TIRANE- Deputeti Mark Frroku, i cili u shtrua dje paradite në spitalin e burgut, pas komplikacioneve në zemër, pritet ti nënshtrohet sot ekzaminimeve mjekësore.

Kreu i PKD-së, i akuzuar për një vrasje në Belgjikë, do të transportohet sot nga spitali i burgut drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, përaktësisht në repartin e Kardiologjisë, për ekzaminime në zemër, përfshirë edhe EKG. Pas këtyre ekzaminimeve, do të jenë mjekët e QSUT-së ata që do vendosin nëse do ta mbajnë apo jo të shtruar deputetin.

Ndërkohë avokti i tij, Sajmir Vishaj ka deklaruar sot se po zhvillon tratativa me Drejtorinë e Burgjeve për transferimin e Frrokut në një spital privat, pasi rrezikon një infart.

“Mark Frroku në prag të një infarkti. Duhet ndërhyrje e specializuar në zemër. Jemi në tratativa me Drejtorinë e Burgjeve për transferim. Duhet trajtim në një spital privat për Mark Frrokun”, tha ai.

Mësohet se Frroku pritej të merrej në pyetje nga Prokuroria gjatë kësaj jave kishte, por ai ndodhet në spitalin e burgut dhe me shumë gjasa dyshohet se do të transferohet në një spital privat në kryeqytet.

Drejtësia belge e akuzon Frrokun për vrasjen e shqiptarit Aleksandër Kurti në vitin 1999, në Bruksel si dhe shfrytëzim prostitucioni. Ndërsa autoritetet shqiptare, veç inskenimit të atentatit me deputetin Doshi, kanë depozituar kallëzim penal ndaj deputetit edhe për 4 vepra të tjera penale të “Refuzim për deklarim pasurie”, “Deklarim i rremë pasurie”, “Fshehje pasurie” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”. Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një pasuri prej rreth 3 milionë dollarësh e deputetit Frroku, e përbërë nga para cash si dhe pasuri e patundshme apo edhe biznese.

Sipas dokumentave të autoriteteve belge thuhet se Frroku është hetuar edhe në Itali për shfrytëzim të prostitutave. Po ashtu referuar po të njëjtit dokument të autoriteteve belge nënvizohet se deputeti në dhjetor të 2002 është dënuar nga gjykata e Amsterdamit me 3 vite burg për trafik droge. Pas dënimit në Amsterdam Frroku është ekstraduar në vitin 2004 në Belgjikë nën masën e sigurisë së arrestit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: