Prodhuesi hungarez i pajisjeve mjekësore Medicor do të investojë 2 milionë euro për prodhimin e inkubatorëve në kryeqytetin turk Ankara.

“Investimi në fjalë është një pasqyrim konkret i besimit të miqve tanë hungarezë në potencialin ekonomik dhe stabilitetin politik të Turqisë”, tha ministri turk i Teknologjisë dhe Industrisë, Mustafa Varank, në një konferencë shtypi të zhvilluar së bashku me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto.

Ky është investimi i parë i drejtpërdrejtë i Hungarisë në Turqi në fushën e industrisë mjekësore, nënvizoi Varank.

Ai vuri në dukje se inkubatorët e prodhuar në fabrikën turke do të shiten në Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, duke gjeneruar një vlerë të shtuar për Turqinë.

“Ky investim është një nga hapat e parë për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar midis Turqisë dhe Hungarisë, i cili ka një potencial të madh”, tha Varank.

Ai theksoi se vëllimi i tregtisë dypalëshe u rrit më shumë se shtatë herë në 2,7 miliardë dollarë nga 356 milionë dollarë sa ishte në vitin 2001.

Fabrika e re pritet të fillojë prodhimin deri në gjysmën e parë të vitit 2022.

Pas takimit në qershorin e kaluar në Ankara, Varank dhe Szijjarto kishin rënë dakord rreth zgjerimit të bashkëpunimit në industrinë mjekësore midis Turqisë dhe Hungarisë.

Në përputhje me këtë, në tryezën e rrumbullakët të sektorit mjekësor të mbajtur më 11 nëntor, 2020, kompanitë nga të dy vendet diskutuan mundësitë dypalëshe të biznesit.

Themeluar në vitin 1963, Medicor është një nga prodhuesit më të mëdhenj dhe më të vjetër të pajisjeve mjekësore në Hungari.

Produktet e kujdesit neonatal të kompanisë eksportohen në më shumë se 100 vende, duke përfshirë Rusinë, Jordaninë dhe vendet afrikane.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb