Artisti i madh shqiptar Robert Ndrenika ka zbuluar detaje të Teatrit të ri Kombëtar që pritet të ndërtohet.

Në një prononcim për gazetaren Fatmira Nikolli, Ndrenika është shprehur se është njohur dje me projektin pasi e kanë thirru në zyrë, regjisori Altin Basha, drejtori i teatrit, Hervin Çuli dhe inxhinier Bejleri.

Ai falënderon Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partinë Demokratike pasi siç thotë ai të gjitha vërejtjet e tyre i ka gjetur të rregulluara në projektin e teatrit të ri. Ndrenika thekson se në asnjë centimetër të tij, nuk do të ketë ndërtime të tjera dhe as kulla.

“Falënderim!
Dje më thirrën regjisori Altin Basha, drejtori i teatrit, Hervin Çuli dhe inxhinier Bejleri, në një zyrë arkitekture dhe pashë skicat dhe projektin e ndërtimit të teatrit të ri. U kënaqa shumë. Me këtë rast dua të bëj një falënderim (për dijeni edhe të mikes sime, gazetares Fatmira Nikolli) dua të falënderoj Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partinë Demokratike, sepse gjatë gjithë kohës që unë pashë këto skica si edhe projektin e teatrit të ri, pata parasysh vërejtjet dhe sugjerimet që kanë bërë Aleanca dhe PD-ja, duke dashur që në projekt, të jenë të pasqyruara të gjitha vërejtjet e tyre për teatrin.
Të gjitha këto vërejtje i gjeta të rregulluara në projektin e teatrit të ri. Për shembull, në të gjithë territorin e teatrit, në asnjë centimetër të tij, nuk do të ketë ndërtime të tjera dhe as kulla. I gjeta të pasqyruara në atë projekt të gjitha kërkesat e tyre përveç njërës ‘që teatri do bëhet, aty ku ishte, por do bëhet shumë herë më i mirë nga sa ishte’. Teatri i ri, do të jetë me kushte bashkëkohore si shumë teatro europianë.
Me respekte të ndërsjella,
Robert Ndrenika”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb