NGA: Brikena Metaj
PERMET-
E njohur për traditën e vet kulinare Përmeti numëron sot një numër jo të vogël kantinash të prodhimit të verërave për tregun vendas dhe atë të huaj. Veçanti e tyre është mbështetja në traditën vendase, por këto kantina përballen sot me vështirësi të shumta në ecurinë e këtij biznesi ku ndër më kryesoret renditet sasia e lëndës së parë dhe përmirësimi i teknologjisë prodhuese. Prodhuesit pohojnë se aktualisht blihet i gjithë prodhimi i fermerëve të rrethit të Përmetit, por kjo sasi e lëndës së parë nuk arrin të mbulojë kërkesat e të shtatë kantinave që operojnë në këtë rreth dhe në kushtet kur kërkohen rezerva edhe për muajt e tjerë të vitit.

Situata duket më shqetësuese nga viti në vit për shkak të rënies së kultivimit të rrushit dhe zhdukjen e ngadaltë të kësaj tradite, por edhe mungesës së subvencionimeve. Kjo ecuri e kultivimit dhe prodhimit të rrushit rrezikon që kantinat të mbeten pa lëndë të parë dhe të shohin si zgjidhje të vetme importimin nga vendet fqinjë.

Nevoja për subvencionimin nga shteti për përmirësimin e teknologjisë duket se është një tjetër kërkesë e kantinave të verës. Sipas prodhuesve kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë. Verërat e importit janë një konkurrence e madhe për tregun vendas pasi mungesa e subvencionimit të fermerëve rrit edhe çmimin e lëndës së parë krahasuar me vendet fqinje. Nga ana tjetër industria e prodhimit të verërave në Shqipëri është ende larg standardeve të duhura, ndërkohë që mungojnë planet konkrete për promovimin dhe mbështetjen e kësaj industrie dhe markës “Made in Albania”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: