Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka folur për programin me 5 pika të LSI teksa zhvillonte një takim me votuesit për herë të parë në Kombinat të Tiranës.

Kryemadhi i garanton të rinjtë se pagat në Shqipëri do të jenë si në çdo vend tjetër të BE, dhe nuk do të lejojë që vendi të shitet.

Ajo gjithashtu tha se programi i LSI në qeveri do të ketë ndikim të menjëhershëm në ekonominë shqiptare, familjet shqiptare teksa do krijohet dhe një vizion i ri për të ardhmen.

 

FJALA NGA MONIKA KRYEMADHI

Ne si LSI në programin tonë kemi pesë prioritete shumë të thjeshta, që kanë impakt të drejtpërdrejt te familjet tuaja, te prindërit tuaj, te gjyshërit tuaj. Kanë impakt tek ju dhe kanë impakt për të ardhmen e Shqipërisë. Nëse ne nuk mendojmë për të ardhmen tuaj, atëherë është e kotë që të flasim dhe të vijmë këtu t’ju takojmë.

Megjithatë, unë dua t’i jem shumë mirënjohëse Floidës, por mbi të gjitha edhe gjithë grupit, Fredit, Luisit, Olsit, Arlës, të cilët na kanë krijuar një netëork të paparë tek votuesit për herë të parë, sepse fuqia e LSI mos mendoni se ka qenë ndonjëherë pushteti. As ministrat, as drejtorët, as kryetari i partisë, as kryetarja e partisë dhe as anëtarët e Kryesisë. Fuqia e LSI-së kanë qenë gjithmonë votuesit për herë të parë, të rinjtë dhe të rejat, sepse në fund të fundit ne jemi e vetmja parti që e mban fjalën e saj, i mbajmë njerëzit, u përgjigjemi atyre. Është e vetmja parti politike që në 16-17 vjet të jetës së saj politike ka breza të rinjsh politikanësh, duke filluar nga Erisa Xhixho që kur ishte gjimnaziste, sot është nënkryetare e partisë, është pedagoge, është me grada shkencore, të cilat i ka marrë në opozitë. Kemi Endrit Braimllarin që e filloi si President i Gjimnazit ‘Besnik Sykja’ dhe sot është Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së, kandidon në Qarkun e Korçës, që do të jetë surprizë si qark. Kemi Kejdi Mehmetajn që edhe ajo erdhi si senatore e gjimnazit ‘Petro Nini Luarasi’ si nxënëse e ekselencës, sot është nënkryetare partie, kandidon edhe ajo në Qarkun e Fierit. Kemi Floidën që po ashtu erdhi si gjimnaziste ekselence e ‘Petro Nini Luarasit’, studente e ekselencës për Farmaci, që sot është kryetarja e LRI-së, deputete, kandidon sot këtu në Kombinat. Jo pa qëllim e kemi sjellë këtu, sepse Kombinati ka prodhuar elita në politikë dhe në shumë profesione të tjera. Kemi Eriolin, kemi Klevi Pojanën, që ka ardhur si gjimnazist i ‘Partizanit’, i diplomuar për Drejtësi e që sot është pjesë drejtuese e LSI-së për Tiranën dhe shumë e shumë të rinj të tjerë. Pra, është një strukturë politike që prodhon politikanë të rinj dhe Shqipëria ka vërtet nevojë për një mentalitet të ri, ka nevojë për njerëz të rinj, ka nevojë për mendësi të reja, ka nevojë për një vizion të ri.

 

Programi i LSI, ku janë 5 prioritete në 5 muaj ka të bëjë me ndikimin e menjëhershëm në ekonominë shqiptare, në familjet shqiptare dhe krijimin e një hapësire dhe një vizioni të ri për të ardhmen tuaj, për familjet tuaja. Sepse sot ju jeni votues për herë të parë, jeni 18 vjeç, por nesër do të jeni prindër, do të jeni profesionistë.

Programi ynë këtë ka për qëllim, që edhe kur ikin studentët tanë, jashtë shtetit të shkollohen, ata duhet të kthehen në Shqipëri, sepse të jeni të bindur që duke fuqizuar ekonominë shqiptare, puna që do të kesh në Shqipëri do të ketë të njëjtën pagë me çdo vend tjetër të BE-së, por do të jesh pranë prindërve të tu, pranë shoqërisë tënde dhe mendojmë që të gjithë ne duhet të kontribuojmë për vendin tonë.

Vendi ynë është një vend i mrekullueshëm, nuk kemi pse ua lëmë të tjerëve. Jo pa qëllim është shkatërruar sistemi ynë arsimor, në mënyrë të tillë që të mos konkurrojnë diplomat tona me tregun e punës, të mos konkurrojnë në rajon, por ne do ta rikthejmë këtë gjë.

Sepse edhe ajo taksa për arsimin që kemi vendosur ne, që është pak 1 për qind, por do ta fillojmë me kaq, të shkojë për sistemin arsimor, që universitetet tona të konkurrojnë me ato të rajonit, të konkurrojnë edhe me ato evropiane dhe pse jo edhe në botë.

Dhe nga ana tjetër çdo profesionist që del nga universitetet tona të jetë i gatshëm për të punuar dhe për të pasur jo vetëm një vend pune të thjeshtë për tu ushqyer me bukë, por një vend pune që garanton konkurrencë në pagesë, ofron mundësi, ofron zhvillim dhe fuqizim ekonomik.

Energjia juaj është e depërtueshme edhe atje ku nuk depërton as drita e diellit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb