Universiteti Luarasi zhvilloi sot një takim në kuadër të projektit “CORE-ED Academy”, me objektiv përmirësimin e sistemit të burgjeve për të miturit në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit. Rektori i Universitetit Luarasi, Et’hem Ruka u shpreh në fjalën e tij se ky projekt mbart një rëndësi të veçantë, pasi synon rehabilitimin e fëmijëve që bëjnë vepra kriminale dhe rikthimin e tyre në shoqëri. “Të miturit që kryejnë vepra penale nuk duhet t’i humbasim, projekti synon t’i rikthejë si njerëz normalë”, theksoi ai.
“Projekti që ne përurojmë sot ka në thelb një çështje shumë të rëndësishme, atë të rehabilitimit të fëmijëve që bëjnë vepra penale dhe si duhet të integrohen. Por ne nuk vijmë pa asnjë përvojë në këtë projekt që po promovojmë sot. Sapo kemi mbaruar një projekt tjetër të financuar nga qeveria shqiptare për të cilin është punuar shumë, kemi fituar përvojë, ekspertizë. Me dëshirën e madhe që universitetet nuk janë diçka teorike, por vlerësohen edhe çfarë bëjnë për shoqërinë. Kështu që, projekti që kemi në proces është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim, që lidh universitetet me nevojat e vendeve tona. Unë besoj se të gjitha vendet tona të rajonit si të gjitha vendet e botës, adoleshentët kanë shumë probleme me ligjet.
Në Shqipëri është marrë një vendim gati për të mbyllur TikTok për shkak të evekteve negative që ka tek të rinjtë. Kjo për një arsye të vetme, sepse një adoleshent para 2 muajsh u godit me thikë nga një shoku i tij dhe humbi jetën. Në TikTok ata që e goditën kishin vënë fotografi me thikë në dorë. Ka dhe shumë raste të tjera të fëmijëve adoleshentë të cilët nuk duhet t’i humbasim, por t’i rikthejmë si njerëz normalë. Ndaj ky projekt është i rëndësishëm që lidh universitetet tona me policinë, burgjet, punonjësit socialë për t’i kuptuar këta fëmijë cilat janë arsyet që i kanë çuar në këto shkelje ligjore dhe për t’i rikthyer në jetë si njerëz normalë. Universiteti Luarasi duke marrë edhe detyrën e liderit në këtë projekt, do të bëjë gjithçka që projekti të zhvillohet në kohë sipas të gjitha procedurave dhe uroj shumë që projektet në vendet tona të mos konsiderohen si “thjesht po bëj një projekt”, por çfarë përfitimi do të kenë njerëzit që punojnë me fëmijët në burgje. Kjo krijon lidhje të fortë mes universiteteve tona, policisë, punonjësve socialë, psikologëve. është një gjë e rëndësishme dhe shumë njerëzore”, u shpreh Ethem Ruka.
Duke folur për Universitetin Luarasi, Ruka tha se “është rritur vit pas viti, jo vetëm në fakultete, por në programe studimi, në numër studentësh, duke zgjeruar stafin, në marrëdhënie ndërkombëtare”. “Sot jemi një ndër universitetet me akreditimin më të lartë në Shqipëri”, tha Ruka. Ai shtoi se arsimi i lartë në Shqipëri ndodhet para sfidave të rëndësishme në kuadër edhe të integrimit të vendit në BE deri në vitin 2030. Ruka e vuri theksin te ndërkombëtarizimi i universiteteve shqiptare, duke sjellë në vëmendje marrëveshjen e Luarasit me London School of Economics në tre programe studimi. “Për vitin akademik 2025-2026 fillojmë tre programe studimi të përbashkëta me London School of Economics, një nga shkollat më të mira në botë, studentët do ta marrin formimin në Shqipëri dhe të marrin të njëjtën diplomë që jepet në Londër”, vuri në dukje Rektori i Luarasit, Et’hem Ruka.
“Arsimi i Lartë në Shqipëri ndodhet para një sfide në fakt. Meqenëse jemi duke punuar shpejt për t’u bashkuar me familjen europiane, një ndër komponentët kryesorë është ndërkombëtarizimi i universiteteve tona. Unë besoj se ky projekt është një shembull i mirë i bashkëpunimit në radhë të parë rajonal. Ne universitetet e rajonit kemi nevojë të njohim njëri-tjetrin, të shkëmbejmë kurrikula, dhe ky është një shembull i kësaj natyre. Në përgjithësi i gjithë arsimi i lartë shqiptar po merr një kthesë të fortë për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Sapo janë miratuar politikat e arsimit të lartë deri në vitin 2030 ku janë targetuar një sërë problemesh thelbësore të arsimit të lartë në Shqipëri. Një ndër problemet kryesore është ndryshimi ligjor i arsimit të lartë në Shqipëri, në mënyrë që arsimi i lartë të bëhet më fleksibël dhe të jetë më afër standardeve europiane dhe të ecet me shpejtësi drejt ndërkombëtarizimit. Mund të them që sot në vendin tonë janë mbi 260 programe studimi që zhvillohen vetëm në anglisht. Edhe universiteti ynë ka hedhur një hap të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin dhe bashkëpunimin me universitete prestigjioze. Për vitin akademik 2025-2026 fillojmë tre programe studimi të përbashkëta me London School of Economics, një nga shkollat më të mira në botë, studentët do ta marrin formimin në Shqipëri dhe të marrin të njëjtën diplomë që jepet në Londër”.
(BalkanWeb)