Ferdinand Samarxhi (Mjeshtër i madh)

Që në fillimet e para të ekzistencës së jetës, qenia njerëzore, si qenie kozmike, në të gjithë historinë, rrjedhën e saj, ka besuar në Krijuesin Absolut, Zot, në fuqi supreme. Adhurimi i Zotit absolut ka ngjallur te njeriu ndjesi në ecjen e tij, në kohëra. Zoti i besimit në kohë ka qëndruar mistik. Nëse Perëndia nuk do të ekzistonte, thoshte Volteri, do të ishte e nevojshme ta shpiknim Atë.

Shumë shekuj më parë, në luginën e Bekës, nis të jehojë një zë… “Ku po shkon, o Ibrahim, e po na lë të vetëm në këtë luginë të heshtur. Allahu të urdhëroi të veprosh kështu?! Lutjen tënde për Ismailin e pranova. Pas tij do të vijnë dhe ikin breza dhe unë kësisoj do ta bëj atë prijës të një bashkësie të madhe. Fëmija që do të lindë, do të jetë shpresë për mbarë njerëzimin”.

…Haxhirja filloi të rendte pa reshtur pas dy kodrave, Safasë dhe Mervesë, për të shuar etjen, sadopak ujë. Nuk po u besonte syve dhe veshëve të saj, kur pranë këmbëve të fëmijës, mes shkretëtirës, një rrëke uji filloi të buronte dhe dëgjoi zërin e engjëllit: “Këtu gjendet shtëpia e Zotit, atë do ta ndërtojë ky fëmijë bashkë me të atin”.

PROFECITË E ARDHJES SË PROFETIT…
Në Bekë, ku po hidheshin themelet e qytetit, do të lindte Profeti i shumëpritur, i paralajmëruar. “Zoti ynë,- do të lutej Profeti Ibrahim pasi ndërtoi Qabenë,- dërgoi nga Mesia i tyre një Profet, që t’ua lexojë dhe mësojë atyre ajetet e tua. T’u mësojë atyre urtësinë dhe librin tënd!”. Të gjithë profetët e ardhur me Ademin do të flisnin veç për të. Të gjithë do të ndanin të njëjtën Myzhde me popujt e tyre. Ëndrra e nënës Amine, që iu shfaq dhe iu tha: “Ti mban në mitrën tënde udhëheqësin e njerëzve”, dhe kur Ai lindi, ajo iu përgjigj: “Unë e lashë në mbrojtje të të Vetmit (Allahut) për ta ruajtur nga e keqja e çdo lakmitari dhe pastaj i vuri emrin Muhamed”. Musai dhe Isai, qysh herët, dhanë sihariq për ardhjen e Muhamedit a.s. Emri i Tij në Teurat dhe Ungjill ish thënë. Në Ungjillin e Joanit, Moisiu dha sihariqin: “Do të vijë El-Menhan’na” (emri i Profetit Muhamed në gjuhën siriane). El A’raf 157 – Dhe kur Isai, i biri i Merjemit, tha: “O Beni Israllë unë jam i dërguari i Allahut te Ju, jam vërtetuesi i Teuratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një Profet që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed”.

DRITA QË ERDHI NË SHKRETËTIRË…
20 prill 571, kishin kaluar vetëm 15 ditë nga ndodhia e elefantit. Ishte e hënë. Në këtë çast, kur drita kishte ndriçuar gjithë rruzullin, në botë erdhi jetimi i Aminës, i cili dëgjoi: “Allahu të mishëroftë!”. Dhoma për një çast ishte ndriçuar plotësisht. Lindja dhe perëndimi ishin kapluar nga drita dhe kësisoj çdo anë e shtëpisë ishte bërë dritë. Qabeja ishte ndezur. Po përjetohej një lindje që do ta nxirrte krejt njerëzimin prej errësirës në dritë, ndërkaq mbreti i fundit, Muhamedi, lajmi i të cilit kishte shëtitur rruzullin për shekuj me radhë, kishte nderuar botën me ardhjen e Tij në paqe. Zaten kishte kohë që në qiell po përjetohej një gëzim dhe njerëzit dëshmonin pareshtur ndezjen e yjeve. Të gjitha këto quheshin si Myzhde të ardhjes së shpëtimtarit të fundit. Andaj, dijetarët e kohës filluan të mos e largonin vështrimin e tyre nga qielli. Mëngjesin e asaj dite, Meka do të dëgjonte një zë që i pyeste. “O popull i Kurejshit, mos lindi gjë një fëmijë sonte në mesin tuaj?”. “Po, mbrëmë lindi Ahmedi, Profeti i fundit i njerëzimit. Kontrolloni me kujdes, në mes dy shpatullave ai mbart një shenjë, që është vula e profecisë”.

NJERIU QË TRIUMFIN DHE FITOREN E KURORËZOI ME MËSHIRË DHE FALJE…
Fillimisht, Meka u trondit nga lajmet e rrëzimit dhe thyerjes së idhujve që gjendeshin brenda në Qabe… Askush nuk e mori vesh se kush e bëri dhe si kishte mundësi që ishin përballur me një ngjarje të tillë. 360 idhujt brenda në Qabe, të përmendur të arabëve: Uzza, Lat, Hubel dhe Menat, në të cilët njerëzit vinin, kryenin adhurime ndaj tyre, duke besuar se i afroheshin Allahut dhe i plotësonin nevojat që kishin. Tashmë s’do kishin më jetë. Me shkopin e vet, Profeti në Qabe të gjithë njerëzve u tha (ajetin kuranor): “Erdhi e vërteta dhe u zhduk e pavërteta”. Arabët, adhurues të idhujve, persët e Mexhusë, adhurues të zjarrit, rumët bizantinë në trevat e Shamit, Jehudët që i bënin shokë Allahut në adhurim dhe thoshin se Uzejri ishte i biri i Allahut, që në errësirë kishin humbur çdo gjë, në kohë do të gjallëroheshin dhe do të besonin në një njeri që do t’i ftonte dhe mëshironte: “Ne të dërguam Ty, mëshirë o Muhamed për gjithë botën” (“El Enbijae”, 107). …

“Çka ju urdhëron Profeti, zbatojeni dhe hiqni dorë nga ajo që ai ju ndalon” (“El Hashr”, 7). Kur Profeti Muhamed mbushi 40 vjet nga jeta e tij e ndritur, Allahu e dërgoi atë Profet e udhëzues për rrugën e drejtë, për mbarë njerëzimin. “O Profet, ne të dërguam ty dëshmues, përgëzues e paralajmërues”. “Dhe me urdhrin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij, e fener ndriçues” (“El Ahzab”, 45-46). Megjithëse Ai ish më i shtrenjti, më i dashuri dhe i dërguari, i zgjedhur i Zotit, Muhamedi thosh: “Midis jush, unë jam Ai që e njoh Allahun më së miri dhe që i frikësohem Atij më së shumti”. Para ardhjes së Profetit, historia, Arabia kishte përjetuar ngjarje të shumta. Strategë, hazretër, mbretër, kalifë, kishin ndërtuar në kohë, në shekujt, shtete, perandori, kalifate, principata. Shumë prej tyre u shembën si kala me rërë dhe s’lanë as gjurmë në historinë e kohëve. Për pak shekuj u shkrumbëzuan në pluhurin e harresës të historisë. Ndryshe ndodhi me Profetin Muhamed.

Gjenialiteti i Tij është i pashembullt, hyjnor. Në kushtet kur Arabia jetonte në mjegullnajën e errësirës, ku asgjë në dritë nuk shihej, Muhamedi do të ftonte të gjithë idhujtarët t’i drejtoheshin tashmë një Zoti të vetëm. “Kurrë njeriu nuk i ka vënë vetes,-shkruan Lamartini në “Historia de la Turqiue”,-vullnetarisht apo detyrimisht qëllim më të lartë… Të rrënohen besëtytnitë, që ishin venë ndërmjet njeriut dhe Krijuesit… Që njeriu t’i kthehet Zotit dhe të përtërihet ideja e arsyeshme dhe e pakontestueshme mbi Hyjnitë, në kohën e kaosit, të materializimit dhe të vizioneve idhujtare rreth Zotit, të cilat ekzistonin atëherë”. Kurrë njeriu nuk e ka pranuar një detyre aq të paarritshme për aftësinë njerëzore, për zbatimin e planit të madh, pa kurrfarë ndihme, përveç një grupi të ngushtë njerëzish, që jetonin në skajet e shkretëtirës. Për më pak se dy shekuj pas shfaqjes së Tij, islami, përmes bindjes, arsyes dhe mëshirës, nuk ka kryer një revolucion aq të madh, të vazhdueshëm në botë, për të dominuar përgjatë tërë Arabisë, Persisë, Horasanit, Transaksonisë, Indisë, Sirisë, Abisinisë, përgjatë të gjitha vendeve të njohura të Afrikës Veriore, Ujdhesave në Mesdhe, Spanjë etj.

MADHËSHTIA E QËLLIMIT, GJENIALITET NJERËZOR I PROFETIT…
Madhështia e qëllimit, thellësia e mendimit dhe rezultatet e arritura, tri kritere të gjenialitetit njerëzor, nuk qenë shfaqur ndonjëherë para ardhjes së Profetit. Udhëheqës të njohur krijuan ushtri, ligje dhe shtete. Nuk formuan asgjë më tepër se potenciale materiale, të cilat shpesh u zhdukën para syrit të tyre. Profeti Muhamed themeloi jo vetëm armatat, legjislacionet, shtetin, por miliona njerëz, një e treta e botës së banuar të asaj kohe, madje edhe më shumë. Më tepër se kjo, ndryshoi altarët, zotat, fetë, idetë, besimet në shpirtra. Në bazë të Kuranit, me çdo shkronjë që bëhej ligj, ndërtoi nacionalizmin shpirtëror, që është i pranuar për njerëzit e çdo vendi, gjuhe dhe race. Profeti la si karakteristikë të pashlyeshme të nacionalizmit mysliman urrejtje nda zotave të rrejshëm dhe synimin për një Zot të pamaterializuar. Kjo rezistencë e patriotizëm kundër bastardimit të besimit në Zot solli emancipim të shoqërisë, për kohën. Ideja e unitetit të Zotit që perklamoi, frymëzoi me fenë e Tij një të tretën e botës.

Guximi i Tij, në kundërshtim me idhujtarinë, qëndrueshmëria e Tij gjatë qëndrimit trembëdhjetëvjeçar në Mekë, pranimi i njerëzve të përbuzur, të shtypur, predikimi i Tij i pandërprerë kundër pabarazisë, durimi mbinjerëzor gjatë sprovave, modestia dhe besimi i patundur në fitore, ambiciet e Tij, të cilat kanë qenë të orientuara drejt një ideje, lufta e pafund dhe e vazhdueshëm, bisedat mistike me Zotin, vdekja dhe triumfi i pasvdekjes, të gjitha këto dëshmojnë për vendosmërinë e Tij të fortë, që të përtërihej feja, dëshmojnë për një gjenialitet të veçantë njerëzor, hujnor. Profeti Muhamed e pa fenë të bazuar në dy parime themelore, Zoti është një dhe Ai nuk është material, ai është jashtëhapsinor, egzistencial. Profeti me përmbysjen me shpatë të zotërve të rremë dhe me vendosjen e idesë me fjalë shënjoi histori të papërsëritshme për njerëzimin. Filozof, orator, mësues, ligjvënës, strateg, luftoi për idenë e Tij. Përtëritës i besimit racional dhe i adhurimit pa fotografi.

Themelues i njëzet perandorive tokësore. Arkitekt madhështor i ndërtimit të perandorisë më të madhe shpirtërore e botërore. Profeti e pa njeriun si përgjegjës për jetën e tij. Kush punon sipas ligjit të Zotit, jeton i lumtur në këtë botë dhe botën tjetër, ndërsa kush i rebelohet Zotit, e përcjellin probleme të rënda në të dyja botët. Muhamedi kurrë nuk tha se ishte Pejgamberi i vetëm, por që ka besuar dhe në shpalljen profetike të Musait (Moisiu) dhe Isait (jezusit). Për këtë besim dhe pranim Muhamedi theksonte ajetin kuranor: “Në fe nuk ka dhunë, rruga e drejtë është sqaruar, nga rruga e shtrembër” (“El Bakarafi”, 256). Gjashtë shekuj pas Profetit Isa, Muhamedi e njohu botën me besimin te një Zot i Vetëm, që është Zoti i Ibrahimit, Musait dhe Isait.

Kështu do ta përshkruante misionin dhe shpalljen e profetit Muhamed Napoleon Bonaparti. do të thoshte. Profeti Muhamed dëshmoi se s’ishte shpata ajo që i siguroi islamit vendin në botë, por modestia, thjeshtësia, mëshira, rigoroziteti ndaj obligimeve, morali i lartë që predikoi, trimëria, besimi i Tij i patundur ndaj Zotit, bindja e paluhatshme në Pejgamberinë e Tij. Në vënien në jetë të Kuranit, Profeti me personalitetin dhe shembullin e Tij të jashtëzakonshëm, revolucionarizoi Arabinë e më pas tërë Lindjen. Doktrina e tij e shenjtë fetare, do të çlironte, vlerësonte femrën, gjinië e saj, që deri dje po të lindte në gjininë e saj, groposej e gjallë nga turpi, që të mos kthehej robinë e bëri atë të gëzonte liritë e saj dhe i ligjëroi të drejtën e trashëgimisë.

MUHAMEDI, REFORMATOR I KOHËS…
Profeti e ngriti pushtetin e Zotit mes një populli, që jetonte në një mjegullnajë opskurantiste të thellë, që ishte në luftë mes fiseve, që nuk udhëhiqej nga as ndonjë ligj, veç adhurimit të idhujve. Ndryshoi të menduarit, traditat, moralin. Mblodhi të gjithë njerëzit rreth një flamuri, një ligji, një feje, kulture, civilizimi, qeverie, shteti. Reformat fetare, politike, që bëri Muhamedi, të cilat ishin reforma fondamentale dhe unike, bënë që arabët të vetëdijshëm dhe dolën nga errësira e injorancës, anarkisë, duke realizuar hyrjen përfundimtare në historinë e njerëzimit. Ligjvënës i frymëzuar, gjenerator i parë në unifikimin fetar në mes të gjithë popujve. Muhamedi shënoi fitore jo vetëm në përhapjen dhe konsolidimin e besimit fetar të tij, islam, por bëri të ligjshme dhe të pranueshme besimet e tjera, t’i quante ato besime të Zotit si gjithë besimet e tjera që besonin në një Zot, me të gjitha të drejtat për jetën, pronën, altaret e besimit të tyre, liritë, gjë që profeti e kishte praktikuar dhe bërë të ligjshme në luftrat fitimtare të tij. Duke besuar se të gjithë njerëzit lindin nga një Zot, Profeti solli parimin e barazisë mes të gjithë popujve, besimeve, njerëzve, racave, gjinive. Ishte një realizëm i lartë që arriti të sendërtohet në jetë për kohën. Kështu u themelua një shoqëri me më pak totalitarizëm dhe me më pak padrejtësi shoqërore, se cilado shoqëri tjetër e mëparshme e kohës. Arabët i ofruan botës një kulturë të re, një fe, e cila sot e kësaj dite vazhdon të jetë e besueshme për miliona e miliona njerëz. Muhamedi sistemin e Tij religjioz e vendosi jo vetëm në pajtim me ndjenjat e popullit të vet dhe konceptit dominues të vendit të tij, por më tepër se kaq, nën një drejtpeshim të pranueshëm me konceptin e përgjithshëm të gjinisë njerëzore. Bernard Shou do ta quante atë shpëtimtar të njerëzimit: “Jam i bindur se një njeri i ngjashëm me të, po të merrej me problemet e kohës moderne, do t’i kishte zgjidhur me sukses ato, duke i sjellë njerëzimit paqen dhe lumturinë e nevojshme”. Kur ndërroi jetë Muhamedi a.s., u tentua që Ai të ngrihej në shkallën e hyjnive, por njeriu që do të bëhej pasardhësi i Tij administrativ (Ebu Bekër es- Sidiku), e shmangu këtë tendencë në një nga fjalimet më madhështore në historinë e religjionit, duke thënë: “Nëse mes jush ka nga ata që e adhurojnë Muhamedin a.s., le ta dinë se Ai ka vdekur. Ndërsa ata që adhurojnë Allahun, duhet ta dinë se Ai jeton gjithmonë”.

KOHA, TË MËDHENJTË PËR PROFETIN…
Gëte: “Në histori kërkova shembullin e njeriut të shkëlqyer, atë e gjeta te Pejgamberi Muhamed”. Tolstoi: “Muhamedit i takon lavdia më e madhe që e udhëhoqi njerëzimin në dritën e vërtetë, në drejtësi e paqe”.

Busfer Smith: “Muhamedi formoi një religjion, të cilin e kanë pranuar miliona njerëz dhe i cili është shndërruar në fe universale”.

KRYEGJYSHATA BOTËRORE BEKTASHIANE DHE KOMUNITETI MYSLIMAN I SHQIPËRISË PËRKUJTOJNË DITËLINDJEN E PROFETIT…
Kryegjyshata Botërore Bektashiane, së bashku me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, me pjesëmarrje të tarikateve islame si dhe sekteve aleviane të Shqipërisë, organizuan në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore, veprimtari kushtuar ditëlindjes së Profetit Muhamed. Ceremoninë e çeli Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Profeti Muhamed,tha ai me jetën dhe veprën e tij, ka qenë dhe mbetet një model unik për të gjithë besimtarët myslimanë. Ai diti të transformojë veten, ndjekësit e tij dhe më pas gjithë shoqërinë arabe aq të prapambetur, përmes sakrificave, durimit, dashurisë për dije, vendosmërisë për unitet dhe vëllazëri. Ai mundi të kultivojë në mendjet e njerëzve mëshirën universale, larg luftërave dhe betejave të verbra.

Ai diti të dallojë gjërat materiale nga ato shpirtërore për t’iu bashkuar të vërtetave universale, të përjetshme. Shoqëria jonë njerëzore, e djeshmja dhe e sotmja, dëshmojnë se mësimet profetike, thëniet, qëndrimet dhe sidomos filozofia e Tij, mbeten gurë të rëndë themeli në godinën e fesë islame, e cila, përveç ditëve të lavdishme dhe plot dritë të saj, ka pasur edhe stuhi gjithfarësh të ardhura prej civilizimeve të tjerë. Por nëse kjo godinë i bëri ballë sizmikes së nëndheshme të këtyre civilizimeve, kjo ka të bëjë me traditën profetike të dialogut, mirësisë, urtësisë, dashurisë vëllazërore. Në këtë këndvështrim, ne të gjithë mendojmë se jemi duke ecur në gjurmët e udhëheqësit tonë shpirtëror, Profetit Muhamed. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Hirësia e Tij e Naltë, Haxhi Bujar Spahiu, tha se këto ditë gjithë bota islame, gjithë besimtarët myslimanë, kudo ku ndodhen, në të gjithë botën mbarë, përkujtojnë Profetin e fundit të njerëzimit.

Profetin e kohërave që udhëhoqi njerëzimin në rrugën e paqes e dashurisë. Njëri ndër themeluesit ideologjikë të revolucionit francez, filozofi Lafajet, në vitin 1789, para se të shpalleshin të famshmet “Të drejtat e njeriut”, i kishte studiuar të gjitha sistemet juridike dhe, duke parë lartësinë e drejtësisë islame, kishte thënë: “O Muhamed! Atë që ti ke sjellë dhe aplikuar në botë, nuk e ka bërë askush tjetër. Ti e ke sjellë drejtësinë në një vend të paarritshëm…!”. Shkurtimisht mund të themi që në islam, bazë kryesore është falja dhe toleranca, sepse Resulullahu (a.s.) thotë: “Bëhu tolerant që të tolerohesh”. Përfundimisht mund të themi se as në islam, as te Pejgamberi (a.s.) nuk ekziston urrejtja dhe mëria, por dashuria, toleranca dhe durimi janë cilësitë dhe çelësat që hapin çdo derë. Nuk ka dyshim se tek ata që gjenden këto cilësi, nëse sot jo, nesër patjetër do t’i fitojnë të gjitha zemrat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb