Drejtuesi Politik i Qarkut Durrës, Edi Paloka ka zhvilluar sot një takim me banorë në zonën Arapaj, ku ka dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre. Paloka ka falënderuar publikisht këta banorë, të cilët për 30-vite e kanë mbështetur Partinë Demokratike duke theksuar se me Ramën tashmë janë bërë hapa pas në zhvillimin e vendit.

“Kam një përshëndetje për të gjithë ju që për 30-vite keni kontribuar për Partinë Demokratike dhe të ardhmen e këtij vendi. Qeveria e Ramës për 8-vite na la në vend-numëro, duke mos ecur asnjë hap as në shëndetësi, as në ekonomi, as në arsim, por përkundrazi na ka kthyer pas. E kaluam një moment atë që do ta quaja “renditje e turpit” si vendi më i varfër në Europë, ndërsa qeveria Rama na ktheu aty ku ishim, por kjo nuk është thjeshtë çështje renditjeje dhe nderi, këtë ne e vuajmë çdo ditë.”, tha Paloka.

Paloka gjithashtu preku dhe temën e largimit të të rinjve. Përsa i përket programit të paraqitur nga pala kundërshtare, Paloka e cilësoi programin e qeverisë Rama, si një program tullumbace që lëshohet gjatë zgjedhjeve, një program pa fantazi ku premtohen vetëm aeroporte.

“Ne kemi një program jo si ai i Ramës, që lëshon disa tullumbace. I mungon fantazia dhe premton aeroporte kudo që shkon, e ka mbushur Shqipërinë me aeroporte.” Në përfundim të fjalës, Paloka e quajti fitoren si hapin e parë të ndryshimit dhe se më tej duhet t’u jepet zgjidhje qytetarëve për problemet e shkaktuara nga Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: