TIRANE-Autoritetet kolumbiane kanë dërguar në Shqipëri prokuroren speciale Y. Martinez, e cila ka kërkuar informacion për dy kolumbianët që u arrestuan në laboratorin e kokainës në Xibrakë të Elbasanit. Sipas ‘Mapo’, prokurorja speciale ka zhvilluar një takim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ka shkëmbyer informacion me prokurorët shqiptarë për të arrestuarit Cesar Avila dhe Valther Moreno.

Prokuroria e Kolumbisë kërkon të dhëna nga homologët e tyre shqiptarë mbi rolin dhe aktivitetin e dy shtetasve kolumbianë, të cilët u arrestuan bashkë me disa shtetas shqiptarë në operacionin “Xibraka”.

Një prokurore speciale kolumbiane, Y. Martinez, zhvilloi të mërkurën një takim me drejtues dhe prokurorë të çështjes te Krimet e Rënda, ku u njoh me provat e autoriteteve shqiptare në ngarkim të Cesar Avila dhe Valther Moreno.

Sipas burimeve mësohet se qëllimi i vizitës së prokurores kolumbiane, është intensifikimi i hetimeve në Kolumbi për të arrestuarit, me qëllim identifikimin e lidhjeve të mundshme në trafikun e kokainës.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se dy shtetasit kolumbian të arrestuar në laboratorin e kokainës në “Xibrakë” të Elbasanit kishin njohuri të posaçme në përzierjen apo veçimin e kokainës nga tretësira të lëngshme.

Këto të dhëna të siguruara nga prokuroria shqiptare kanë zgjuar interesin e kolegëve të tyre kolumbianë, të cilët dyshojnë se Cesar Avila dhe Valther Moreno mund të jenë pjesë e ndonjë karteli kokainë ne Kolumbi.

Zyrtarisht prokuroria nuk jep të dhëna rreth vizitës së prokurores speciale kolumbiane në Shqipëri, por mësohet se palët kanë shkëmbyer informacion të vlefshëm mes tyre.

Pas këtij takimi, burime të prokurorisë konfirmuan se hetimet për të akuzuarit si pjesë e laboratorit të kokainës në “Xibrakë” do të përfundojnë brenda pak ditësh.

Prokuroria thotë se ka prova të mjaftueshme për të ngritur akuzën e trafikut ndërkombëtar të kokainës ndaj të gjithë të arrestuarve, përfshi dhe nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxhën si dhe dy shtetasit kolumbian.

Cesar Avila dhe Valther Moreno u arrestuan më 14.1.2015, në brendësi të një ish-magazine, të shndërruar në laborator përpunimi të lëndës narkotike kokainë, në Xibrakë, pranë Elbasanit.

Së bashku me dy shtetasit kolumbianë, u arrestuan edhe disa qytetarë shqiptarë, pjesë e një grupi të organizuar që dyshohej se sillnin në Shqipëri kokainë të papërpunuar dhe pasi e pastronin, e dërgoni në tregun ilegal gjerman.

Tashmë që Prokuroria për Krime të Rënda deklaron se është në fazën e mbylljes së hetimeve, roli i dy kolumbianëve në këtë grup kriminal ka ngjallur interes edhe për autoritetet hetimore të vendit të tyre.

Në operacionin “Xibraka”, të drejtuar nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të informacionit paraprak të sjellë nga autoritetet gjermane, Policia konstatoi se magazina shërbente për të fshehur një laborator për transformimin dhe përpunimin e substancave që kishin përmbajtje kokaine, të cilat pas kalimit në procese kimike përmes ndërhyrjes së prokurorëve dhe substancave të tjera kimike, dilnin në një produkt përfundimtar që ishte lënda narkotike e dyshuar si kokainë e gatshme për t’u hedhur në treg.

Në magazinë, u sekuestrua një peshore, një sasi prej 436 gramë, e cila kishte karakteristikat e kokainës. Gjithashtu, të futura në qese apo thasë, u sekuestrua edhe një sasi tjetër lënde pluhur me ngjyrë të bardhë, të përshkruara në detaje në këqyren e magazinës.

Gjithashtu, u sekuestrua e futur në tre thasë një sasi me pluhur të kuqërremtë. I njëjti pluhur u gjend edhe në 30 qese plastmasi.

Në fuçi apo enë të ndryshme u gjetën edhe sasi të lëndësh kimike në gjendje të lëngshme apo tretësira, të cilat dyshohet se përdoreshin për procesin e përpunimit të substancës bazë ku ndodhej kokaina.

Në vijim të operacionit, krahas dy kolumbianëve që u gjendën në magazinë, u arrestuan edhe shtetasit shqiptarë Ilir Hyseni, Gentian Gjonaj, Kelmend Dalipi, Arjan Dalipi, Sajmir Batku, Ermal Hoxha dhe Kastriot Imeri.

(d.b/Mapo/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: