Prej 1 shtatorit, rreth 23 mijë maturantë që aplikuan në universitetet publike e private gjatë raundit të parë, do të kenë mundësinë të verifikojnë nëse janë shpallur fitues në degët e parapëlqyera.

Aktualisht vetë ekspertët në universitete po procesojnë të dhënat e çdo maturanti për të vijuar më tej me rankimin e tyre në bazë të pikëve të grumbulluara për çdo program studimi. Kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj tregon procedurën që duhet të ndjekin maturantët gjatë 7 fazave 48 orëshe.

Ashtu si vitin e kaluar, maturantët kanë të drejtë të çregjistrohen nga një program studimi dhe të rifuten sërish në garë për raundin e dytë të aplikimeve në universitete. Ata duhet të bëjnë kujdes dhe të kontrollojnë vazhdimisht lëvizjen e vijës së kuqe në listat paraprake të fituesve.

Kreu i RASH thotë se shkencat ekonomike, ato mjekësore dhe teknologjia e informacionit janë ndër programet më të parapëlqyera të maturantëve, ndërkohë që një interes të lartë ka pasur edhe për degët e mësuesisë. Mundësinë e studimit në universitete do ta kenë edhe nxënësit me mesatarë nën 6.5 të cilët mund të garojnë për degët dy vjeçare me karakter profesional.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb