Universiteti Bujqësor i Tiranës ka vlerësuar me titullin PROFESOR EMERITUS, prof. dr. Sokrat Sinaj. Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku i dorëzoi titullin prof. dr. Sokrat Sinajt, me motivacionin për nder dhe respekt si një vlerësim i veprimtarisë akademiko-shkencore në sektorin e bujqësisë në fushën e ushqimit dhe bimëve si dhe për përpjekjet e pandërprera të profesor Sinajt për bashkëpunimin mes UBT dhe qendrës Agroscope (Instituti Kombëtar Zviceran i Shkencave Bujqësore) në Zvicër.

Sokrat Sinaj që nga viti 2007 është përgjegjës për kërkimet shkencore në fushën e të ushqyerit të bimëve bujqësore, Agroscope në Zvicër. Ai falënderoi UBT për çmimin duke e konsideruar si një ndër çmimet më të rëndësishëm që ka marrë në karrierën e tij akademike.

Sinaj, profesor në Universitetin Politeknik Bujqësor është edhe Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe e cilëson diasporën si një aset me shumë vlerë te vendit tone.

Sinaj ka koordinuar projekte të shumta shkencore me impakt ndërkombëtar dhe ka publikuar më shumë se 200 artikuj në revistat shkencore më prestigjioze të fushës. Ai është anëtar i komiteteve shkencore për disa revista ndërkombëtare dhe mbështet aktivisht interesat e komunitetit shqiptar jashtë vendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb