TIRANË

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka mbajtur fjalën e saj të parë në seancën maratonë të Kuvendit, ku ka komentuar programin qeverisës të qeverisë “Rama 3”.

Për kryetaren e LSI, programi “Rama 3” është një cinizëm për shpopullimin e mëtejshëm të vendit, ndërsa ka shtuar nga foltorja e Kuvendit se ka ardhur koha që të mbahen premtimet për qytetarët.

Pjesë nga fjala e Kryemadhit:

Të nderuar qytetarë shqiptarë, edhe pse në orët e vona apo të para të mëngjesit, do të doja t’ju kujtoja që teatri u shemb por teatri nuk na mungoi dy orë këtu. Sot ne jemi në diskutimin përsa i përket programit të qeverisë. Nuk mund të them që hezitova dhe isha skeptike për t’a lexuar sepse isha e bindur që ky program do të ishtë një përsëritje e programeve të kaluara qoftë atij të 2013 apo atij të 2017.

Dhe normale që koshienca njerëzore, skepticizmi, ndjenja të së kaluarës mund të më lejonin që ta ndaloja dhe mos të vazhdoja ta lexoja por për hir të së vërtetës detyrimi ndaj 110 mijë votuesve të LSI dhe të shumë e shumë të tjerëve të pavlefshme të cilat kanë qenë në kutitë e 25 prillit më cuan që në këtë sallë të bëj diferencën midis asaj që tregohet në sytë e qytetarëve shqiptarë dhe midis asaj që ndodh vërtetë pas kuintave.

A duan shqiptarët sot një fasadë të lyer bojë që nuk është tharë akoma dhe që brenda saj është e rrënuar dhe pritet të rrëzohet nga dita në ditë apo nga minuti në minutë, apo duan një shtëpi me themel të fortë që të përballojë sfidat e së ardhmes që të kenë mundësi të rrisin fëmijët e tyre dhe ndërtojnë familjen e tyre në Shqipëri. Jam e bindur që duan këtë të dytën.
A do të duam nje Shqipëri ku vendi i punës i cili është i pamundur apo do duam që në Shqipëri vendi i punës të jetë meritokraci. Apo do të duam që t’i japim shqiptarëve vendin e punës nëpërmjet patronazhistit.

A do të duam një Shqipëri ku qeveria rrit taksat, nuk mendon për pensionistët, nuk mendon për pagat e mësuesve, fyen mjekët dhe infermierët apo do duam një qeveri e cila ul taksat, I rrit pensionet dhe iu shërben mësuesve dhe edukatorëve të brezit të ri. Por respekton dhe i bën dinjitozë mjekët dhe infermierët në spitalet tona.

A do duam një Shqipëri ku të rinjtë largohen nga vendi ynë për të gjetur mundësi më të mira jashtë vendit, apo do duam një Shqipëri ku të rinjtë gjejnë një punë të mirëpaguar.
A do duam një Shqipëri ku politikanët bëjnë politikë dhe bëjnë sikur zihen më njëri tjetrin dhe më pas i kthejnë krahët votuesve të tyre. Apo do duam një Shqipëri ku politika zgjidh problemet e shqiptarëve dhe mendon për ta.

Zgjedhjet që kaluam na përballën me të pamundurën. Shumë kolegë i përmendën këtu por do dëshiroja që t’i kishin denoncuar të gjitha problematikat që ngritën. Që me shitblerjen e votës,  që me ndihmën ekonomike, që me legalizimet, që me hipotekat, që me koncesionet, duke filluar nga Porti i Durrësit dhe duke vazhduar edhemë tej  me hidrocentralin e Skavicës.
Do dëshiroja të shikoja se çfarë ndodh me opozitën? Dhe në fakt ndoshta mua nuk më takon kjo pyetje. Por përkundrazi më takon që të marr disa përgjegjësi të tjera. Në radhë të parë, për t’ju uruar grave të qeverisë, që janë 12 gra detyrën. Po për të mos qenë kukulla dhe instrument, thjesht firmosës të koncesioneve që ndahen midis njëri tjetrit.

Gratë në jetën dhe familjen e shqiptarve janë shtylla kurrizore e Shqipërisë. Janë ato që i bëjnë shtëpinë dhe familjet tona të lumtura. Janë gratë ato që rrisin me dashuri fëmijët dhe i mësojnë sesi të duan vendin. Është shumë e rëndësishme që gratë e qeverisë shqiptare të jenë gra me dinjitet, me integritet të kenë personalitetin dhe të bëjnë krenare të gjitha gratë e Shqipërisë. Sot më shumë se kurrë, Shqipëria nuk ka nevojë për kukulla, qofshin gra apo burra. Sot më shumë se kurrë shqipëria ka nevojë për njerëz të vërtetë.
Sepse grate kanë mundësi të ngrihen për të luftuar për fëmijët e tyre, sepse ndoshta akoma tranzicioni politik nuk i ka lënë hapësirë që të  këtë demokraci të vërtetë, asaj së cilës ne i kemi besuar disa dekada më parë.

Akoma nuk shikoj në programin e qeverisë nëse flitet dicka për 300 mijë vendet e punës sepse shikoj të rinj që ikin, nuk shikoj shëndetësinë falas, në fakt janë vaksinat falas por nuk ka qenë falas shërbimi i të sëmurëve me covid që kap vlerën mbi 150 milionë euro dhe nëse kjo shumë nuk do të ishte përdorur nga xhepat e qytetarëve shqiptarë do të ishte një mundësi shumë e madhe për të krijuar vende të reja pune.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb