Fermerët e Leshnicës, një zonë e mirënjohur për vreshtarinë në Pogradec, falë mbështetjes së përfituar nga skemat e AZHBR-së, si dhe vizionit të tyre, kanë modernizuar teknologjinë dhe kanë orientuar prodhimet drejt kërkesave të tregut vendas dhe atij të huaj.

Një prej kantinave të njohura në zonë, të cilën e vizitoi sot Kryeministri Edi Rama, përveç prodhimit të bollshëm të verës me standard të lartë, ka marrë përsipër që hapësirën përreth fabrikës ta kthejë në një vend ekspozimi dhe promovimi të prodhimeve vendase për komunitetin.

“Nga mbështetja e AZHBR-së planifikuam një proces teknologjik, i cili të jetë model dhe t’i shërbejë kohës. Dje na ka ardhur ngarkesa e parë e pajisjeve. Ne mendojmë që të prodhojmë produkte elitare me teknologji të përparuar”, – shprehet sipërmarrësi, i cili njohuritë e tij i ka vënë në dispozicion të fermerëve, për t’i përditësuar me të rejat më të fundit të fushës së vreshtarisë.

“Kjo është një zonë vreshtarie që ka rreth 100 hektarë. Ne kemi bërë një takim paraprak me fermerët për ta orientuar vreshtarinë kundrejt atyre varieteteve që i shërbejnë industrisë. Kapaciteti është 300 mijë shishe në vit. Kemi dizenjuar një shesh të madh që ta bëjmë si një vend ku në të ardhmen dhe fermerët e zonës të ekspozojnë produktet e tyre, për ta bërë komplementar. Ky është një komunitet shumë punëtor, të cilët kanë traditat e tyre të kulinarisë, të produkteve të thata, etj. Mendojmë që do të dalë diçka e bukur dhe funksionale” – vijoi më tej ai.

Kryeministri vlerësoi përpjekjen e tyre për kalimin nga bujqësia e mbijetesës në bujqësinë e sipërmarrjes. “Do të jetë çlirim i madh për të gjithë zonën. Ne do t’ju mbështesim me sa kemi mundësi. Vizioni është i qartë. Jam i bindur që brenda një kohe të shkurtër këtu do të bëhet një destinacion”, – u shpreh Rama.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb