ENRIK MEHMETI*VLORE- Shkarkohet drejtori i Portit të Vlorës, Xhevahir Çeloaliaj, dhe në vend të tij emërohet, Edmond Leka. Ndryshimet janë përfolur që në fundjavë ndërkohë që janë konkretizuar mëngjesin e të hënës me një shkresë të Ministrisë së Transporteve mbërritur në portin e Vlorës, që njoftonte për këtë ndryshim.

Edhe pse nuk saktësohen motivet e këtij shkarkimi, drejtori i Portit u vu në qendër të akuzave të kompanisë “Red Star” për shkak se sipas tyre nuk po lejonte një konkurrencë të rregullt, duke ndërmarrë veprime arbitare ndaj kësaj kompanie.

Pak ditë më parë punonjësit e kësaj kompanie, u çuan protestua duke hedhur dhe akuza të drejtim të kreut të Portit për korrupsion, si dhe për favorizim të tragetit tjetër që kryen linjën Vlorë-Brindisi.
Përgjatë gjithë kësaj kohe mes kompanisë “Red Star” dhe ish-kreut të Portit tashmë, Xhevahir Çeloaliaj ka pasur tensione ku nga njëra anë kompania kërkonte respektimin e kontratës për t’u ankoruar dhe kryer transportin e udhëtarëve 5 ditë në javë, ndërkohë nga ana tjetër Porti i Vlorës nxori një tjetër grafik në të cilin tragetet duhet të ishin të alternuar. Një ditë ankorohej njëri e një ditë tjetri.

Ndaj këtij vendimi të Portit kompania “Red Star” bëri dhe një kallëzim penal ndaj Xhevahir Çeloaliaj. Ndërkohë, ndaj kësaj situate pati dhe një reagim të Ministrit të transporteve ku kërkohej nga ana e Portit të respektohej konkurrenca e lirë.

Pavarësisht këtyre kërkesave, situata në Portin e Vlorës ngeli e njëjta ku Vlora ishte me vetëm një traget në ditë. Pak ditë më parë Kompania “Red Star” fitoi të drejtën për zbatimin e kontratës nga ana e gjykatës administrative për të ardhur 5 ditë në javë, por edhe në këtë rast vendimi nuk u zbatua duke bërë që Përmbarimi të vendoste një gjobë në drejtim të kreut të portit.

Por një tjetër arsye e shkarkimit, që përflitet mund të ketë qenë dhe zona elektorale që ka mbuluar Çeloaliaj, e cila është Selenica ku kandidati i së Majtës Kasëm Cenaj ka humbur. Çeloaliaj është drejtuesi i partisë Socialiste të rrethit në Vlorë, ndërkohë që drejtori i ri Edmond Leka është kreu i Partisë Socialiste të qytetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb