Ish- deputetja e PD, Jorida tabaku ka kritikuar mazhorancën për projektligjin e depozituar në Kuvend më datën 10 prill për përjashtimin nga skema e TVSH për importuesit apo blerësit e jahteve në Shqipëri.

Sipas Tabakut qeveria e zgjidh lehtë qesen kur bëhet fjalë për oligarkët kurse për 3 milionë shqiptarë, nga të cilët 500 mijë punojnë në privat nuk ka para.

Ajo kujton se opozita vazhdimisht i ka kërkuar qeverisë prej 5 javësh të falë tatimet dhe taksat ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm për të ulur dhimbjet e krizës por qeveria i ka refuzar.

 

STATUSI I JORIDA TABAKUT

Kush janë të privilegjuarit e qeverisë në këtë kohë krize?

As më shumë dhe as më pak janë të gjithë ata që importojnë jahte dhe mjete të tjera lundruese. Është jashtë çdo logjike normale ekonomike dhe njerëzore që në këto ditë të vështira për shqiptarët qeveria shqetësohet dhe harton ligje për të favorizuar ata që blejnë jahte.

Për më shumë se 5 javë, nisur nga situata e vështirë e pandemisë, opozita ka kërkuar faljen e taksave dhe tatimeve për biznesin e vogël dhe të mesëm si një rrugë për të lehtësuar dhimbjet që po shkakton virusi në ekonomi. Përgjigja e vetme ishte refuzimi kategorik dhe sulmi politik nga ana e kryeministrit.

Në kushtet kur paketat ekonomike të qeverisë janë thjesht deklarata dhe aspak të prekshme për shqiptarët, deputët socialistë kanë çuar në datën 10 prill në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që do të përjashtojë nga TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) importin e jahteve. Pra disa ditë pasi i detyroi bizneset e goditura të vendit të paguanin TVSH-në kokërr më kokërr, qeveria merr vendimin për të përjashtuar importuesit e jahteve.

Me këtë akt qeveria e zgjidh fare lehtë qesen kur bëhet fjalë për blerësit e jahteve, ndërsa për 3 milionë shqiptarët nga të cilët mbi 500 mijë janë të punësuar në privat e njëjta qeveri nuk ka parà. Qartë e më qartë e ditë pas dite për 7 vjet me radhë , me çdo veprim dhe ligj të miratuar kjo qeveri dhe ky kryeministër tregojnë se janë thjesht dhe vetëm në shërbim të oligarkëve dhe jo të shqiptarëve.

Tashmë ata e dinë mirë dhe e kanë kuptuar se kush është shqetësimi i vërtetë i kësaj qeverie që në kulmin e krizës shqetësohet që të heqë taksat për jahtet në vend që të lehtësojë nga detyrimet ata që janë në kushte më të vështira dhe kanë vërtet nevojë për ndihmën e shtetit

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb