Mjeku shqiptar që shërben prej vitesh në Lodi të Italisë, Alban Beltoja, foli në një lidhje me “Skype” për News24 për rritjen e shifrave nga koronavirusi në vendin fqinj, duke thënë se diferenca nga muaji mars është se në atë kohë këto shifra ishin vetëm në Lombardi, ndërsa tani janë në të gjithë Italinë.

Sipas tij, në këtë valë të dytë të virusit të rëndë më e rrezikuar është pjesa jugore e Italisë, pasi në veri shifrat janë më të vogla dhe kjo zonë është në një valë të sheshtë të pandemisë.

“E vetmja diferencë që kemi nga marsi është se këto numra, që në dukje janë të mëdhenj, janë në të gjithë Italinë, ndërsa më parë ishin vetëm në Lodi. Në këtë moment regjionet e jugut janë më në vështirësi, ndërsa në veri situata është pak a shumë kritike, por jo në një gjendje që të çojë drejt kolapsit. Është realizuar plani i rritjes së kapaciteteve, në mënyrë që të lejohet asistenca e të sëmurëve me Covid, por jo të hiqet asistenca e të atyre me sëmundje të tjera. Sa i përket Lodit, ku unë po punoj, reanimacioni është gati plot. Të sëmurët e Lodit që vijnë në reanimacion vijnë shumë pak, më shumë janë të ardhur nga spitalet e Milanos, pasi numrat më të mëdha janë atje. Ne jemi në një fazë të sheshtë, ku shumë pak shtrohen në repartet Covid”, tha mjeku Beltoja.

Të gjithë ata që keni në reanimacion janë të konfirmuar me Covid?
Po. Ata që vijnë janë të gjithë të konfirmuar me tamponë, të gjithë pozitivë. Numrat nuk janë ato të marsit. Nëse në mars kemi përdorur dy spitale, tani kemi vetëm tre reparte që janë në dispozicion të të sëmurëve me Covid, ku shumica na vijnë nga Milano. Është jashtë çdo dyshimi që këta të shtruar të mos jenë me Covid. Është gjëja më e natyrshme që një person të arrijë në spital me shenjat e Covid dhe të jetë i infektuar. Pas 26-48 orë me temperaturë është e sigurt që tamponi nxjerr pozitivitetin. Këtu përdoren testet e shpejta nga struktura të posaçme të vendosura në rrugë, që iu bëhet qytetarëve në makinë, dhe në momentin që ata dalin pozitivë, bëhet test tjetër. Deri më tani gati 90% e atyre që kanë vdekur është parë që shkaku kryesor ka qenë nga koronavirusi. Më pak e 1% e viktimave janë nën 50 vjeç, shumica janë mbi këtë moshë dhe me sëmundje shoqëruese. Pra, ata kanë pasur komplikacione nga sëmundjet e tjera, por që ky komplikacion ka ardhur si pasojë e Covid. Kjo gjë reflektohet edhe në kartelën e pacientit. Intubimi është një fazë shumë shumë e vonshme e pacientëve. Gjëja më kryesore është që njerëzit të mbrohen sa më shumë, duke respektuar masat, dhe nëse sëmuren, të merren sa më shpejt nën kujdes dhe të nisë trajtimi i duhur.

Debati për fshehjen e numrit të viktimave…
Covidi është një problem shëndetësor dhe si i tillë duhet të menaxhohet nga sistemi shëndetësor. Politika duhet të bëjë ç’është e mundur t’i përkrahë ata. Deri në fund të prillit kishin deri te 30 mijë vdekje, por sipas Instatit italian ishin më shumë vdekje. Mund të ndodhë që edhe një i sëmurë me Covid nuk është diagnostikuar si i tillë për shumë arsye, edhe pse arrinte shumë vonë në spital, kur virusi nuk ishte më në trup, por për efektet që i kishte dhënë. Ndodh që mos të ketë rakordim të numrave. Kjo është një gjë normale.

Do të ketë Italia masa më të forta shtrënguese?
Këtë nuk e di akoma. Masat e deritanishme duket që po japin efektin e tyre. Po shihet një ulje e ritmit të shtrimit në spital dhe terapi intensive, që do të thotë se masat po japin efektivitet. Problemi kryesor është gjithmonë te numrat, nëse do të keni shumë të sëmurë njëkohësisht që i drejtohen spitalit. Është shumë e rëndësishme që popullata të kuptojë se ka në dorë fatin e vet. Nëse duan që ky numër i të sëmurëve të ulet, duhet të mbajnë maskën, distancën, duke evituar grumbullimet, brenda dhe jashtë. Ka ardhur koha që kjo të bëhet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb