Projektligji i ri, që pritet të miratohet sot në Kuvend, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, rrit nivelin e bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse për azilkërkimin në vendin tonë. Po ashtu mundëson garantimin e ndihmës juridike falas për fituesit e statusit të refugjatit. Kështu deklaroi sot ministri i Brendshëm Bledi Çuçi gjatë seancës plenare duke nënvizuar rëndësinë e miratimit të ligjit për azilin.

Çuçi, u shpreh se “njësoj si vendet e Ballkanit Perëndimor e më gjerë, Shqipëria është prekur nga flukset migratore, të cilat përbëhen nga refugjatë dhe azilkërkues, migrantë, viktima të trafikimit, të mitur të pashoqëruar dhe të ndarë, si dhe persona pa shtetësi”.

“Republika e Shqipërisë ka tashmë një sistem azili për të cilin po punohet gjithmonë e më shumë, për t’iu afruar standardeve europiane, duke realizuar funksionimin e plotë të procedurave në përcaktimin e statusit të refugjatit për personat që kërkojnë azil’,- tha ministri.

“Republika e Shqipërisë aderon në konventën “Për statusin e refugjatëve”, nënshkruar në Gjenevë në 1951 dhe në protokollin “Për statusin e refugjatëve”, nënshkruar në Nju Jork, në 1967. Në konventën e OKB-së është aderuar me anë të dekretit të Presidentit, në 1992. Më pas, Shqipëria ka nënshkruar dhe miratuar edhe marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Është ratifikuar, gjithashtu Konventa e vitit 1954, lidhur me statusin e personave pa shtetësi, si dhe konventa e vitit 1961 për reduktimin e pashtetësisë. Përmes këtyre akteve, Shqipëria është radhitur në krah të vendeve juridikisht të qytetëruara, duke promovuar dhe përhapur vlerat e njerëzimit”,- bëri me dije Çuçi.

“Nga ana tjetër, marrëveshja e Stabilizim-Asociimit përcakton se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të përqendrohet në zbatimin e legjislacionit të brendshëm për përmbushjen e standardeve të Konventës së Gjenevës dhe protokollit të Nju Jorkut, për të siguruar respektimin e parimit të mos-kthimit të individit në atë vend që përbën kërcënim për jetën e tij, si dhe të drejtave të azilkërkuesve e refugjatëve”,- shtoi ai.

“Çështjet e trajtimit të azilkërkuesve janë subjekt gjithnjë edhe më i shpeshtë i trajtimit edhe nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut. Duke qenë se kjo Konventë dhe autoriteti i Gjykatës së Strasburgut kanë një vend të veçantë në Kushtetutën dhe të drejtën e brendshme në Shqipëri, ky fakt përbën shtysë tjetër për rregullimin më të plotë ligjor e në përputhje me detyrimet e standardet ndërkombëtare të fushës së azilit”,- tha ministri Çuçi.

“Legjislacioni aktual daton jo hershëm, në vitin 2014, por gjatë implementimit janë evidentuar një sërë parashikimesh ligjore. Projektligji “Për Azilin” në ndryshimet e tij konsiston në dy drejtime kryesore: Në transpozimin dhe implementimin e direktivave të reja të rekomanduara nga Bashkimi Europian; Në rregullimin dhe plotësimin e mungesave ligjore të evidentuara gjatë analizave nga struktura përgjegjëse për azilin, por edhe nga partnerët tanë me të cilët bashkëpunojmë si UNHCR, EASO, etj”,- tha ai.

“Disa risi të ligjit: Parashikohet rritja e nivelit të bashkëpunimit midis institucioneve përgjegjëse, duke zgjidhur mangësitë në këtë drejtim, duke niveluar strukturat përkatëse për të marrë përgjegjësitë që në momentin e parë, në pikat e kalimit kufitar dhe në brendësi të territorit ku kontaktohet me azilkërkuesit; Tjetër risi është mbajtja e të dhënave nëpërmjet regjistrit të azilit, rezultat i ngritjes dhe implementimit të data-bazës (regjistrit elektronik te azilkërkuesve dhe personave në mbrojtje ndërkombëtare), i cili është bërë funksional për herë të parë në 2018”,- tha Çuçi.

Sipas tij, “nisma ligjore sanksionon bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare, që ofrojnë asistencë duke shtuar gamën e tyre; Një disiplinim i rregullave dhe procedurave për shtetasit azilkërkues është parashikuar nisur nga shqetësimet në vite, gjatë akomodimit të tyre pranë Qendrës së Hapur për Azilkërkuesit. Përveç të drejtës për të lëvizur lirshëm nga momenti i paraqitjes së kërkesës, janë përcaktuar rregulla dhe kufizime në rast konstatimi të shkeljeve të rënda, të cilat mund të sjellin pasoja në jetën apo shëndetin e komunitetit ku banojnë, por edhe më gjerë në zonën ku ndodhet qendra e hapur; Është parashikuar ndihmë juridike e garantuar nga shteti për kërkuesit dhe për ata shtetas që gëzojnë mbrojtjen ndërkombëtare, e cila deri më sot ofrohej nga organizatat ndërkombëtare”,- shtoi Ministri i Brendshëm.

““Komisioni për Azilin dhe Refugjatët” ri-formatohet në strukturë, përbërje e status, duke rritur rëndësinë dhe nivelin e përfaqësimit, pasi emërimi bëhet nga Këshilli i Ministrave; Dhënia e Mbrojtjes së Përkohshme, në rastet e flukseve masive në territorin e Shqipërisë për arsye të luftës apo situatave të ngjashme, bëhet nga Këshilli i Ministrave. Kjo e drejtë i njihet edhe Ministrisë përgjegjëse, për raste të veçanta me afat 1 vjeçar me të drejtë zgjatje 6 muaj, por jo më shumë se 3 vjet”,- tha Çuçi.

“Risi tjetër është mundësia e personave me status refugjati të kenë të drejtën e aplikimit dhe marrjes së shtetësisë shqiptare me natyralizim, sipas procedurave ligjore; Shkëmbimi dhe marrja e informacionit, bëhet përmes kontaktin me vendin apo vendet nga ka kaluar azilkërkuesi për të verifikuar të dhënat; Në projektligj është parashikuar njoftimi i kërkuesit në rastin e refuzimit/mospranimit/revokimit apo çdo forme të përfundimit të statusit të mbrojtjes plotësuese. Kjo mundëson vijimin e procedurave ligjore, e cila nuk ka qenë parashikuar, duke sjellë si pasojë mos largimin e personave me qëndrim të parregullt nga territori i Republikës së Shqipërisë”,- tha Ministri i Brendshëm.

“Shqipëria është një nga vendet që ka vendosur ‘Axhendën 2030’, pjesë të prioriteteve kombëtare dhe gjithashtu ka mirëpritur Marrëveshjen Globale mbi Migracionin dhe objektivat e saj. Ndaj, duke e mbyllur ju ftoj ta votojmë këtë nismë me shumë rëndësi.”,- tha Çuçi, duke i bërë apel kolegëve për votimin e këtij projektligji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb