Qëllimi i edukimit ekonomik është të përmirësojë kuptimin tonë të botës dhe mjedisit ekonomik në të cilën ne jetojmë. Pa këtë kuptim, ne si qytetarë jemi shpesh të hutuar dhe të paaftë për të identifikuar, analizuar dhe interpretuar me sukses aspektet e ndryshme të jetës ekonomike, të cilat janë aq të shumta rreth nesh dhe ndikojnë tek ne në mënyra të ndryshme. Ne një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, prof assoc. Dr. Stefan Qirici, ekspert ekonomie e njëkohësisht pedagog në universitetin “Luarasi” tregon rëndësinë e edukimit ekonomik dhe format që mund të përdoren për t’u dhënë informacionin e duhur qytetarëve. Sipas tij, aspektet e jetës ekonomike në disa raste janë të thjeshta dhe nuk kërkojnë të zotërosh shumë njohuri, përveç njohurive bazë të funksionimit të ekonomisë, por në disa raste të tjera janë të ndërlikuara dhe kërkojnë të zotërosh njohuri ekonomike të specializuara.

Pse është i nevojshëm edukimi ekonomik në një shoqëri?
Edukimi ekonomik është vital për ecurinë e ardhshme të ekonomisë së vendit. Prandaj mendoj se është imperative, është domosdoshmëri që të promovojmë edukimin ekonomik të qytetarëve tanë dhe të shpjegojmë në veçanti se pse njohuritë bazë ekonomike duhet t’i përvetësojë çdo anëtar i shoqërisë. Ky aspekt bëhet akoma më i domosdoshëm në kushtet e transformimeve të mëdha dhe zhvillimeve komplekse ekonomike dhe politike që kanë ndodhur dhe po ndodhin gjatë periudhës së tranzicionit në vendin tonë nga një sistem diktatorial në demokraci, nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut, të cilit edhe pse kanë kaluar 28 vite nuk po i duket fundi. Edukimi ekonomik i popullsisë, i qytetarëve të vendit, është jetik për zhvillimet aktuale dhe zhvillimet e ardhshme të ekonomisë së vendit tonë.

Si mund të realizohet ky edukim?
Edukimi ekonomik i qytetarëve mund të realizohet në forma dhe metoda të ndryshme. Edukimi ekonomik, fillon që në bankat e shkollës, me programe dhe lëndë të veçanta, edukimi ekonomik i specializuar thellohet në shkollat e larta universitare. Edukimi ekonomik mund të realizohet edhe nëpërmjet trajnimeve dhe ritrajnimeve të vazhdueshme në vendin e punës. Në këtë këndvështrim edukimi ekonomik është dhe duhet të jetë aspekt i të mësuarit gjatë gjithë jetës. Edhe media e shkruar apo e folur ka dhe luan një rol shumë të madh në këtë fushë, e cila sipas mendimit tim nuk po e luan si duhet këtë rol kaq të rëndësishëm në edukimin ekonomi të qytetarëve. Në tërë këtë periudhë tranzicioni, edhe sot e kësaj dite, fatkeqësisht mbisunduse në mediat tona mbetet kronika e zezë, lajmet dhe pasqyrimi i veprimtarive të politikës, shkrimet në “Facebook” apo “Twitter” të politikaneve, kronikat rozë të të ashtuquajturve “vipa”, a thua se tërë bota vërtitet dhe rreth këtyre dukurive dhe se mirëqenia jonë përmirësohet prej këtyre lajmeve!

Sipas mendimit tuaj pse edukimi ekonomik konsiderohet si një investim i vlefshëm?
Parë në këtë aspekt, në të gjithë format e realizimit të tij, edukimi ekonomik u jep anëtarëve të shoqërisë, qytetarëve të vendit, njohuritë e domosdoshme për të qenë qytetarë aktivë në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore të vendit. Ai i fuqizon qytetarët, duke i bërë ata më aktivë, më pjesëmarrës në diskutime dhe debate ekonomike, më të vetëdijshëm për veprimet që kryejnë dhe për përgjegjësitë që marrin, duke u dhënë atyre njohuri dhe mjete për të përmirësuar mirëqenien e tyre ekonomike. Eshtë kjo arsyeja që edukimi ekonomik i qytetarëve, nga ky kënd vështrimi, duhet të konsiderohet si një nga investimet më të vlefshme që mund të bëjmë për të realizuar dy objektiva kryesore: së pari, nga këndvështrimi shoqëror, për të zhvilluar, forcuar ekonominë e vendit tonë dhe për të garantuar qëndrueshmërinë, rritjen graduale dhe ardhmërinë e saj dhe së dyti, nga këndvështrimi individual, për të garantuar dhe rritur nivelin e mirëqenies të anëtarëve të shoqërisë.

Sa ndikim ka ky proces në zhvillimin e një shteti demokratik?
Objektivi kryesor i edukimit ekonomik të qytetarëve është që të krijojë të formojë atë qytetar, i cili merr pjesë aktive dhe angazhohet i vetëdijshëm në të gjitha proceset demokratike të jetës së vendit. Në një nivel konceptual, këta qytetarë të tillë janë të informuar për çështjet ekonomike, politike shoqërore dhe kuptojnë ekuilibrin midis interesave të tyre individuale dhe të shoqërisë apo të mirës së përbashkët. Praktikisht, ata, gjithashtu, demonstrojnë pjesëmarrjen aktive të përditshme në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore duke kontribuar në të mirën e komunitetet dhe shoqërisë së tyre duke vlerësuar dhe respektuar të drejtat dhe detyrat e veta gjithashtu edhe të të tjerëve.

Në gjithë këtë “lumë” informacioni, sa mund të përfitojë shoqëria dhe a duhet të ketë një përzgjedhje të këtij informacioni?
Duhet të theksojmë se njohuritë për një qëllim të caktuar (për shembull njohuritë ekonomike) dhe jo masa e madhe e informacionit është komponenti kyç që kontribuon në formimin e qytetarit të angazhuar. Për sa i përket masës së informacionit ai derdhet si lume çdo ditë nga mediat tona por, pyetja shtrohet a është ai informacion në sasi dhe në cilësi që na duhet dhe që i shërben një qëllimi të caktuar nga i cili përfiton individi dhe shoqëria? Qytetarët që nuk zotërojnë as njohuritë më elementare se si funksionon ekonomisë, si është ndërtuar dhe funksionon struktura apo sistemi politik i shoqërisë kanë më pak gjasa të jenë të angazhuar në mënyrë aktive, por nga ana tjetër ata janë më lehtë të manipulueshëm nga forca të caktuara të çfarëdo lloji. Si të tillë ata janë turma të verbra, janë si fije bari që lëkunden dhe shkojnë andej nga fryn era!

Megjithatë, përvoja ideale edukative qytetare nuk është thjesht një transferim i njohurive se në rastin nga mësuesi tek nxënësi. Për të prodhuar qytetarë të angazhuar në mënyrë aktive, edukimi qytetar duhet, gjithashtu, të nxisë zhvillimin dhe përdorimin e aftësive të angazhimit qytetar. Këto përfshijnë aftësi intelektuale të tilla si të menduarit kritik dhe zgjidhja e problemeve, si dhe aftësitë pjesëmarrëse të tilla si diskutimi rreth çështjeve publike, komunikimi me grupe të ndryshme njerëzish si dhe pjesëmarrje dhe ndikim në hartimin e politikave. Edukimi qytetar duhet të sigurojë një kontekst të strukturuar për të stimuluar dhe për të nxitur në vazhdimësi këto aftësi.

Duhet të theksojmë se, qytetari i edukuar i angazhuar në mënyrë aktive në demokraci duhet të zotërojë disa vlera të mbajtura dhe të ruajtura me sinqeritet. Vlera të tilla janë e qëndrimi tolerant, ndershmëria, përgjegjësia, transparenca, respekti dhe të tjera tipare të ngjashme. Pa zotëruar këto vlera të tilla as Kushtetuta, as institucionet, as ligjet as institucionet më të mira nuk mund të sjellin një demokraci të qëndrueshme dhe të konsoliduar.

Përvoja edukative qytetare nuk duhet të mësojë vetëm për këto vlera, por, gjithashtu, duhet t’i demonstrojë ato në mënyrë aktive përmes një mjedisi demokratike të ndërtuar me kujdes. Edukimi i efektshëm qytetar, pra, mëson në mënyrë eksplicite, të drejtpërdrejtë, njohuritë, shkathtësitë dhe vlerat që besohen të nevojshme dhe të domosdoshme për qytetari demokratike.

Profesor, cilat janë disa nga zgjidhjet që ju ofroni për zhvillimin e një shoqërie demokratike?
Theksojmë se njohja e institucioneve dhe parimeve demokratike dhe aftësitë për të marrë pjesë aktive në një demokraci janë dy elemente të qartësisht të dallueshme nga njëri-tjetri. Në raportet midis tyre më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet zhvillimit të aftësive të qytetarëve për pjesëmarrje aktive në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore të vendit, por kjo nuk do të thotë se njohja e institucioneve dhe parimeve demokratike të ndërtimit dhe zhvillimit të shoqërisë janë më pak të rëndësishme. Për ta bërë këtë, duhet që në vend të krijojmë një mjedis demokratike bashkëpunues që u krijon mundësi qytetarëve që të praktikojnë dhe të shpalosin plotësisht aftësitë e nevojshme për pjesëmarrje demokratike në shoqëri.

Eshtë e lehtë të kundërshtosh, të braktisësh parlamentin, të bësh indiferentin, të mos marrësh pjesë në debat, të mos japësh alternativa të mendimit, të mos respektosh mendimin e tjetrit, të imponosh qëndrime dhe mendime. Kjo mënyrë sjelljeje qytetarie nuk na duhet, nuk ka asnjë vlerë pozitive për një shoqërie demokratike.

Në vend të kundërshtimit të ofrojmë bashkëpunimin, në vend të braktisjes duhet pjesëmarrja aktive me alternativa zhvillimore, në vend të indiferentit dhe mospjesëmarrjes në debat duhet angazhim total, qëndrim kritik dhe pjesëmarrje me ide te reja ne debat, duhet respekt për mendimin e tjetrit, tolerancë dhe transparencë në qëndrime dhe ne mendime. Këto vlera duhet t’i edukojmë t’i ruajmë e zhvillojmë në shoqërinë demokratike që po ndërtojmë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb