Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka deklaruar se profesionet e lira janë në rrezik.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku shkruan se ndërkohë që vijon beteja për të rrëzuar Ligjin e Tatimit të Profesionistëve të lirë, Drejtoria e Tatimeve ka nisur një udhëzim që i detyron profesionistët e lirë të paguajnë deri në 50% të fitimit.

Postimi i plotë:

Profesionet e lira në rrezik!
Një sistem i padrejtë gjithmonë ngrihet mbi ligje që krijojnë padrejtësi dhe mbahet me udhëzime që e thellojnë edhe më tej këtë padrejtësi.
Në ndërkohë që grupi parlamentar i PD dhe disa grupe të tjera interesi kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një padi për të rrëzuar Ligjin e Tatimit të Profesionistëve të lirë dhe gjithashtu edhe pezullimin e tij deri në një vendimmarrje të gjykatës, Drejtoria e Tatimeve ka nisur një udhëzim nr 26 që i detyron profesionistët e lirë të paguajnë deri në 40% apo dhe 50% të fitimit të tyre me premtimin që mot qeveria do t’ua kthej nëse kanë shpenzuar më pak.
Udhëzimi në fjalë është tërësisht i paligjshëm dhe në raport me Ligjin e Tatimit mbi Profesionistët e lirë që në fakt i garanton këto profesionistë që 30% e shpenzimeve do t’u njihen. Mirëpo, padrejtësia dhe paligjshmëria e këtij udhëzimi janë po ashtu një provë tjetër në dorën tonë duke qenë se transmeton ekzaktësisht natyrën e qeverisë dhe të ligjit; padrejtësinë dhe mungesën e parashikueshmërisë.
Do të mjaftonte vetëm natyra e këtij udhëzimi për të përmbushur ekzaktësisht fytyrën, natyrën dhe sistemin e kësaj qeverie; mbitaksimi i shtresës së mesme dhe përdorimi i taksave të tejngritura për këtë shtresë ashtu që të paguhen milionat e arbitrazhit, rrugëve të florinjta, koncesionet e kryebashkiakëve të korruptuar apo dhe inceneratorit.
Harbutarëia me të cilën u merren paratë e djersës dhe mundit xhepave të shqiptarëve, arroganca në trajtimin e atyre që punojnë, është sikur mendojnë se janë të paprekshëm. Prandaj koha nuk pret!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: