Deputeti i PD Dashnor Sula deklaron se kriminelët janë profesionistët e vetëm që kanë mbetur në Shqipëri. Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Edi Rama se “punë ka, por s’ka profesionistë” dhe ngjarjeve të fundit nga aktualiteti me goditjen e disa grupeve kriminale, Sula shkruan se për fat të keq në 9 vite qeverisje, qeveria socialiste ka lejuar lulëzimin e bandave në vendin tonë.

“Paratë që qarkullojnë në vend nga droga e korrupsioni e kanë kthyer vendin në një shtet të pajetueshëm për njerëzit normal. Për profesionistët të cilët me punë të ndershme marrin një rrogë”, shkruan Sula. Sipas tij, vërtet ka vende pune, ka edhe profesionistë, por profesionistët dhe zanatçinjtë nuk përballen me kriminelët, ndaj ikin.

POSTIMI I PLOTË

?Kriminelët, profesionistët e vetëm që kanë mbetur në Shqipëri!
Pas botimit në media të ndryshme të dëshmive të të arrestuarit Nuredin Dumani, në rrjete sociale por edhe në tavolina të ngushta diskutimesh përmendet me ironi se profesionistët e vetëm të mbetur në Shqipëri, edhe ata me kohë të pjesshme janë kriminelët.
●Për fat të keq në 9 vite qeverisje, Qeveria socialiste ka lejuar lulëzimin e bandave në vendin tonë. Paratë e drogës. Krimit dhe korrupsionit kanë bërë ekonominë e vendit alogjike. Paratë që qarkullojnë në vend nga droga e korrupsioni e kanë kthyer vendin në një shtet të pajetueshëm për njerëzit normal. Për profesionistët të cilët me punë të ndershme marrin një rrogë.
●Në Shqipëri, një i ri që mbaron studimet ka zero interes të qëndrojë në vendin e tij sepse sado të mirë ta ketë pagën, në fund të muajit do ti duhen sërish para për të përmbushur të gjitha nevojat bazike. Sepse siç e ka treguar edhe INSTAT një familje që punon në profesion, 60-70% të pagës e shpenzon për ushqime, pa kaluar te veshjet apo detyrimet uji, drita dhe plotësimi i nevojave te tjera të përditshme të familjes.
● Një çift i ri profesionistësh apo zanatçinjsh duhet të punojnë gjithë jetën, mbase edhe tu lërë fëmijëve borxh për të blerë shtëpinë.
?Sipas të gjithë ekspertëve ekonomik, fenomeni që ndodh në Shqipëri është pasojë e lulëzimit të aktiviteteve kriminale.
Kjo situatë ka demotivuar të gjithë të rinjtë që në rastin më të mirë braktisin vendin për të krijuar jetën e tyre jashtë vendit, por ka një përhapje masive edhe fenomeni i trishtë që të rinjtë që në moshën e adoleshencës rekrutohen nga bandat kriminale. Pasurimi me shpejtësi i josh ata dhe po degjeneron të ardhmen e vendit.
Biznesi i ndershëm në Shqipëri po lëngon. Po vuan për shkak te politikave shpopulluese të kësaj qeverie. Vërtet ka vende pune, ka edhe profesionistë por profesionistët dhe zanatçinjtë nuk përballen me kriminelët, ndaj ikin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb