Ministrja e Ekonomisë, Anila Denaj gjatë fjalës së saj në Komisionin e Ekonomisë foli për projektligjin për Eurobondit.

Denaj u shpreh se Partia Socialiste paratë borxh i ka kthyer në investime publike, duke theksuar se instrumentet afatgjate kanë ndryshuar strukturën e borxhit.

“PS ka kthyer paratë borxh në investime publike. Instrumentet afatgjatë kanë ndryshuar strukturën e borxhit”, u shpreh Denaj.

Deputetja Jorida Tabaku, bëri me dije se ky projektligji ka shumë faktorë të cilat janë shqetësuese dhe që duhet të merren parasysh.

Për Tabakun në këto 8 vite nuk ka pasur asnjë investim efektiv dhe kjo ka shkaktuar mungesën e besimit tek bizneset, ndërsa bëri thirrje që autoritetet ta trajtojnë seriozisht këtë çështje.

“Fakti që jemi mirë dhe vetëm ne dimë dhe askush tjetër nuk di, mua më shqetëson. Sot flasim për rritje pagash, por sipas FMN-së Shqipëria ka pagën më të ulët në rajon. Vetë raportet e Bankës së Shqipërisë flasin për rënie të besimit në ekonomi. Besoj që të gjitha rezultatet duhet ti shohim me përulësi.

Buxheti i shtetit ka vuajtur në këto 8 vite për mungesë të efektivitetit. Të gjitha të dhënat tregojnë që ekonomia nuk ka pasur investime efektive”, tha Tabaku, duke shtuar se këto të dhënat nuk duhen hedhur poshtë vetëm sepse ato i thotë opozita.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb