Nga: FATMIRA NIKOLLI

Përtej imazhit, shumëçka mbeti e paqartë, e shumëç ka mbeti për një herë tjetër. Përtej termave teknikë, artistët ngritën pyetje dhe morën përgjigje që herë i lanë të (pa)kënaqur e herë qenë gjysmake, duke nisur nga hapësira e matur me metra dhe deri te mungesa e luksit.
Në prani të kryeministrit Edi Rama, ministres se Kulturës, Mirela Kumbaro, kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, artistëve të TKOB, TK, Qendrës Kulturore të Fëmijëve dhe artistëve të skenës së pavarur artistike, prezantimin e projekteve të teatrove në detaje e bëri arkitekti Olsi Eftimi, i cili e nisi me lidhjet e familjes së tij me artin dhe teatrot. Mandej, para të pranishmëve në fillim ai paraqiti imazhet e gjendjes së rënduar të TKOB dhe ish-Laboratorit të Hidroteknikës ku do ndërtohet ‘Turbina’. Mandej, tregoi ato që i cilësoi si zgjidhje surprizuese të problemeve të TKOB, nga akustika te hapësirat, riformulimi i tyre për biblioteka, kafene, dhoma veshjeje, kënde për prova, hapësirë për orkestrën e jo vetëm, edhe për vënien në funksion të hapësirave të keqpërdorura apo papërdorura, duke ruajtur kujtesën dhe trashëgiminë e TKOB, por duke e sjellë me kushte bashkëkohore.
Eftimiu, u përqendrua gjatë tek akustika e TKOB, çka ka qenë problem, prej kohës kur ky teatër u vu në funksion së pari, rreth 60 vite më parë.
Ai foli (me terma teknikë dhe me shpejtësi, duke pasur parasysh axhendën e kryeministrit) për rritje të volumit të zërit në sallën e TKOB, me sisteme që mundësojnë rikthimin ose shpërndarjen e zërit në kënde të ndryshme të sallës, foli për reflektorë akustikë primarë dhe dytësorë, për tavan akustik, ballkone që rrisin volumin, për panele absorbuese e reflektuese, që përshtaten për koncerte, opera, balete, dhe madje edhe recitale e muzikale, për risi që kanë të bëjnë me vendosjen e perdeve të automatizura, si edhe për termoizolim të gjithë godinës, rritje dimensionesh në gjerësi e lartësi për të mos futur zhurmat që vijnë nga jashtë, për ngjyrat e ngrohta të imazheve, për panelet e lëvizshme që i vihen në shërbim orkestrës, që bëjnë që zëri të mos humbasë, foli për përplasje të zërit në ballkone dhe shpërndarje të tij në auditor duke krijuar reflektim akustik mjaft të mirë, kryesisht në pjesën e poshtme të auditorit dhe lozhës VIP; foli për panel akustik në gropën e orkestrës, panel akustik në urën e ndriçimit, panel akustik të varur dhe panel akustik të kapur në mbulesë. Ai tha se “ne duam një verbërim 1.8 sekonda që arrihet në salla si ajo e Oslos apo e La Scala-s. Volumi i limituar akustik tani është 5300 m3 dhe do bëhet 8000 m3”. Ajo për të cilën nuk u fol edhe pse pyetjet nuk munguan janë përmasat e skenës: sa metra e lartë, e gjerë, apo e gjatë, ndonëse arkitekti tha se është më e madhe në hapësirë se ç’është aktualja. Më herët, Olsi Eftimi foli edhe për kushtet e vështira të artistëve dhe punonjësve të skenës, që ndryshojnë veshjet e skenës dhe të dyshemesë në kushte të jashtëzakonshme, që mbajnë veshur kanotierë, kuptohet që nuk kanë një sallë zhveshjeje. Ai tregoi imazhet e dhomës së orkestrës, sallën e provave të baletit, garderobën, sallën e provave, foli për sistem elektrik e ngrohjeje.
Sa i takon “Turbinës” ose skenës së re, Olti Eftimi tha se do jetë me dy salla (një me 400 vende e një me 150), me një ambient ekspozimi të hapur e një të mbyllur, se do të konservohen disa pjesë që të shërbejnë si objekte muzeale e artistike- si instalacione. Foli për dysheme të përshtatshme për baletin dhe që aty ka edhe panele për zërin, që nuk ia mbërrijnë kualitetit të TKOB, por që janë në gjendje të mirë, foli për hyrjet dhe një bar e mensë artistësh, me hapësirat ndihmëse të ndara. “Kolona e ‘Turbinës’ do ketë reklama të shfaqjeve sipër dhe sinjale ndriçimi si semafor për tërheqjen e artistëve. Hyrjet i kemi para si salla spartane, jo të luksit- por cilësi e komoditet, dhe nuk kemi shpenzuar në luks”.
PYETJET E ARTISTËVE, PËRGJIGJJA E ARKITEKTIT
Artistët e Operës
Shqetësimet e artistëve të Operës ishin disa: nga ku do parkojnë makinat, te ku do kenë sallat e provave, ku janë dhomat e zhveshjes, ku do ushtrohen balerinët, cilat do jenë përmasat e skenës, ku do punojë kori etj., etj. Pyetjet u bënë nga tenori Armaldo Kllogjeri apo nga sopranoja Eva Golemi. Ndërsa violinistja Anduena Sula kërkoi me ngulm të dijë se ç’do bëhet me fatin e tyre, ndërsa opera rindërtohet dhe tha se nuk ka nevojë t’i paraqiten problemet e operës, të cilat i “di më mirë se ju, se kam jetuar me to”. Artistët e Operas pyetën minsitren se ku do jenë ata gjatë viteve të rikonstruksionit. Kumbaro tha se po hartohet nje kalendar që do të prezantohet në opera së shpejti.
Arkitekti Olsi Eftimi tha se ndërhyrjet kryesore do të jenë në skenë, në sallat ku do të punojnë kori, balerinët, të cilët për herë të parë do të kenë mundësi që të kenë dhoma, ku mund të ndërrohen gjatë provave. Vëmendje i është dhënë edhe bibliotekës, kafes ku artistët mund të pushojnë me miqtë, por edhe pozicionimit të gardërobës, si edhe ka pasur ndërrime vendesh, është krijuar gropë për orkestrën etj.
Pyetja specifike e Armaldo Kllogjerit për hapësirat e dhomave të solistëve që do të studiojnë, sa do jetë hapësira në metër katror për çdo instrumentist, do mbajë gropa e orkestrës dhe sa është hapësira midis instrumentistëve që do performonjë në këtë gropë, arkitekti iu përgjigj: “Shpresoj t’i kem këtu dimensionet, mbase për këtë lëmë takim tjetër me ju. Skena nuk preket, ndryshon vetëm dalja, e cila dihet që nuk është moderne, organizimi i skenës dhe sallës është ndryshe nga ajo aktuale. Do të shtohen dy xhepat në të majtë dhe të djathtë. E vetmja gjë është që ndryshon komplet është teknologjia e poshtme dhe nuk është teknologjia e skenës. Kemi shtuar dy dhomat e veshjes së balerinëve për femra dhe për meshkuj, që nuk janë aktualisht, dhe dhoma e valltarëve”.
Artistët e Teatrit Kombëtar
Bujar Asqeriu kërkoi që të ketë skenë lëvizëse dhe vuri në dukje rëndësinë e xhepave për ndërrimin e akteve, e ndërrimin e dekoreve. “Do të hyjnë dhe do të dalin dekoret, por do të hyjnë dhe do të dalin edhe artistët, sepse jo të gjithë artistët mund të dalin njëkohësisht në skenë; artistët që presin duhet menduar, që të rrinë pak si artistë, jo si kuaj”. Arkitekti tha se “në fakt ka xhepa, por ndoshta vizualisht ne i kemi vënë me të njëjtën ngjyrë me skenën. Disa nga zgjedhjet estetike që ne kemi bërë mund të shpjegohen edhe teknikisht me vështirësi, por që do të mundohemi t’jua shpjegojmë. Në të majtë kemi skenën e madhe, në të djathtë kemi skenën e vogël, skena e vogël ka vetëm tre radhë fikse, edhe të gjitha të tjerat palosen. Ndërsa në skenën e madhe, linjat që shihen me të zezë janë perdet, dhe këto krijojnë edhe pjesën e xhepave që janë 6 metra në secilin krah”.
Vasjan Lami
Aktori Vasjan Lami teksa u ndali tek akustika, ngulmoi të ngrinte një shqetësim, atë të përplasjeve midis dy sallave, ku do të interpretojnë trupat e aktorëve (400-150-vendëshe të ‘Turbinës’). Kjo gjë, sipas tij, mund të çojë edhe në dëmtimin e tyre. “Për sa u përket sallave, këtu është quajtur që në fillim skena e re, duke kërkuar vendet që mund të ndërtonim sipërfaqe të reja. Gjithashtu për sa i përket akustikës, mund të plotësohen kërkesat e Teatrit Kombëtar. Për sa i përket dhomës së provave, janë tri zyra, ndërsa provat do të bëhen në skenë”. Në fund, pasi doli nga takimi, ai tha se “u quajt teatër spartan, një teatër provizor që nuk ka kushtet e një teatri vërtet profesionist”.
Sokol Angjeli
Aktori Sokol Angjeli nuk e fshehu gëzimin kur dëgjoi lajmin nga vetë kryeministri i vendit se, TK do të ndërtohet sërish në qendër të Tiranës. “Ky prononcim i jep përgjigje një dileme shumë të madhe tonës, që ka qenë për prishjen e skenës së teatrit”, tha ai. Mendimi që tani Teatri Kombëtar nuk do të ndërtohet nën varësi të ndërtesave të tjera, Angjeli e sheh mbi gjithçka, aq sa mendon se duhet ta pranojë ndërtimin e skenës së re tek ish-Laboratori i Hidroenergjitkës siç është, duke bërë maksimumin edhe përballë mungesave. “Më së fundmi, kryeministri erdhi me konceptin, që Teatri Kombëtar do të jetë një godinë e veçantë në qendër të Tiranës. Ky gëzim është i mrekullueshëm në ambientin teatror”, shtoi ai.
Altin Basha
Regjisori Altin Basha pyeti se si do të jetë marrëdhënia skenë-spektator? Çfarë risie do të sjellin këto projekte? Arkitekti Eftimi iu përgjigj këtij konstatimi, se auditorët e skenave jo vetëm që do t’i kryejnë funksionet siç duhet, por do të kenë edhe hapësira mbajtëse për peshat e ndryshme në skenë.
Hervin Çuli
Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli vërejti se nuk ka xhepa në teatër dhe se xhepat janë të rëndësishëm. Ndërsa arkitekti u shpreh se po punohet edhe për dekorin, duke u marrë mendime nga artistët që punojnë çdo ditë në këto ambiente. Ndërsa xhepat do të jenë pjesë e këtij projekti.
“Në fakt ka xhepa, por ndoshta vizualisht ne i kemi vënë me të njëjtën ngjyrë me skenën. Në skenën e madhe linjat që shihen (gjatë prezantimit me slide për të pranishmit) me të zezë janë perdet, dhe këto krijojnë edhe pjesën e xhepave që janë 6 metra në secilin krah”.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: