Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj në prezantimin e programit për ekonominë dhe financat në Kuvend tha se, “ky program ndërtohet mbi arritjet e dy mandateve paraardhëse duke krijuar rrugën drejt objektivit të Shqipërisë 2030, ku askush s’do të lihet mbrapa duke u mbështetur në një politikë ekonomike të qëndrueshme”.

“Gjatë mandatit të parë qeveria shqiptare vendosi themelet e mirë administrimit. Gjatë mandatit të dytë u ngrit karabinaja e një sistemi fiskal të qëndrueshëm. Në mandatin e tretë do të punojmë për të konsoliduar punën e kujdesshme dhe të palodhur dhe mbi të gjitha për të garantuar një të ardhme të sigurt”, theksoi ajo.

Duke i kthyer përgjigje akuzave të opozitës për nivelin e varfërisë, Ibrahimaj tha se “sipas INSTAT dhe EUROSTAT, niveli i varfërisë në Shqipëri është më i ulët se vendet e rajonit Serbia, Rumania apo mali i Zi dhe është në nivelin 23%. Ky nivel ka ardhur në rënie nga viti në vit”.

“Në fund të këtij viti të ardhurat do të jenë rreth 160 miliardë lekë më shumë sesa viti 2013”, tha ajo.

“Ne do të vijojmë me modelin e taksës progresive, duke besuar në filozofinë se ata që fitojnë më shumë duhet të paguajnë më shumë. Në këtë mënyrë do të ndihmojmë të gjithë qytetarët me të ardhura të ulta. Në këtë kuadër baza e tatueshme për pagën do të rritet nga 30 deri në 38 apo 40 mijë lekë në fund të këtij mandati. Me këtë masë 435 mijë të punësuar, ose 63.8% e totalit të të punësuarve do të paguajnë zero taksa”, u shpreh Ibrahimaj.

“Do të mbështesim shtresën e mesme duke rishikuar fazën e sipërme të tatimit progresiv. Tatimi 23% do të aplikohet në fund të mandatit vetëm për pagat mbi 250 mijë lekë”, tha ajo.

“Ekonomia do të vijojë të rritet mesatarisht me 4% gjatë mandatit të tretë. Sektorët pritoritarë mbi të cilët do të bazohet zhvillimi i ekonomisë janë ato që u prezantuan më parë, turizmi, bujqësia, industria përpunuese, energjia, teknologjia, transporti”, theksoi Ibrahimaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb