Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi prezantoi sot programin për mbrojtjen, gjatë seancës për votimin e qeverisë së re.

Peleshi tha se “ky program mbështetet në reflektimin tonë për qasjen afatgjatë mbrojtja 2030. Për të përmbushur përparësitë e mbrojtjes kombëtare, asaj kolektive si dhe menaxhimin e situatave të ndryshme të jashtme apo të brendshme. E gjitha kjo në harmoni të plotë me axhendën e NATO-s 2030 dhe partneritetin tonë strategjik me SHBA”.

Peleshi risolli në vëmendje moton e ambicies së ardhshme të mbrojtjes, “Forca të Armatosura moderne të ndërveprueshme dhe kontribuuese”.

“Programi është hartuar në optikën e ndryshimeve të mjedisit të sigurisë globale dhe rajonale, rreziqet dhe kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare, kërcënimet asimetrike, përmendim këtu pandeminë e shkaktuar nga COVID-19, ndryshimet klimatike dhe fenomenet shkatërruese natyrore, terrorizmin, emigracionin në kufi të Europës etj”, tha Peleshi.

“Fokusi i programit është të jemi forcë që përballet me të paparashikueshmen, ndërveprueshme dhe e përshkallëzuar që mund t’i përgjigjet në mënyrë proaktive situatës dhe e aftë të veprojë në një larmi skenarësh”, tha Peleshi.

“Shtyllat kryesore ku do të mbështetet puna e MM gjatë këtij mandati, janë kuadri konceptual në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes i rishikuar dhe i përditësuar me tendencat aktuale dhe sfidat e së ardhmes. Kapitali njerëzor. Modernizimi dhe përmirësimi i infrastrukturës ushtarake. Ngritja dhe konsolidimi i një rrjeti qendror dhe rajonal të mbrojtjes civile. Bashkëpunimi me aleatët e ngushtë si në kohë paqeje dhe krize”, tha Peleshi.

Peleshi theksoi se, “FA do të kenë kapacitete të modernizuar dhe infrastrukturë të përmirësuar, e cila do të mundësohet nga përmbushja në 2024 të angazhimit të marrë në Samitin e Uellsit për buxhetin e mbrojtjes në masën 2% të PBB dhe 20% të saj për investime dhe modernizim”.

Peleshi nënvizoi se, “modernizimi i bazës ajrore të Kuçovës është projekti më madhor dhe më i rëndësishëm i investuar nga NATO në rajonin tonë, si në pikëpamje të sigurisë, por dhe në pikëpamje të sigurisë strategjike që merr vendi ynë. Duke mos harruar edhe rëndësinë e impaktin që do të ketë në ekonominë e zonës nëpërmjet injektimit të një investimi për mbi 15 milionë euro. Jemi në fazën e përfundimit të prokurimit nga Agjencia e prokurimeve të NATO-s dhe planifikojmë që brenda fundit të këtij vitit të fillojë implementimi i projektit të bazës së Kuçovës”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb