbollit “Pogradeci”, për
sjellje të keqe të tifozerisë së tij si dhe mos marrje masash organizative për mbarëvajtjen e ndeshjes me KF “Lushnja”, të dënohet me gjobë me vlerë 15.000 (pesëmbëdhjetëmijë) lekë.

Nuk kanë shpëtuar pa masa penalizuese edhe disa sportistë dhe trajnerë. Kështu komisioni ka vendosur që lojtari i KF “Skenderbeu”, Marko Radas, për sjellje të gabuar dhe pështymje ndaj lojtarit kundërshtar, të dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Lojtari e KF “Sopoti”, Shkëlqim Hajdari dhe lojtari i KF “Luftëtari”, Fejzo Shenaj, për sjellje jo sportive ndaj lojtarit kundërshtar, dënohet secili me 1 (një) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Trajneri i KF “Luftëtari”, Bledar Devolli, për protesta me gjeste ofenduese ndaj zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

(mi.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb