Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka prezantuar këtë pasdite programin për artin, kulturën dhe trashëgiminë, prej ku iu premtoi artistëve ringritjen e Teeatrit Kombëtar, siç ishte dhe aty ku ishte.

Përballë artistëve, kryedemokrati u shpreh se “Natyrisht, të flasësh pas jush është edhe një sfidë e madhe. Shumë u tha në këtë sheh sot dhe mua nuk më ka mbetur gjë tjetër veçse të nënvizoj edhe një herë qartë dhe prerë atë që më kërkuat në fund të fjalës tuaj: vullnetin e palëkundur, timin dhe të qeverisë së ardhshme, për të bërë realitet të gjitha zotimet tona”.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Faleminderit nga zemra! Zoti Budina, në emër të të gjithë artistëve qëndrestarëve, mbrojtësve të Teatrit Kombëtar, për këtë dhuratë të çmuar! Evokon dhimbje kur e shoh dhe jam i bindur që evokon dhimbje të gjithë qëndrestarëve. Por mbi të gjithë, evokon përgjegjësi, shpresë dhe besim. Kjo vepër e jashtëzakonshme, kjo pjesë e çmuar e historisë të qytetit tonë, e kryeqytetit të shqiptarëve, ky monument i gjallë i brezave të tërë, të brezave të kulturës. Me të vërtetë u shemb pabesisht përkundër një qëndrese qindra ditore të njerëzve të artit dhe të kulturës, të simpatizantëve dhe mbështetësve të artit dhe të kulturës dhe të opozitës, të Partisë Demokratike që është krenare ndër shumë beteja që ka qenë në krahun tuaj në atë betejë. Por ata që e shembën, bëjnë gabimin e jetës së tyre nëse mendojnë se beteja mbaroi.

Bëjnë gabimin e tyre nëse nënvlerësojnë nënshkrimin tim. Unë nuk shquhem për tone të forta, as për metafora agresive, por çfarë kam nënshkruar e kam bërë realitet. Po ju them sot, se ky simbol nuk do të jetë thjesht një ngacmues i emocionit të dhimbjes për natën e errët të 17 majit, por do të jetë kujtuesi i përditshëm dhe i përnatshëm deri sa teatri të ringrihet siç ishte, aty ku ishte. Sikundër dua t’ju them atyre që u vërsulën mbi këtë vepër dhe mbi artistët brenda dhe rreth kësaj vepre, nënshkrimi im nuk parashikon vetëm ringritjen e teatrit aty ku ishte, ashtu siç ishte, por edhe çuarjen para drejtësisë të gjithsecilit që mori pjesë në atë krim, nga urdhëruesi, tek zbatuesit do të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Të dyja janë dimensione të bashkëjetesës europiane, edhe nderimi për artin, për kulturën, për trashëgiminë kulturore, edhe fundi i kulturës së pandëshkueshmërisë.

Faleminderit nga zemra për këtë dhuratë të çmuar! Faleminderit profesor Budina! Për mua është një kënaqësi e jashtëzakonshme! Natyrisht, të flasësh pas jush është edhe një sfidë e madhe. Shumë u tha në këtë sheh sot dhe mua nuk më ka mbetur gjë tjetër veçse të nënvizoj edhe një herë qartë dhe prerë atë që më kërkuat në fund të fjalës tuaj: vullnetin e palëkundur, timin dhe të qeverisë së ardhshme, për të bërë realitet të gjitha zotimet tona. Zotimet e marrëveshjes me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe zotimet e programit tonë për artin dhe kulturën. Të dashur miq, vij këtu me peshën e rëndë të përgjegjësisë që këto zotime sjellin një peshë të dyfishtë, që sjell vetëdija se jam kryetari i një force politike që lindi nga elita e mendjes dhe e shpirtit të këtij kombi. Nga studentët, nga pedagogët, nga intelektualët, nga artistët një pjesë e të cilëve kam kënaqësinë t’i shoh sot përsëri në vijën e parë në kuptimin figurativ dhe fizik të fjalës.

Për mua kjo është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Do të ishte e tillë edhe në kushtet ku Shqipëria e 2021-it do të kishte qenë Shqipëria e ëndrrave tona të 90-ës, 91-shit apo 92-shit. Është e dyfishtë tani që ndodhemi në një udhëkryq të rrezikshëm. Tani që një perde e hekurt po bie, që po i ndan përsëri shoqëritë në të lira dhe në të robëruara, në ato që garantojnë rotacion, normalitet, pozitivitet dhe ato që garantojnë shkatërrimin e gjithçkaje për hir të një sundimtari dhe të një grushti njerëzish. Kjo perde e hekurt e cila po përvijohet jo thjesht gjeostrategjikisht si lindje dhe perëndim por edhe brenda shoqërive, kërcënon si asnjëherë tjetër Shqipërinë. Ndaj, zgjedhjet e 25 prillit janë vendimtare, ndoshta më vendimtaret prej atyre që na ndanë nga diktatura në vitin 1992. Këto ditë ne po luftojmë për të ardhmen e Shqipërisë. Janë, pra, zgjedhjet më të rëndësishme në historinë 30-vjeçare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb