Eksperti i ekonomisë, njëkohësisht edhe Drejtori i Kabinetit Basha, Dorjan Teliti akuzoi sot gjatë prezantimit të programit të PD-së për bujqësinë kryeministrin Edi Rama se për 8 vite ka braktisur Shqipërinë dhe fermerët.

Ai tha se Rama ka shkatërruar ekonominë tonë, ka rritur koston e jetesës, ka rritur papunësinë dhe varfërinë.

“Rama shkatërroi vendin tonë dhe na bёri tё humbim shpresën.Por mbi të gjitha, ai braktisi fermerët. Aktualisht, ky sektor jetik për ekonominë shqiptare, ku jeton gjysma e popullsisë së vendit tonë, është lënë në harresë totale.
Ndonëse toka shqiptare është e bekuar, kemi ujë, fusha e një klimë të jashtëzakonshme, cdo vit Shqipëria importon tre herë më shumë sesa ekporton, plot 1 miliardë dollarë produkte bujqësore e ushqimore importohen, tregues i qartë i hendekun galopant që ekziston mes propagandës së qeverisjes dhe realitetit ekonomik.
Aktualisht, importojmë dy herë më shumë produkte bujqësore se Maqedonia fqinje.
Pavarësisht se ka një kontribut që mund të shkojë deri në 1/5 e Prodhimit të Brendshëm Bruto, bujqësia zë vetëm 2%, e ripërsëris vetëm 2% të buxhetit vjetor të qeverisë. Po kështu, niveli i kreditimit nga sektori bankar mbetet i papërfillshëm me rreth 1% të portofolit të saj”, deklaroi Teliti.

Sipas tij, nëpërmjet skemave ekzistuese të subvencionimit kanë përfituar vetëm 1.5% e fermerëve, dhe kjo pasi qeveria dhe drejtuesit e bujqësisë shqiptare janë ulur këmbë kryq në shërbim të interesave klienteliste.

“Nuk është rastësi që Shqipëria përmbytet cdo vit, ndërkohë që 2/3 e tokës bujqësore vuan nga aksesi në ujë, duke passjellë që sot 35% e tokës arë të mos kultivohet e të lihet djerrë.
Nga ana tjetër, klima mbytëse në biznes dhe efektin zinxhir në ekonominë bujqësore e atë rurale, ka bërë që mijëra ferma e sipërmarrje të vogla në sektorin e agropërpunimit të mbyllen, një fenomen qe ka prekur sidomos zonat kodrinore e malore të vendit, cka ka thelluar papunësinë e varfërine, duke shkaktuar emigrimin masiv të popullsisë.
Mungesa e investimeve të qënësishme në infrastrukturën bujqësore, kombinuar me një skemë subvencionimi klienteliste, ka bërë që rendimenti prodhues në bujqësinë shqiptare të jetë 30% më i ulët se rajoni.
Ndërkohë, krahasuar gjithmonë me vendet e rajonit, kostot e prodhimit janë 30% më e lartë.
Me pak fjalë, prodhojmë shumë pak, dhe njëherazi prodhojmë shumë shtrenjtë.
Nga qindra mijëra ferma bujqësore në vend, vetëm 10.000 prej tyre kanë traktor për të punuar tokën.
Dhe sikur këto fakte tejet shqetësuese të mos mjaftonin, favoritizmi dhe monopolet e tregtarëve ushqimorë, kanë bërë që cilësia e dobët e ushqimeve të tregtuara në vendin tonë, të cilat janë ende larg standarteve të kërkuara, të kthehen shpesh here në rrezik për shëndetin publik”, tha ai.

Teliti theksoi se konsumatori shqiptar sot paguan cmime për produktet ushqimore që krahasohen me mesataren europiane, shpesh here dhe më shtrenjtë madje, ndonëse të ardhurat për frymë janë ku e ku më të ulta.

“Kjo braktisje masive e fermereve nuk mund të vazhdojë më. Fermeri shqiptar meriton të fitojë, meriton që mundi i tij të shpërblehet, meriton një qeverisje që e mbështet atë realisht. Pa bujqësi, Shqipëria nuk ka një ekonomi të fortë. Vendi ynë po përballet me një vendim në zgjedhjet e ardhshme:
Ose do të fitojë Rama dhe do të humbasë Shqipëria, Ose do të humbasë Rama dhe të fitojë Shqipëria.
Jam këtu sot për të mbështetur Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike, sepse besoj se Basha mund të sjellë një ndryshim të madh për vendin tonë, të sjellë një shpresë të re në vend të zhgënjimeve të vjetra, me një plan pune konkret në vend të premtimeve boshe. Unë kam besim tek Lulzim Basha, dhe jam i sigurt që do ja dalë të përmirësojë dukshëm mirëqënien e shqiptarëve. Së bashku do të fitojmë”, u shpreh Teliti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb