Rritja e pagesës së kontributeve shoqërore dhe shëndetësore për profesionet e lira nga 1 janari dhe më pas taksat e reja të Bashkisë së Tiranës e kanë shtuar ndjeshëm barrën fiskale për këtë kategori në kryeqytet, duke bërë që raporti i taksave në përqindje ndaj fitimit të kalojë 60%.

Nga 1 janari, të vetëpunësuarit i paguajnë kontributet në bazë të pagave referencë të vendosura me vendim të Këshillit të Ministrave, që çoi automatikisht në trefishim të kontributeve nga 6500 lekë në muaj, në rreth 21 mijë lekë në muaj.

Por, pas kësaj rritje, të gjithë bizneset e tilla në Tiranë, duke nisur nga 1 janari i këtij viti, do të përballen edhe me një shtim të taksave vendore: të tabelës, reklamës së biznesit, pagesës së infrastrukturës arsimore, etj.

Armand Mala, ekspert kontabilist i Miratuar ka bërë një llogaritje se sa taksa duhet të paguajë një dentist, me një xhiro vjetore deri në 4 milion lekë dhe që ka një të punësuar.

Vetëm taksa bashkie, dentisti duhet të paguajë rreth 43 mijë lekë (taksë tabele, reklame, pastrimi, arsim). Më parë taksat e bashkisë ishin më pak se 5 mijë lekë në vit (pra janë rritur me rreth 38 mijë lekë). Sigurimet vjetore për punëdhënsin janë 251.7 mijë lekë, ose 171.5 mijë lekë më shumë se një vit më parë, kur llogariteshin në bazë të pagës minimale. Vetëm nga taksat e bashkisë dhe kontributet dentisi duhet të paguajë rreth 210 mijë lekë më shumë taksa në vit, shumë që është 8 herë më e lartë se taksa vjetore për biznesin prej 25 mijë lekë në muaj, që u hoq nga qeveria pak muaj më parë.
Duke llogaritur dhe tatimin mbi qiranë dhe sigurimin mbi të punësuarin tjetër, totali i taksave vjetore të dentistit arrin rreth 429 mijë lekë, apo 10.7% e xhiros totale.
Nëse shtohen dhe shpenzimet për materiale (Blerje Furniturash ndihmesë për aktivitetin) dhe të tjera administrative (qiraja, paga mujore e punonjësit), shpenzimet në total të aktivitetit të dentistit arrijnë në 3.35 milionë lekë, duke i mundësuar dentistit një fitim prej 647 mijë lekësh. Sipas llogaritjeve, totali i taksave ndaj fitimit është 66.3% (429 mijë lekë/647 mijë lekësh në vit ose 35,735/53,932 lekë në muaj).

xhiro

Në tabelën e llogaritjeve janë injoruar shpenzimet e detyrueshme periodike të tjera të një klinike dentare (si pagesa per certifikatën e higjenës, pagesa me kontraktorin për largimin e mbetjeve, licencën, urdhrin e mjekut, etj).

“Ja se si është not Doing Business në Shqipëri”- pohon eksperti. “Si mundet që shteti të marrë një page 35,735 lekë/muaj nga një individ që paga e tij ngelet vetëm 53,932 lekë/muaj?” – shtron pyetjen z. Mala, duke thënë edhe se një pjesë e këtyre profesionistëve do të detyrohen të mbyllin aktivitetin e tyre dhe të punësohen më mirë diku tjetër, element negativ ky për klimën e biznesit në vend.
Sipas tij, një dentist që realizon nje xhiro vjetore 4 milionë lekë, dhe që në këndvështrimin e ligjvenesve dhe jo vetëm është njeri me të ardhura të mira, i aftë të mbajë goxha barrë takse përfundon me një fitim neto (ose page mujore për vete) pothuajse të barabartë me atë të ndihmësit të tij.
Edhe pa rritjet e fundit, Shqipëria sipas raportit Doing Business të Bankës Botëore ka nivelin të taksave në raport me fitimin në rajon, prej 36.5%.

Taksa e hapësirës, si një bar me sipërfaqe 30m2 do paguajë 720 mijë lekë në vit

Rama, kafe bllok (2)

Një biznes bar-kafe me 30 metra kator vetëm nga rritja e taksës së hapësirës dhe vendosja e taksës për tavolinë 60 mijë lekë në muaj, shumë që është e barabartë pothuajse me qiranë mujore.

Bar restorantet, por dhe dyqanet e tregtimit, që shfrytëzojnë hapësirat jashtë (fruta perime kryesisht) do të përballen me taksa të shumëfishuara nga janari, në bazë të vendimit të 30 dhjetorit 2015 të bashkisë, për “Sistemin e Tarifave vendore në qytetin e Tiranës”.

Sipas vendimit, taksa e hapësirës në zonën A është bërë 1500 lekë për metër katror në muaj nga 150 lekë për metër katror, që ishte më parë. Përveç kësaj, është shtuar dhe një taksë e re për tavolinat jashtë prej 2500 lekë për tavolinë në muaj.
Por, sa dotë paguajnë tani bizneset. Marrim si shembull një bar të vogël familjar me një sipërfaqe prej 30 metra katror. Më parë ai paguante taksën e hapësirës prej 150 lekë për metër katror shumëzim me 30 metra, pra 4500 lekë në muaj.
Me ndryshimet e fundit, nga 1 janari, i njëjti biznes do të paguajë:
-Taksa e hapësirës, 1500 lekë për metër katror x 30 metra = 45,000 lekë
-taksa për tavolinat (në një sipërfaqe prej 30 metra katror mund të vendisen maksimumi 6-7 tavolina) =15,000 lekë.
Në total, biznesi bar-kafe vetëm nga këto dy taksa do të paguajë 60 mijë lekë në muaj, shumë që është e barabartë pothuajse me qiranë mujore. Në vit, shuma që do paguajë ky bar kafe që shfrytëzon një hapësirë publike jashtë do të jetë 720 mijë lekë. Kësaj i shtohen dhe taksat e tjera të pastrimit, që për bizneset deri në 2 milion lekë është 3500 lekë në vit dhe për bizneset me xhiro nga 2-8 milionë lekë është 12 mijë lekë në vit.
Pra vetëm nga këto taksa, një biznes i vogël do të paguajë shumë më tepër se taksa e biznesit të vogël prej 25 mijë lekë në vit, që u hoq pak muaj më parë.
Inspektorët e bashkisë kanë qenë në terren këto ditë, duke verifikuar bizneset dhe sipërfaqet e zënies së hapësirës publike.

(d.b/Monitor/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: