Puna e ndërtimit në projektet e Kupës së Botës shkaktoi vdekjen e deri në 500 punëtorëve. Kjo u pohua nga një zyrtar i lartë i Katarit. Shifra është të paktën dhjetë herë më e lartë se sa ishte pranuar më parë dhe do të nxisë shqetësimet për të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve emigrantë.

Hassan al-Thawadi, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Suprem të Katarit për Dorëzimin dhe Trashëgiminë, e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste me talkSPORT, e cila ka të drejta transmetimi për turneun.

Piers Morgan e pyeti: Cili është totali i sinqertë për punëtorët emigrantë që humbën jetën nga ose si rezultat i punës që ata po bëjnë për Kupën e Botës në tërësi?

Thawadi u përgjigj: Përllogaritja është rreth 400, midis 400 dhe 500. Nuk e kam numrin e saktë

Komiteti Suprem ka raportuar më parë 40 vdekje midis 2014 dhe 2021, duke përfshirë 37 nga ato që përshkruhen si incidente jo-pune, por si sulmet në zemër.

Komiteti tha në një deklaratë pas intervistës se sekretari i përgjithshëm po i referohej “statistikave kombëtare që mbulojnë periudhën 2014-2020 për të gjitha vdekjet e lidhura me punën në mbarë Katarin, duke mbuluar të gjithë sektorët dhe kombësitë”.

Shumë nga punëtorët emigrantë në Katar vijnë nga Azia Jugore, veçanërisht India, Bangladeshi dhe Sri Lanka. Aktivistët dhe gazetarët kanë raportuar se 6,500 ose 10,000 emigrantë kanë vdekur, ndërsa Katari ka pohuar se vetëm tre persona kanë vdekur në lidhje me punën e ndërtimit të stadiumit.

Katari ka këmbëngulur se po përmirëson të drejtat e punëtorëve emigrantë, duke përfshirë futjen e një page minimale mujore prej 1,000 rial (229 £) dhe një kërkesë që punëdhënësit të ofrojnë strehim dhe një pagesë ushqimore përveç përmirësimit të sigurisë në punë./The Times

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb