Kryeministri Edi Rama ka folur me tone të ashpra për Teatrin e vjetër duke e konsideruar fëmija ‘ilegal dhe bastard’ i marrëdhënies mes autorit arkitekt italian dhe luftës fashiste.

Sipas Ramës ndërtesën nuk e ka njohur as vetë arkitetki italian dhe se për shkak të rrethanave të luftës projekti nuk përfundoi kurrë.

Rama shton se kur ishte kryebashkiak i erdhi një delegacion që i propozonte se tek trualli i Teatrit të bëhej një Plazza Shopping me lokale e restorante pasi qeveria e PD kërkonte të bënte Teatrin e Ri tek Piramida, po ai nuk pranoi.

”Njëri mund të thotë, pse shkoni dhe i bini godinës së vjetër. Bota u ruan godinat e vjetra. Duhet një shpjegim.
A e dini ju që ai projekti që ka qarkulluar tinëzisht në formën e një vizatimi poetik të arkitektit italian që është shitur dhe në mediat dhe në zyrat e huaja nuk është rëzuar kush.
Autori nuk e ka njohur kurrë si pjellën e vetë. Ai projekt filloi, siç duket por nuk mbaroi. Lufta filloi, tironsit me pus e me tarrac, e me mustaqe hijerënda, a e dinë që në kopshtet e Tiranës u mboll grurë.
Sepse në atë kohë rendi autartik nga regjimi që u vendos dhe na i la plagët, shkurtoi fondet për t’ia kaluar luftës. Dhe thjeshtoi pa pjesëmarrjen dhe lejen e autorëve të gjitha projektet e godinave. Dhe godina e projektit të Teatrit është fëmija bastard i një marrëdhënie mes autorit italian dhe autores që ishte lufta fashiste që duhej ushqyer me para dhe grurin në parqet e Tiranës. U nis por mustaqet kanë një gjë. Duken por nuk dëgjojnë. U ndërpre nga lufta dhe vepra për këtë arsye kurrë nuk u konsiderua as nga regjimi i vjetër, as nga të gjitha ekspertizat e mëvonshme për t’u futur në monumentet e kulturës. Asnjë dokument ku të figurojë se kemi të bëjmë me një monument kulture. Askush nuk e ka vënë. Nga ana tjetër mua më vjen jashtëzakonisht mirë që sidoqoftë, prap së prapë, kur bëhet fjalë për të më luftuar futen elementë si ngjyra, Teatri, dhe bëhet debat arti, që as ka qenë dhe as do jetë më. Kur qeveria e atyre që sot kanë rënë si faja nga fiku dhe u është këputur dhe llastiku u angazhua për të bërë Teatrin tek Piramida. Dhe kur unë si kryebashkiak prita një delegacion me kryesues një të afërm familjar të ish- kryeministrit , bashkë me një grup gjermanësh, dhe më paraqitën Plazza Shopping. Projekti ishte i bukur, një shesh me dyqane, bare, restorante, aty ku sot është pishina, por ajo pishinë në mes të Teatrit ka shërbyer për bretkosat që ishin të vetmet spektatore dhe për të larë makinat e aktorëve me ujë çezme. Bëheshin 2-3 kate. I thashë shumë bukur projekti, por do bëhet Teatri Kombëtar këtu. ”- tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb