Kryeredaktori i “Gazeta Shqiptare” Erl Murati, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, komentoi zgjedhjet parlamentare në Serbi, ndërsa sqaroi pse ato kishin rëndësi edhe për Tiranën.

“Në këndvështrimin tonë si shqiptarë, interesi ynë është se aty jetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, proceset politike në Serbi ndikojnë në jetën e tyre. Nga ana tjetër ka rëndësi se jemi në mes të dialogut mes Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve për këtë pra ka interes ky proces zgjedhor edhe në Tiranë. Pra kemi të bëjmë me ngjarje që afektojnë jetën edhe këtu. Blloku opozitar atje bojkotoi. Lajmi i mirë është që forcat shqiptare nuk përfaqësohen më me 1, por me 2, 3 ose 4 deputetë. Pra rritet numri i deputetëve shqiptarë në Serbi. Një lajm i mirë jo vetëm për shqiptarët por edhe për gjithë Ballkanin është mbetja jashtë Parlamentit e ultranacionalistit Voislav Sheshel, i dënuar edhe për krime lufte. Nga OSBE këto zgjedhje patën kritika, u cilësuan si zgjedhje të çala, për shkak se mungoi edhe opozita.

Presidenti Vuçiç doli nga ky proces më i fortë, nuk u paragjykua si lider autokrat. Ishte proces atipik, por një situatë të tillë e kemi parë edhe në Shqipëri. Në sytë e partnerëve ndërkombëtarë kjo gjë nuk përbën problem”,- tha Murati.

Sa për takimin që pritet të mbahet në Washington, mes Kosovës e Serbisë, gazetari u shpreh se Serbia shkon disi më e unifikuar.

“Në takimin e 27 qershorit edhe pse ka bërë zgjedhje monopartiake Vuçiç ka një farë avantazhi. Ai ka arritur ta unifikojë qëndrimin me të tjerët, me krahët e tjerë politikë, pra kur bëhet fjalë për çështjen kombëtare serbët kanë qëndrim të unifikuar. Ndërsa në Kosovë nuk gjen dot dy politikanë që të kenë të njëjtin qëndrim për çështjet e politikës së jashtme. Kështu ndodh edhe në Shqipëri. Qëndrimi i Prishtinës ka qenë pak refraktar, po të kemi parasysh qëndrimin e Thaçit, nuk është e hijshme që një individ si Presidenti të shpërfillë të dërguarin e BE.

Ajo që dimë ne është që në Washington do diskutohet për çështje ekonomike. Mediat kryesore kanë arritur ta zbërthejnë takimin. Nga qëndrimi i deritanishëm e Grenell, kuptojmë që nuk është një plus apo një fitore për shqiptarët e Kosovës. Problemin kryesor këto dy shtete e kanë politik, ndërsa këta duan ta heqin sikur është ekonomik”,- vijoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb