TIRANE- Në komisionin e Shëndetësisë, Deputeti i LSI-së, Petrit Vasili ka kundërshtuar ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore të profesioneve të lira, pikërisht nivelin e pagesës maksimale prej 97 mijë lekësh në muaj, duke shkuar në një linjë me grupet e interesit.

“Të mbahen si referencë pagat në shtet. Pse bëjmë një diskriminim të tillë?”, tha Vasili gjatë fjalës së tij.

Përfaqësuesi i ISSH-së në komision, Ali Emini tha se paga maksimale është caktuar nga qeveria dhe se kontributet do të paguhen në bazë të të ardhurave. “Kontributi do ketë referencë sektorin publik. Paga minimale dhe maksimale e përcaktuar me VKM”,- shtoi ai.

Janë 17 profesione të lira aktualisht, si farmacistët, dentistët, noterët, avokatët, arkitektët, inxhinierët, ekspertët kontabël etj. Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes për tatimpaguesit e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale.

Një i vetëpunësuar paguan kontribute për sigurimin shëndetësor, me normën prej 3,4%, bazuar në dyfishin e pagës minimale që është 44 000 lekë, si dhe paguan kontribut shoqëror mbi pagën minimale, me normën prej 23%. Dhoma e Avokatisë dhe dentistët kanë kundërshtuar vendosjen e detyrimit për të paguar kontributet mbi bazën e pagës maksimale prej 97 mijë lekësh në muaj.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: