Profesori i Fakultetit Ekonomik në UT, Sherif Bundo në një lidhje me Skype me News 24, bëri një panoramë ndryshe të situatës që po kalojmë nga përhapja e koronavirusit. Ai tha se vazhdon mësimin on line me studentët, por nga ana tjetër po mundohet ta përshtasë jetën e tij ndryshe tashmë që një virus i padukshëm na rrezikon jetën.

“Vazhdojmë mësimin on line, kemi fat që kemi student elitarë, megjithatë na mungon natyra, ato ecjet në natyrë. Jemi munduar të përshtatemi me situatën”,- tha ai.

Kriza e shpërthyer nga koronavirusi, tha profesori, është një krizë që ka provokuar reflektim të gjithë shoqërisë.

“Është një krizë e fortë që ka provokuar reflektim të thellë në ndërgjegjen tonë, por edhe në shoqëri. Jetojmë në kohëra moderne, në një kohë që shoqëria vrapon drejt parasë, lakmisë, egos, interestit dhe kjo e ka bërë njeriun të harrojë që është produkt i komunitetit dhe jeta e tij varet nga komuniteti. Unë në shkrimin tim e quaj këetë si, raporti midis të qënit të lumtur dhe të rendurit drejt parasë. Unë flas si profesionist i financave, dua të them që lumturia është koncept shpirtëror ndërsa pasuria koncept sasior. Ta lidhësh lumturinë me pasurinë, pra nuk është shumë reale. Shëndeti është ajo që duhet të na bëjë të lumtur, një standard pasuror që është normal që nuk na vështirëson jetën. Sic e kemi parë virusi kërcënon jetën e mbretërve, të pasurve, biznesmenëve, kryeministrave njëhershë sic kërcënon jetën e të varfërve”,- tha ai.

Shoqëritë, tha ai, duhet të nxjerrin mësime nga shpërthimi i këtij virusi.

“Të dhënit pas egos, interesit, kapitalit, duket që nuk është zgjidhja më e mirë. Një fukara i sëmurë me virus do kërcënonte jetën e një miliarderi, c’kuptim ka jeta e këtij të fundit pastaj? Ne lumturinë e pamë të lidhur ngushtë me shëndetin. Pra, sistemet shëndetësore nuk i kemi pasur funksionale, janë zhvilluar në disporporcion. Ne investojmë psh. në spitalet e Tiranes dhe harrojmë që jeta është edhe në Shkodër, edhe në Fier edhe në Elbasan. Ka ardhur koha që të mos i drejtohemi shkencës kur na nevojitet. Shkenca nuk është për të përkëdhelur sedrën foshnjore të shoqërisë, për t’i gjetur zgjidhje kur ajo thyen kokën para vështirësive, por shkenca duhet parë me optimizëm edhe kur thotë të vërteta të dhimbshme. Shoqëria duhet të drejtojë vëmendjen ndaj njerëzve të shkencës, kërkimit shkencor. Globalizmi ka bërë që vendet të jenë të varura. Edhe familja e Europës nuk u tregua e bashkuar. Italia u braktis në kulmin e dëshpërimit, njerëzit në kufij përjetuan drama të dhimbshme”,- tha ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb