Eksperti i ekonomisë në Partisë Demokratike, Enno Bozdo, komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, programin qeverisës të qeverisë “Rama3”, ku tha se nuk jepet zgjidhje për çështjet kryesore që shqetësojnë sot qytetarët.

Sipas Bozdos, në programin e qeverisë nuk jepet zgjidhje për çështje si pandemia, ekonomia, papunësia, etj, madje siç thekson eksperti, konfirmohet se do të vazhdohet me të njëjtën rrugë si tetë vitet që lamë pas.

“Pandemia, ekonomia, punësimi dhe korrupsioni, janë çështjet kryesore që shqetësojnë thellësisht qytetarët. Kur lexon programin kupton se ose kemi të bëjmë me një realitet virtual, ose ne nuk e dimë çfarë po ndodh në Shqipëri. Lufta ndaj pandemisë konsiderohet e suksesshme, sa do të vijohet me të njëjtin ritëm. Më lejoni të them se Shqipëria ka dyfishin e vdekjeve në raport me çdo vend tjetër evropian. Pra, në çështjen e pandemisë, ne jemi një dështim total. Sa i përket rimëkëmbjes ekonomike, ka disa çështje shumë të rëndësishme që shqetësojnë ekonominë shqiptare. Disa prej tyre janë borxhi shumë i lartë, rreziqet nga kontratat e koncesioneve, çështja e monopoleve dhe konkurrueshmërisë në treg, klima e biznesit, që paraqitet tejet shqetësuese. Për të gjitha këto unë jo vetëm nuk gjej përgjigje, por marr konfirmimin se do të vazhdohet me të njëjtën rrugë. Është e pamundur të rritet ekonomia 4.5%, në kushtet kur vendit po i mungon forca punëtore gjithnjë e më shumë, emigrimi është kthyer në emergjencë, kur 50% e çifteve të reja mendojnë se ky nuk është një vend për të jetuar, e aq më pak për lindur e rritur fëmijë.

Ajo që më shqetëson është gjuha që përgatitet, nëse ka qenë pak më realist programi në vitin 2013, tani shoh që kjo është një punë shkel e shko, sa për të thënë se po përgatisim një program. Nuk pasqyron asnjë realitet të vendit, është një realitet virtual. Nuk u jep drejtim apo zgjidhje problemeve kryesore të vendit, si ekonomia, papunësia, korrupsioni. Për korrupsionin nuk flitet fare, as për papunësinë, që është problemi kryesor i shqiptarëve sot. Duhen ndërmarrë shumë reforma për të arritur te ulja e papunësisë, ndërkohë që në program nuk gjen asgjë të shkruar e të konsoliduar.

Bujqësia dhe turizmi janë gjithashtu sektorë shumë të rëndësishëm, që kanë qenë shumë të goditur nga pandemia dhe vazhdojnë të jenë të goditur. Këto dy sektorë ishin të vetmit gjatë pandemisë që nuk arritën të merrnin as ndihmën më të vogël nga qeveria. Asnjë para për këto sektorë. Përfituan me kokrra ato ndërmarrje nga garancia sovrane. Po të lexoni fjalët që shkruhen aty për turizmin dhe bujqësinë, do të shihni se jemi shumë larg krahasuar me vendet e rajonit. Për turizmin nuk ka një instrument ndihme. Prisja diçka më realiste në program. Kur shohim si Edi Rama është sjellë me ekonominë, ne kuptojmë se këtu kemi të bëjmë me të njëjtin person, i cili nuk pritet të shkojë më larg. Pas një lufte 8-vjeçare, mendoja se do të kishte një refleksion të tij, pasi problemet janë atje. Pandemia është atje dhe vazhdon bën kërdinë akoma, turizmi po ashtu, papunësia dhe ekonomia. Prisja të shihja më shumë refleksion nga kryeministri, apo ministrat e tij të zgjedhur”, tha Bozdo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb