Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës Dmytro Kuleba u bëri thirrje vendeve të NATO-s që të marrin vendime për nisjen e linjave të prodhimit dhe furnizimeve me armë në Ukrainë më shpejt

Duke folur me gazetarët në Bukuresht, kryediplomati i Ukrainës vuri në dukje se herën e fundit që ishte ftuar në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s, ai erdhi me tre fjalë: “Armë, armë, armë”. “Sot kam tre fjalë të tjera: “Më shpejt, më shpejt, më shpejt”. Ne e vlerësojmë atë që është bërë, por lufta vazhdon. Ne dëshmuam se mund ta mposhtim Rusinë, se mund të fitojmë së bashku për hir të gjithë hapësirës euroatlantike dhe botës”, tha ministri.

Në këtë kontekst, Kuleba theksoi se vendet perëndimore duhet të marrin vendime për armët, për nisjen e linjave të reja të prodhimit të armëve më shpejt dhe furnizimi i tyre duhet të bëhet më shpejt. Sipas tij, kjo është ajo që ministrat e NATO-s dhe Ukrainës diskutuan sot: si të shpejtohen gjërat.

Kuleba shprehu gjithashtu besimin se ky do të jetë takimi i parë i ministrave të NATO-s ku çështja e sigurisë energjetike do të jetë po aq e rëndësishme sa çështja e mbrojtjes. “Po, transformatorët, gjeneratorët dhe pajisjet e tjera janë shumë të rëndësishme. Në këtë kontekst, paketa gjithëpërfshirëse e ndihmës, e cila po trajtohet nga NATO dhe koordinohet nga Sekretari i Përgjithshëm, luan një rol shumë të rëndësishëm.”

Ukraina ka nevojë për sisteme të mbrojtjes ajrore: IRIS, Hawk, Patriot, si dhe transformatorë, tha ministri.

“Kur të kemi transformatorë dhe gjeneratorë, ne mund të rivendosim sistemin tonë energjetik dhe t’u ofrojmë njerëzve kushte të mira të cilat Putini po përpiqet t’ua heqë atyre. Kur të kemi sisteme të mbrojtjes ajrore, ne do të jemi në gjendje ta mbrojmë këtë infrastrukturë nga raketa e ardhshme ruse, të cilat me siguri do të vijnë. Për fat të keq, ky është një realitet për të cilin duhet të përgatitemi”, shpjegoi ministri i Jashtëm.

Siç është raportuar, Bukureshti pret Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s në 29-30 nëntor. Dmytro Kuleba dhe kolegët e tij të huaj do të diskutojnë ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën dhe restaurimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Ministri zhvillon edhe një sërë takimesh dypalëshe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb