Grupi Balfin (Balkan Finance Investment Group) është një ndër grupet private investuese më të mëdha në Shqipëri dhe rajon. Portofoli i investimeve të Grupit mund të kategorizohet në aktivitete për zhvillimin e pasurive të paluajtshme, shitjet me pakicë, menaxhimin e hapësirave tregtare apo industriale dhe shërbime, telekomunikacion, fincancim i konsumatorëve, industri minerare, turizëm dhe agrikulturë. Balfin Group është një aktor kryesor në tregjet shqiptare dhe ato ndërkombëtare duke vepruar në 10 vende.

Balfin Group ka krijuar një reputacion të tij si Grupi më aktiv dhe inovator falë ideve të suksesshme të investimeve, të cilat kanë transformuar dhe revolucionarizuar jo vetëm tregun por edhe sjelljen e konsumatorëve. Sot, me zyrat qëndrore në Tiranë, Grupi Balfin është prezent me aktivitetin e tij përtej kufijve të Shqipërisë, në Austri, Maqedoni, Mali i Zi, Dubai, Kosovë, Greqi, Itali, Hong-Kong dhe Amerikë.

Me një vizion ambicioz, me një përkushtim kolektiv për të shkëlqyer, dinamizëm dhe ndershmëri, me një strukturë të fortë financiare dhe biznesi, dhe me një eksperiencë të gjerë të fituar gjatë disa viteve të investimeve dhe rritje, Grupi Balfin ka ndërtuar një prezencë të fortë në Shqipëri dhe në tregjet ndërkombëtare.

Nisur nga një ekspansion kaq i madh në investime dhe shtrirje gjeografike në disa kontinente, Grupi Balfin është njëkohësisht dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj dhe më dinamikë ndër kompanitë private në tregun shqiptar. Punonjësit e këtij Grupi janë një vlerë e shtuar dhe Grupi i kushton një vëmendje shumë të madhe zhvillimit, karrierës, avancimit profesional dhe personal të tyre.

Njëkohësisht, Grupi Balfin është në kërkim të vazhdueshëm të talenteve në biznes nëpërmjet programit “Ideja jote për Biznes” duke krijuar mundësi punësimi, partneriteti apo dhe zhvillimi të bizneseve të tjera.

Për të mësuar më shumë rreth politikave të këtij Grupi ne zhvilluam një bisedë me Znj. Anjeza Kelmendi – Drejtoreshë e Burimeve Njerëzore pranë këtij Grupi.

Anjeza

Si një ndër Grupet më të mëdha private në Shqipëri, cili është fokusi juaj dhe orientimi në fushën e Burimeve Njerëzore?
Padyshim duke qenë një ndër punëdhënësit më të mëdhenj të sektorit privat në Shqipëri, Grupi Balfin ka një përgjegjësi dhe operon në tregun e punës në mënyrë që të kontribuojë në një rritje të mundësive dhe cilësisë në këtë treg.
Në Grupin tonë punojnë mbi 3,000 persona pa përfshirë këtu nënkontraktorët që punojnë për projektet tona dhe në këtë numër të madh punonjësish bashkohen profesionistë të fushave të ndryshme duke gërshetuar kështu eksperiencën, profesionalizmin dhe energjinë për t’ju përgjigjur në mënyrën efikase çdo sfide.
Fokusi i Grupit tonë në fushën e punësimit është në krijimi i mundësive për të rinjtë. Mosha mesatare e punonjësve në Grupin tonë është 35 vjeç. Të rinjtë janë në fokusin tonë pasi ata përfaqësojnë pjesën më në nevojë për t’u integruar në tregun e punës po njëkohësisht ata paraqesin një energji për të ardhmen e Grupit Balfin.

Si mundet të përfitojnë persona të interesuar nga bashkëpunimi me Grupin tuaj? Mund të na thoni më shumë mbi projektin “Ideja jote për Biznes”?

Një nga qëllimet dhe objektivat e Grupit Balfin për vitin 2016 si dhe pjesë shumë e rëndësishme e misionit të Grupit është përgjegjësia sociale dhe mbështetja që Grupi kërkon ti japë zhvillimt të ideve të reja të biznesit. Brenda Grupit tonë ne kemi ngritur strukturën dhe ndjekim me përparësi impaktin që Grupi ynë duhet të japë në komunitet për të sjellë për shoqërinë dhe komunitetin mbështetje dhe ndihmesë.

Gjithashtu si një Grup inovator sapo kemi lançuar programin “Ideja Jote për Biznes”. Nëpërmjet këtij programi ne kërkojmë që të tërheqim vëmendjen e kategorive të ndryshme të shoqërisë, biznese të ndryshme, persona me ide, etj., të paraqesin një projekt ide biznesi, sigurisht duke u njohur më parë me aktivitetin e shoqërive të Grupit. Një komision profesionistësh do të përzgjedhë idenë fillestare dhe fituesit e kësaj faze do të asistohen nga Departamenti i Projekteve të Grupit për të zhvilluar një plan të mirëfilltë biznesi, i cili më pas do të kalojë në procesin e përzgjedhjes së mëtejshme.

Projektet më të mira do ti kalojnë bordit të drejtorëve të Grupit të cilët do të bëjnë dhe përzgjedhjen përfundimtare. Pas përzgjedhjes, në varësi të planit mund të ofrohet një partneritet, një mundësi punësimi apo një mundësi e zhvillimit të biznesit me mbështetjen e Grupit. Detajet e këtij programi i gjeni në website të Balfin Group si dhe në rrjetet sociale të shoqërive të Grupit www.balfin.al

Ju përmendët më parë se punonjësit tuaj kanë rëndësi të madhe për kompaninë. Cilët janë ato faktorë që ju diferencojnë nga punëdhënësit e tjerë në tregun e punës?
Duke patur parasysh madhësinë që ka Grupi, portofolin e diversifikuar të bizneseve që përmban ai dhe ecurinë mjaft pozitive të biznesit të Grupit, Balfin ofron për punonjësit një mjedis pune të sigurtë dhe afatgjatë, me kushte punësimi dhe paketa përfitimesh që diferencohen shumë pozitivisht nga punëdhënësit e tjerë, dhe mbi të gjitha një mundësi progresive për zhvillim dhe avancim në karrierë.
Grupi Balfin është përherë në kërkim të personave të kualifikuar që të jenë pjesë e ekipit dhe për ata punonjës që demonstrojnë dedikim, dëshirë dhe potencial për zhvillim dhe që arrijnë performancë të lartë në punën e tyre, Grupi ynë ofron mundësinë e një karriere dhe pakete benefitesh në rritje.
Njëkohësisht për Grupin Balfin është shumë e rëndësishme familja. Punonjësit tanë kanë mundësinë e gjetjes së një raporti të barazpeshuar midis punës dhe jetës private.
Ne në të njejtën kohë jemi shumë të vëmendshëm mbi atë që mendojnë dhe kërkojnë punonjësit pasi kjo na siguron besnikërinë e punonjësve tanë me kompaninë dhe bashkë me të dhe qëndrueshmërinë dhe avancimin e biznesit të kompanisë tonë.
Një tjetër element që forcon pozitën tonë në tregun e punës është investimi i vazhdueshëm që ne bëjmë për punonjësit tanë. Ky investim në trajnime të vazhdueshme bën që punonjësit tanë dhe kompania në të njejtën kohë të arrijnë objektivat reciproke dhe të forcohet marrëdhënia punonjës – punëdhënës. Kapitali human është aseti më i rëndësishëm i një kompanie dhe si i tillë ne vazhdimisht nëpërmjet strategjisë tonë në Burime Njerëzore bëjmë të pamundurën që ky kapital të jetë cilësor dhe të mbetet pjesë e vazhdueshme e kompanisë.

Çfarë kontributi jep Grupi juaj për studentët e sapo diplomuar?
Për të rinjtë që sapo dalin nga bankat e shkollës Grupi Balfin ofron praktika profesionale me kohë të plotë apo të pjesshme. Praktika profesionale është një kontribut real që japim për edukimin dhe këshillimin e specialistëve dhe profesionistëve të ardhshëm pasi në këtë mënyrë studentët jo vetëm krijojnë kontaktin dhe marrin njohuri praktike në biznes por gjithashtu praktika studentore është një nga format e rekrutimit që ne përdorim. Kështu studentët të cilët paraqiten në praktikat profesionale me rezultate shumë të mira dhe shpalosin vlera dhe tipare që përkojnë me ato të Grupit tonë kanë mundësi të integrohen më pas si punonjës në kompanitë tona në varësi të nevojave për punësim që kompanitë kanë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: