TIRANE – Pensionistët e vetëpunësuar që ushtrojnë aktivitet si profesionistë të lirë nuk do tu duhet të paguajnë sigurime shoqërore e shëndetësore. Kuvendi miratoi një ditë më parë me shumicë votash projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9136, datë 11.9.2003 ‘Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.

P/ligji i sjellë nga qeveria si qëllim kryesor kishte rregullimin dhe harmonizimin e deklarimit të pagës për efekt të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore për tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet ekonomik si profesionistë të lirë, duke synuar diferencimin e pagesës për efekt kontributesh të kësaj kategorie tatimpaguesish nga të vetëpunësuarit e tjerë, duke qenë se edhe statusi ekonomik i kësaj kategorie është më i lartë.

Po ashtu përmes rregullimeve të sjella nga qeveria synohet që të hiqet detyrimi ligjor i pagesës së kontributeve për personat e papaguar të familjes të cilët punojnë në një biznes familjar dhe lihet në vullnetin
e tyre derdhja e kontributeve.

Por gjatë diskutimeve të p/ligjit në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave u propozua dhe heqja e detyrimit të pensionistëve që ushtrojnë aktivitet si profesionistë të lirë për të paguar sigurime nëse vetëpunësohen. Ndryshimet e propozuara u miratuan ditën e djeshme në seancën plenare të radhës.(ata)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb