TIRANE– Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla ka zhvilluar një takim në Tiranë me të rinjtë përfitues nga Programi Kombëtarë i Praktikave të Punës. Gjatë fjalës së saj para 600 të rinjve përfitues nga ky program, ministrja e Arsimit theksoi faktin që këtë viti numri i vendeve për praktikantët është disa herë më i madh se viteve e shkuara, gjë e cila tregon prioritetin që qeveria i ka dhënë punësimit të të rinjve përmes eksperiencave më të mira të përfituara nga këto programe praktikash që zgjasin 3 muaj në administratën shtetërore por edhe në atë private.

“Unë nuk do flas shumë retorikë për këto mundësi, se vetë fakti që këtë vit numri i aplikantëve në këtë program është shumë herë më i madh se sa një vit më parë, janë arsye të forta që ne të mundësojmë në vitet e ardhshme edhe më shumë pozicione, edhe më shumë institucione që ofrojnë mundësi për të realizuar, për një numër më të madh të praktikave të punës, ashtu sikurse ju them që nga ju 500 që sot jeni përzgjedhur për praktikat e punës, janë afro 200 ndër ju që do të përzgjidhen me ato kontratat 1- vjeçare të punës në këto institucione që të mundësojnë edhe më shumë njohje më të plotë, edhe më shumë sukses nesër, kur ju në zgjedhjen tuaj të lirë të doni të konkurroni për vendet vakante në administratën publike, por jo vetëm, edhe në eksperienca të vyera e të çmuara që ju i keni parë në bizneset që janë pjesë tashmë e këtij programi dhe që është një risi e vitit 2017 të cilin ne do ta zgjerojmë edhe në vitet e ardhshme”, u shpreh Nikolla.

Ministrja e arsimit u ndal edhe tek prioritete për 2018 dhe reformat që ministria që drejton ka nisur të zbatojë.

“Besoj që kemi një mundësi të re për të cilën këto 100 ditë kanë mundësuar që të gjitha institucionet tona pa përjashtim në nivel qendror të punojnë me procesin e derregullimit, dhe unë, përfitoj nga rasti për t’ju ftuar ju 420 praktikantë që do të operoni pikërisht në institucionet e pushtetit qendror, pra në ministri, të shikoni se çfarë ka ndodhur realisht me procesin e derregullimeve, çfarë kemi bërë ne për të mundësuar një shërbim dinjitoz dhe cilësor për qytetarët, duke pamundësuar orët e gjata të pritjes apo sorollatjet nga njëra zyrë në zyrën tjetër, pa marrë përgjigje, ditë të harxhuara, para të shpenzuara për të marrë shërbimin që ju takon, por që shpesh herë kalonte jo vetëm në ditë por edhe muaj pa marrë shërbimin, pa marrë përgjigje nga administrata.Ju keni fatin që puna që është bërë në këto 100 ditë në të gjithë ministritë në gjithë shërbimin e Administratës Publike, ta matni se sa i vërtetë është fakti i një reforme të thellë të derregullimit të të gjitha shërbimeve në institucionet tona.”

Para të rinjve, Nikolla zbuloi edhe prioritete që ka Ministria që ajo drejton. Një ndër ta është mësuesia, duke nisur një reformë në fakultete për të ndryshuar modelin e marrjes së njohurive dhe shtyrë drejt këtij profesioni studentët më të mirë që dalin nga gjimnazet.

“Dhe, meqenëse fola për prioritetet, le të zbuloj para jush dhe para gjithë të tjerëve në fakt që na ndjekin, që një nga prioritetet do të jetë mësuesia, një reformë e thellë tërësore në fakultetet e edukimit dhe në programet që formësojnë mësues. Ju nuk mund të keni për fëmijët tuaj mësues sot bashkëmoshatarët tuaj sot që performojnë më dobët në gjimnaze apo në universitet. Kjo histori duhet të marrë fund dhe për sa na takon ne do të ndërmarrim të gjitha incentivat e nevojshme për të mbështetur me bursa studimi ekselentët maturantë që zgjedhin të jenë mësues. Ashtu sikurse qe këtë vit, së bashku me fakultetet dhe universitetet sepse është në zbatim, sigurisht, edhe të autonomisë së tyre. Fakti që kriteret për t’u pranuar në fakultete duhet të jenë fakultetet e mësuesisë specifikisht sepse është prioriteti ynë kombëtar. Do të jenë shumë të forta, dhe për sa i takon qeverisë, diskutojmë atë që ligji na njeh si detyrim, për të parë se sa ne do të rrisim mesataren për të gjithë ata maturantë që kërkojnë të vazhdojnë mësuesi.

Ky është një hap i rëndësishëm, i domosdoshëm për të mundësuar që në shkollat tona ne të kemi mësues cilësor sepse është thelbi kyç i suksesit për të pasur cilësi në gjithë sistemin tonë arsimor, ashtu sikurse ne jemi në këto 100 ditë, ne arritëm të kualifikonim, të trajnonim rreth 20 mijë mësues të cilët i kishin evidentuar nevojat e tyre përmes një testi të personalizuar tejet profesional. Dhe sot, mund të themi që 2,200 mësues që në testim dolën në nivelin e nevojave emergjente për kualifikim, sot kanë dalë nga ai nivel dhe kemi ri startuar një program të ri, konform standardeve më të mira europiane, për kualifikimin e gjithë mësuesve që janë në sistem”, tha ministrja Nikolla.

Aftësimi në gjuhët e huaja i të rinjve është një tjetër angazhim që ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka gjatë 2018.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb