Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarë në Durrës.

I ndalur tek projekti “Durrës Yacht & Marina”, ai tha se ky projekt do ta vendosë Durrësin në radhën e destinacioneve kryesore.

“Durrës Marina hyn si një konkurrent në një treg shumë të gjerë që do të ofrojë cilësi, por edhe shumë profile pune të mirë-paguara. Nuk do të ketë më asnjë arsye që dikush që do të punojë ta shohë të ardhmen jashtë vendit”, tha Rama, duke shtuar:” Ky investim vjen si vendosje e një baze themeli për Shqipërinë e të nesërmes. Modeli i ri i zhvillimit për nga aspekti i qëndrueshmërisë në raport me mjedisin që sjell ky investim. Pak është folur për të gjithë investimin e vijës bregdetare, dhe investimi do t’i japë një transformim rrënjësor”.

Më tej kryeministri u shpreh se nënshkrimi i marrëveshjes për zhvillimin e projektit “Durrës Yacht & Marina” është finalizimi i i një rruge të gjatë pune voluminoze, në aspektin tekniko-ligjor, me një investitor të madh strategjik prestigji i të cilit është botërisht i njohur.

Nga ana e tij investitori Mohamed El Alabbar, i cili do të ndërtojë Portin e Durrësit, tha sot pas firmosjes së marrëveshjes së zhvillimit se ky është një projekt i jashtëzakonshëm, me teknologji shumë avangardë. Ai tha se vigjilenca e Qeverisë shqiptarë për gjithçka lidhej me projektin ka qenë shumë më lart se të gjitha vendet e tjera.

“Do të doja të falënderoja ekipin e shkëlqyer që ju keni dhe që gjatë viteve të shkuara kanë punuar shumë fort që ne të vijmë këtu.  Të gjithë kemi punuar fort, duke besuar se kjo do të ndodhte por në të njëjtën kohë shikojmë reagimin e njerëzve për vizionin tuaj.  Askush nuk e ka pasur vigjilencën lart ndaj meje sesa qeveria shqiptare. Kam ardhur dhe jam ankuar sepse nuk isha mësuar me këtë. Por ja ku jemi tani dhe jemi shumë krenar për këtë arritje. Unë po mësoj. Ky është një rrugëtim i jashtëzakonshme. Përgëzime  për mënyrën se si e keni përzemër vendin tuaj.  Këta njerëz që punojnë me ne, në Shqipëri, po implementojnë një nga projektet më të mira në botë dhe më pas do të eksportojnë dije”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: