TIRANE- Ka nisur në vendin tonë zbatimi i projektit “Asgjësimi i stoqeve të tepërta kimike”. Në kuadër të Marrëveshjes Teknike ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Prezencës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Tiranë, për zbatimin e këtij projekti, në ambientet e grup-depove “Qafë Mollë 2” u zhvillua ceremonia për dorëzimin për asgjësim jashtë vendit të 116 tonë të kimikateve stoqe të përbërë nga 47 lëndë të ndryshme kimike.


Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli; Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-s, Lamberto Zannier; zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Viktor Berdo, ambasadorë të vendeve donatore, respektivisht të OSBE, të Republikës Çeke, Turqisë, Gjermanisë dhe Austrisë, si dhe ushtarakë të lartë të FA.

Në fjalën e saj ministrja Kodheli theksoi se, “projekti që po starton është pjesë e atyre sfidave me të cilat FA përballen sot, me implikime strategjike dhe ndikim të drejtpërdrejtë në të tashmen dhe të ardhmen e vendit dhe të popullit tonë. Ndikimi në popullsi shfaqet për shkak të rrezikut që këto mbetje të dëmshme paraqesin për mjedisin dhe njerëzit, si dhe për joshjen që ato ofrojnë për t’u përdorur si armë në duart e elementëve kriminalë. Po ashtu, mbetjet e dëmshme kimike janë evidentuar edhe si sfida që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e mjedisit dhe jetës së qytetarëve por edhe me detyrimin që vendi ynë të përmbushë standardet mjedisore të BE”.

Më tej znj. Kodheli u shpreh: “Falë angazhimit dhe kontributit të OSBE-së dhe vendeve mike si Norvegjia, Austria, Gjermania, Turqia e Republika Çeke, sot do të fillojë largimi nga vendi ynë, dhe shpërbërja përfundimtare, i 116 tonë lëndëve kimike të rrezikshme. Projekti për asgjësimin e lëndëve të dëmshme kimike është hapi i parë i një procesi i cili do të vijojë deri në asgjësimin e gjithë mbetjeve të dëmshme të trashëguara nga e kaluara”.

Ministrja Kodheli në fund të fjalës së saj falënderoi edhe njëherë qeveritë e vendeve donatore për bujarinë e treguar për realizimin e projektit dhe angazhimin konstant në mbështetje të Shqipërisë. Gjithashtu ajo falënderoi FA për kontributin në evidentimin e stoqeve, grumbullimin, paketimin, ruajtjen dhe përfundimisht largimin e këtyre mbetjeve të rrezikshme kimike.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-s, falënderoi ministren Kodheli dhe FA Shqiptare për angazhimin e treguar për të pastruar Shqipërinë nga këto mbetje të rrezikshme, duke mundësuar një mjedis më të shëndetshëm dhe të sigurt. “OSBE-ja, theksoi ai, mbetet e gatshme të vijojë të mbështesë Shqipërinë në këtë kuadër, si dhe në përpjekje të tjera reformuese”.

Në kuadër të zbatimit të projektit me OSBE, shkatërrimi prej 116 tonë të kimikateve stoqe për t’u asgjësuar përfshin në fazën e parë procesin e ripaketimit, që është kryer nga strukturat e FA Shqiptare dhe kompania greke “POLYECO”, e kontraktuar nga OSBE dhe fazën e dytë që fillon sot më datë 27.05.2015, e cila përshin transportimin e këtyre kimikateve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për t’u asgjësuar në impiantet e asgjësimit në Greqi, Suedi dhe Portugali, sipas standardeve ndërkombëtare për asgjësimin e lëndëve të rrezikshme.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb