Barazimi 1-1 i Tiranës me Egnatian nuk shqetëson shumë një emër të njohur të historisë së klubit bardheblu si Ardian Mema. Sipas tij, skuadra ka ende gjëra për të korrigjuar por është në rrugën e duhur.

Në “Sport News Plus” ai theksoi se telashi më i madh për momentin është zhbilancimi momental i ekipit, si dhe fusha në “Selman Stërmasi” që nuk lejon lojtarët të shprehen në maksimum.

“Në tërësinë e vet Tirana nuk është se luajti keq, por ka një problem që është fusha, është problem kryesor për Tiranën. Por ta shihje me Egnatian ka diferencë në cilësi, mendoj se e kontrolloi gjithë kohës, vetëm një moment ishte Egnatia që i bëri presing dhe kishte probleme Tirana sidomos në lëvizshmërinë e tre mesfushorëve që të ndërronte lojën. Pastaj loja foli për Tiranën.

Xhixha për mua është goditje e mirë në merkato se di të luajë një kundër një, kap thellësi, lexon mirë zonat. Duke kaluar loja, lojtarët filluan të lëviznin mirë. Nuk pashë entuziazmin e Ngoo, që kishte në ndeshjen e parë, m’u duk më i ngurtë, jo i lirshëm.

Por gjithsesi Tiranën nuk e ndihmoi fati, kishte edhe 2-3 momente të Egnatias se nuk e kuptova se si sulmon gjithë ekipi e lë hapësira pas. Goli i Egnatias, po ta shohësh, ishte një gol që mes katër lojtarëve merr topin dhe shënon.

Aty presioni që i bëhet lojtarit kundërshtar është direkt, nuk ka kohë të shkojë e godasë, se nuk të lë njeri në zonat e rrezikshme. Aty nuk e kuptova në 2-3 momente se sado mirë të luash varet nga 2-3 momentet e gabime që mund të bësh. Ajo i jep krah e i jep dorë kundërshtarit.

Pastaj një klub të bëjë merkato të fortë e të mos ketë një fushë që lojtarët të shprehen…Ne e dimë shumë mirë që fusha e keqe barazon të mirin me të dobëtin. Në fund, mungon një penallti për Tiranës. Ngoo u ndal në mënyrë të parregullt. Nuk e kuptova pse VAR nuk e sinjalizoi, qoftë edhe pas 1 minute”, tha Mema.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb